Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears, është një ndër artistët më të komentuar të momentit, për shkak të suksesit të padiskutueshëm që pati në Eurovision, ku përfaqësoi Zvicrën.
Gjon ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Soiree” me Jonida Shehun në ABC, ku përveç një rrëfimi shumë interesant, nuk kanë munguar edhe performancat e tij. Këngëtari i talentuar ka treguar se nëse nuk do t’i hynte rrugës së muzikës, do dëshironte të bëhej mësues frëngjishte dhe kjo nuk ishte aspak një zgjedhje rastësore.
“Kisha një plan B që ishte arsimi. Unë doja që të bëhesha mësues i frëngjishtes, sepse më pëlqen shumë literatura franceze, ose dhe mësues muzike në shkollë, por jo në shkollë muzike. Unë kam patur një mësues shumë të keq dhe atëherë i kam thënë vetes që unë do bëhem mësues dhe do ju tregoj njerëzve që arsimi nuk është i prishur, por ka dhe njerëz të mirë. Ai ishte një mësues i pakuptueshëm. Një gabim të vogël bëja unë në matematikë, më thoshte se isha skandal, ma hidhte të gjithë punën poshtë. Ai më kishte thënë që nuk do isha i arrirë në jetën time, se isha shumë keq në matematikë dhe tani mund ta shikojë që më në fund ia dola edhe pa matematikën”, ka treguar Gjon’s Tears.
Ai ka shtuar se pas suksesit në Eurovizion ka patur shumë mesazhe urimi nga njerëz të ndryshëm, madje dhe nga të afërt që më herët nuk ishin kujtuar për të.
I pyetur se kush do të ishte këngëtari ose këngëtarja që Shqipëria duhet të çojë në Eurovzion, Gjon’s Tears ka përmendur këngëtaren nga Kosova, Kidën.
“Aurela Gaçe e përfaqëson shumë mirë Shqipërinë. Ndërsa tek këta të rinjtë më pëlqen shumë Kida, kështu që pse jo ta përfaqësojë ajo Shqipërinë në Eurovizion”, është shprehur Gjon.
Ndër të tjera ai ka treguar se e dëgjon shpesh muzikën shqiptare, sidomos në makinë dhe këngët që i dëgjon me volum të lart janë “Mi Amore” e Ermal Fejzullahut & Kidës dhe “Ngjyra e kuqe” e Adrian Gaçës me Florianin.
Krahas rrëfimit nuk kanë munguar as performancat emocionuese të tij.
Gjon është pyetur nëse ka ndonjë këngë shqiptare që i pëlqen shumë dhe që do dëshironte të ishte e tij dhe ai nuk është menduar dy herë për t’u përgjigjur.
Këngëtari 22-vjeçar ka treguar se dy këngët shqiptare që i pëlqejnë dhe i ka dëgjuar qysh i vogël janë nga Orinda Huta dhe Pirro Çako.
“Janë dy këngë me të cilat jam rritur me to. Janë “Tani e Di” e Orinda Hutës. Këtë këngë e mbaj mend që fëmijë dhe e këndoja. Dhe kënga “Për një çast” me Pirro Çakon dhe Rovena Dilon. Këto janë dy këngë që më pëlqejnë, por më së shumti kjo e fundit, sepse më përshtatet më shumë”, është shprehur Gjon Muharremaj.
Burimi / https://abcnews.al/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.