Mirëqenie

December 9, 2017 | 16:01

Rrëfimi ndryshe i Veliajt: Kryeqyteti, dashuria ime. Ajola më thotë ‘jam martuar me Tiranën’

Nga Fjodora Fjora / Emisioni “CHIC”

veliaj

Kur flasim për trende, kur flasim për atmosferë festash, kur flasim për dekor e ku ka më mirë se sa qyteti, dritat e të cilit i ndezëm pak ditë më parë. I ftuar nderi në emisionin “Chic” të gazetares Fjodora Fjora në News24 ishte kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj apo Erioni miku i të gjithëve.

Në një intervistë ndryshe, Veliaj foli për Krishtlindjet, për atmosferën e tyre për vitet që ka jetuar në SHBA dhe ndikimet që ka prej atij vendi pikërisht në festën e madhe. Sa ka ndikuar jeta e kryebashkiakut në atë që mund të quhet Krishtlindje në kryeqytetin që ai drejton. Ai na tregoi një ditë të tëra nga fillimi deri në fund se si fillon dhe mbaron dita e një kryebashkiaku, raporton “BalkanWeb”. Ku i kalon festat kryebashkiaku dhe me kë i kalon ai, i zbuloi në emisionin Chic.

veliaj-liqeni

Si nis dita jote?

Nisja herët në mëngjes të jep mundësi, që të mbarosh disa gjëra. Tirana zyrtare zgjohet në orën 8:00 shkon në orën 9:00. Por duke i ditur ritmin duhet të dalësh pak më përpara që t’i vesh gjërat në vijë përpara se njerëzit të fillojnë me kërkesat. Ai dyorëshi në mëngjes 06:30-07:00 deri në 09:00 kur nuk ka këmbë njeriu është momenti për të lexuar pak dhe shtypin botëror, për t’u informuar çfarë po ndodh dhe për të lënë porositë e tua për gjërat që do të arrish atë ditë. Në momentin që e vë ditën para nuk të vë dita ty.

Në zyrë jam shumë pak kohë, kryesisht për të pritur delegacionet ose tani që janë festat e fundvitit, që vijnë ekskursione të shkollave, gjëra të kësaj natyre. Një dy orësh më kap në zyre kjo puna burokratike. Në fund të ditës para se të shkoj në shtëpi, ora 22-23 është ora kur duhet të firmos një pafundësi letrash.

Sa gjumë fle?

Kjo është si një njeri që ka rënë në dashuri, i cili nuk di sa është ora. Ai mezi pret të zgjohet në mëngjes që të merret me dashurinë e vet. Kjo është dashuria ime, me këtë zgjohem në mëngjes me këtë fle dhe Ajola ma ka pranuar. Kjo është një kohë, një vëmendje dhe një dashuri që duhet ndarë me qytetin dhe bashkinë. Ajo ndonjëherë thotë jam martuar me Tiranën.

Kush është rituali i mëngjesit?

Kur zgjohem nuk pi kafe, pi vetëm ndonjëherë për të shoqëruar ndonjë, uljen në kafe e kam vdekje, nuk ulem, nuk i paragjykoj ata që e bëjnë por mua nuk më pëlqen. Nëse ngrihem shumë herët dhe ka diell i fus një vrap të vogël nga liqeni. Pas maratonës vrapin e bëj në darkë. Në mëngjes thjesht vij në zyrë edhe i jap dum gjërave, nis punën. Kjo gjë më karikon më jep energji është si një lloj droge. Jeta e një njeriu që merret me gjëra publike është pak e vështirë, të takon të pickosh ndonjë gjë do bësh gëzuar dhe po mos të jesh i disiplinuar do bëhesh si kacek. Dhe kur kam qenë të ‘Mjaft’-i thosha” O zot mos u bëftë njeriu politikan që fryhet. Një njeri që nuk disiplinon dot peshën e vet çfarë do t’i bëjë popullit. Kështu që mundohem ta kem këtë disiplinë.

Kam dëgjuar që shkoni jashtëzakonisht vonë në shtëpi?

Po nuk të del dita, vetëm koha fizike për të bërë takime… bashkia ka mbi 60 drejtori dhe agjenci sikur një minutë të flasësh me ta të ikën pjesa më e madhe e kohës. Tirana është kryeqendra e vetme e Shqipërisë, sot psh ishte ish- presidentja e Kosovës, disa kryetar bashkish të rajonit, disa delegacione që vijnë pra minimalisht vetëm koha fizike që si titullar që përfaqësoj qytetin duhet të jem prezent më sjell në zyrë në të kundërt unë do isha rrugëve.

A nuk do të thotë kjo një mungesë karshi asaj që duhet të ishte pjesa familjare, domethënë të shohin me njerëzit e tu?

Mamaja ime bën batuta më shumë të shohim në televizor sa je dobësuar e shëndosh varet nga televizioni që të nxjerr. E kalon me humor për të thënë mos ka ardhur koha të vish fizikisht të shohim. Ndërsa me Ajolën mundohem që të koordinohem, psh në qoftë se më bie rruga në ndonjë vend që është ajo, por mundohemi që eventet e darkës t’i bëjmë bashkë. Në pamundësi për të shkuar në disa vende çoj një nënkryetar bashkie, kur më mbarojnë ata çoj Ajolën dhe më jep një dorë.

veliaj-kazma

Një atmosferë festive i jep një qyteti një dëshirë për të jetuar për të shikuar festat?

Qyteti është si shtëpia jonë e madhe është pak si stolisja e shtëpisë dhe pavarësisht vështirësive njerëzit duan një lajm të mirë, një energji pozitive, e duan diçka që ju jep shpresë. Unë mendoj që roli i kryetarit të bashkisë nuk është roli i komunales dhe të jetë përgjegjës për gjëra të infrastrukturës por është dhe tifozi numër një i qytetit. Në qoftë se tifozi numër një është depresiv, nuk ka pikë entuziazmi atëherë çfarë do të bëj skuadra. Unë e marr shumë seriozisht të qenit kryetifoz i qytetit. Këtë e bëj jashtë kur duhet të prezantoj qytete dhe them Tirana është qyteti më i mirë në botë, ka edhe të tjerë por unë nuk njoh atë njoh. Në qoftë se ti mendon mirë dhe pozitivisht qëllon që gjithë gjerat e mira të ndodhin.

Ke një ndikim të themi nga Amerika?

Jam rritur atje sigurisht që kam. Të gjithë jemi rritur në një familje modeste, kemi pasur Vitin e Ri. Ndonjë herë i them njerëzve mos më ngatërroni me çunin e mirë që shihni në televizion, unë e di çfarë nuk funksionon, e di saktësisht ku sabotohet ky qytet.

Punës mangët nuk ia kë lënë por edhe të treguarit e punës e ke kthyer në një lloj misioni më vete për t’ia treguar njerëzve?

Nuk e besoj që njerëzit kanë nevojë për një dozë konstante jo vetëm informacioni por dhe optimizmi. Jam i vetëdijshëm që 200 pemë të mbjella te Liqeni i Thatë dikujt në Shkozë as nuk i hyjnë në punë bie fjala ama i jep shpresë dhe thotë se është vetëm çështje kohe që po vazhduan me këtë ritëm do të vijnë edhe tek lagjja ime. Ky pylli orbital do e bëj xhiron.

Parimi që ditën e parë që kam qenë në bashkinë e Tiranës është se që kjo bashki është një pulë e madhe dhe çdo ditë duhet të bëj një vezë. Në 1000 mijë ditë që kemi qenë në bashki kjo pulë ka bërë një vezë përditë disa herë edhe më shumë. Në qoftë se çdo ditë ka nga pak progres, për disa njerëz është e prekshme ndodh aty, për dikë tjetër është shpresë, është vetëm çështje kohe sa të vij edhe radha ime.

Në të gjithë këtë dekor i ke besuar vetëm asistentëve të tu apo ke edhe ndonjë prekje që mund të quhet shija jote personale në arredimin e Tiranës?

Kam një skuadër dhe mundohem që mos të mikromenaxhoj, sigurisht për disa gjera duhet të marrësh ndonjë vendim, një sy i mprehtë që sheh punë publike gjithë ditën vë re cene të vogla por për disa gjëra që kanë më shumë dije dhe shije se ti duhet t’ia besosh atyre. Kam dy vajza fantastike, njërën për sheshin Skëndërbej dhe tjetrën për Pazarin e Ri, që janë marrë me këto hapësirat e mëdhaja. Sot i kemi kemi kthyer të dyja në pedonale.

veliaj1

Këto pulovrat me Krishtlindje nuk i ke blerë vet?

(Qesh) Jo, nuk i kam blerë vet por mendova se do ishte një ide fantastike për të gjithë fëmijët që vijnë në zyrë. Vitin e kaluar u bë virale, u bë ngjitëse, të gjithë fëmijët dëshironin bluzat si të “lalit”. Unë e di që ky është vend i vështirë por di t’ju them që nga eksperienca që unë kam jetuar di t’iu them që të gjitha vendet janë të vështira. Ne mendojmë që amerikanët nuk kanë stres, kanë por të një niveli tjetër. Ata asnjëherë nuk lumturohen dhe të thonë që unë arrita gjithçka. Edhe në Gjermani ka vetëvrasje, ka depresion të madh në Suedi vetëm për faktin se atje ka 300 ditë në vit në errësirë kur ne kemi 300 ditë diell. Nuk është vetëm sasia e lekëve që fiton një ndërkombëtar në një vend, ka shumë faktorë që ndikojnë në lumturinë. Një nga arsyet e trishtimit është vetmia. Ne sot kemi shumë të moshuar në emigracion sepse i kanë fëmijët në emigracion. Kur vjet pas vitit të ri kur kaluam ngricat mbaj mend që kemi gjetur pafund pensionistë që rrinin vetëm e thanin ftohtit e i çuam në qendrat sociale. Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë edhe një lloj alarmi për t’i thënë njerëzve “Ej prit pak ku i ke njerëzit”. Fryma e Krishtlindjeve disa herë mund të jetë zbukurime disa herë një pulovër, është një mënyrë për t’i thënë qyteti prit je jeta ka edhe kënaqësi të vogla, nuk është çdo gjë dramë e madhe.

Ke kohë të shijosh gjërat e vogla?

Si nuk kam, këto lloj kënaqësish asnjërit s’duhet t’i mungojnë.

Jam informuar, që kur nuk ke kohë merr një sallatë dhe e ha mbi skrivani?

Sallatën e kanë moderuar, sepse zakonisht ha një sufllaqe (qesh).

A del për shopping, a del për drekë, a krijon ndonjë hapësirë, që nuk ka lidhje me punën?

Për shopping nuk dal shyqyr, Ajola i di masat e mia, jam masa “L” pantallonat 32 dhe këmba 45-sa (qesh). Dalim festojmë gjithmonë ditëlindjet e miqve, të prindërve, kur gjejmë kohë në fundjavë. Bëjmë minieskursione, herën e fundit ishim te “Shpella e Pëllumbave”. Kur kryetari shkon në këto vende edhe njerëzit thonë mos duhet ta shohim dhe ne. Kur shkoj në një vend psh. dikush ka parë kronikën në televizor, kanë shkuar ta shohin madje kanë blerë dhe shtëpi në atë zonë. Njoh shumë miq tanët, që po pensionohen në Shën Gjergj.

veliaj-fjodora

Edhe pse është pak herët ku do t’i kalosh Krishtlindjet apo Vitin e Ri?

Vjet i kaluam me zjarrfikësit në Tiranë dhe këtë vit do zgjedh një nga institucionet por në fund të ditës më 31 dhjetor do jemi në shesh për të hedhur fishekzjarrët. Edhe në datën 1 do shohim bebushat do të lindin atë ditë. Mbaj mend vjet ishte një debat sepse “Mbretëresha Geraldinë” thoshte lindi tek ne ndërsa “Koço Gliozheni” lindi tek ne dhe i thashë stafit a ka mundësi ta nisim pa dramë do të shkojmë tek të dy.

Për sa kohë që në i ruajmë këto gjëra të vogla apo të gjitha sebepet jemi me këmbë në tokë. Ky tokëzimi na mban pak në kontroll, gjëja e parë që kontrollojmë është vetja jonë, mallkimi më i madh që mund të të japë dikush në këtë detyrë është “Të hiptë vetja në qejf”. Për sa kohë që s’më ka rënë ai mallkim do vazhdojmë të fokusohemi te puna dhe të ruajmë njerëzillikun. Kjo s’do të thotë që nuk do të marrim vendime të vështira. Unë them më mirë vendime të vështira sesa të them “Po po” gjithë kohën dhe mos të bëhet asgjë. E kemi provuar dhe atë stil, por nuk funksionon kështu që jemi të rreptë për ata që e shkelin bashkëjetesën tonë dhe sigurisht jemi bujar dhe solidar me ata që janë më nevojtar dhe kjo lloj balance e mban qytetin si një familje e mirë.

Është fundi i 2017-ës ku mendon se është Tirana jote në konceptin tënd i një njëri që e ka jetuar Tiranën në fëmijërinë e tij ka pasur Krishtlindje, Vit të Ri. Tani je “koka” e kësaj Tirane në kuptim figurativ, ku është Tirana jote?

Unë e them dhe mendoj se nuk është atje ku duhet por më mirë sepse do na kapte një vetëkënaqësi. Të menaxhosh një qytet në Zvicër duhet të jetë gjëja më e mërzitshme në botë dhe pikërisht se s’është atje ku dua unë do të thotë që mezi presim të zgjohemi nesër që ta çojmë dhe çik më lartë dhe çik më lartë dhe vitin tjetër dhe kështu me radhë. Ama me stafin tim jam shumë i rreptë dhe shumë kërkues. Nuk mendoja që njerëzit do të linin bankën botërore apo banka të sektorit privat apo institucione të rëndësishme dhe të paguhen sa 1/3. Pra njerëzit nuk jetojnë vetëm për rrogën pra njerëzit jetojnë edhe për një sens misioni edhe për të lënë gjurmë, një emër. Dhe në këtë sens kam shumë krenar për të gjithë ekipin. Nëse secilin nuk bënë të vetën këputet zinxhiri dhe hallakatet. Tirana po bëhet më njerëzore dhe nëse vazhdohet në mënyrë të tillë nuk kam asnjë dyshim që Tirana do të jetë qyteti më i mirë në Ballkan.

Sot unë i kërkoj të gjithëve nëse kanë mundësi ta bëjnë, nëse rrinë në Facebook dhe shohin shtetin në ato minuta mund të shkojnë ta ndihmojnë vetë dikë që është nevojtar. Nëse kjo frymë na përshkon të gjithëve atëherë do të kemi një Tiranë dhe një Shqipëri më të mirë.

erioni-rruge1

erioni-rruge

pema

https://www.youtube.com/watch?v=m2QpeNSkvgk&index=2&list=PLQpmT8dugQ5V3A843ntox4vg7prbgwSmH

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top