Prona… një identitet për njeriun. Një siguri për mbarëvajtjen e jetës… dhe në fund fare një shkak konflikti mes njerëzve të të njëjtit gjak, të lindur nga të njëjtit prindër dhe të rritur për një kohë të gjatë nën të njëjtën çati… e megjithatë vëllezërit konfliktohen… – Vëllai vjen dhe më kërcënon ditë pas dite për firmën e truallit. I thotë bashkëshortes sime se nëse nuk e merr seriozisht, ka hesape të tjera për të larë.
Vetëm një firmë pronësie, ka çuar në gjykatë tre vëllezër nga një zonë rurale në verilindje të Tiranës. – Do ta shohim këtë punë, – është refreni që ngacmon dy vëllezërit më të mëdhenj për t’iu marrë të drejtën e përfitimit të hapësirave shtesë. Sipas paditësit Faik T, vëllai i vogël kërkon ta shesë shtëpinë, me qëllim që të përfitojë nga menaxheri një firmë ndërtimi në ngritjen e një pallati. Unë dhe Lavdërimi nuk ishim dakord me këtë, prandaj arritëm deri këtu. E pranishme me dëshminë e saj edhe Gerta, bashkëshortja e Faikut, pohon se Saimiri shfryn e shan me fjalor të ulët para fëmijëve, si e si t’ia arrijë qëllimit. Madje, në lidhje me të vëllanë i ka treguar edhe forcën për ta bërë të gjunjëzohet para vendimit që ai kërkon të ndërmarrë. – Dy javë më parë, i nxehur nga kjo bisedë, ai më goditi me grushte në fytyrë dhe në trup, – thotë gruaja e njërit prej vëllezërve në konflikt. Ndarja e pronës që dispononin tre vëllezërit, lindur dhe banues në Bathore të Tiranës, i çoi këtë vit në gjykatë të tre, në përballje me togat e zeza. Paditësi Faik. T, vëllai i madh i familjes, pretendon se ka të drejtë. – Saimiri është treguar i padrejtë. Ka manipuluar dokumentet e pronësisë. Arrita ta marr vesh vetëm kur pashë se në truallin tonë po interesohej të ndërtonte pa dijeninë time dhe vëllait të vogël. Ka falsifikuar firmat. Kjo histori, e cila nuk i ka të gjallë paraardhësit e pronësisë së vërtetë, ka krijuar një mishmash mes tre vëllezërve. Ata nuk bien dakord për shkak se vëllai i madh jeton në shtëpinë e prindërve, ndërsa kur ata ishin gjallë, i vogli dhe i mesmi ishin ndarë më vete. Sot, duke qenë posedues të një trualli me hapësirë private, më i vogli i djemve kërkon që ajo pronë të shndërrohet në një pallat. Por nuk qëndron këtu filli i gjithçkaje. Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj nuk janë dakord me firmën e ndërtimit që kontraktonte Lavdërimi, pa dijeni e vëllezërve. Gjykata pasi u njoh me rastin në fjalë, në një përballje dëshmish mes tre vëllezërve, vendosi që ta shtyjë në një kohë të pacaktuar marrjen e vendimit përfundimtar, deri në një moment të dytë që do të certifikojë dokumentet reale të pronësisë. …Janë vëllezër, por përpara një çështjeje pronësie, janë thjesht tre njerëz në konflikt, e për më tepër në një konflikt, zgjidhja e të cilit nuk duket aspak e lehtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.