Në Peshter në Serbi ka mjaft burra të martuar me gra nga Shqipëria. Po si jetojnë ato atje? Zllatko dhe Vera Muniq nga Sjenica kanë festuar këto ditë dhjetëvjetorin e martesës. Ata kanë tre fëmijë, shtëpi dhe jetojnë, siç thonë, një jetë të mirë familjare. Zllatko është ndër të parët që ka shkuar në Shqipëri për të kërkuar një grua për martesë.
„Asokohe kemi shkuar në Shqipëri me një furgon me disa djem. Një mik më tha se është martuar me një shqiptare dhe e njeh një femër me të cilën mund të njihem dhe tö martohem nëse pëlqejmë njëritjetrin. Unë desha të martohesha! Dhe kështu shkova për herë të parë në Shqipëri”, thotë Zllatko, i cili në kufi kishte pasur shumë frikë, sepse raportet mes Serbisë dhe Shqipërisë ishin shumë të këqija. Ai thotë se kalimet e kufirit nuk do t’i harrojë kurrë.
Kufiri dhe frika
„Në kufi pyesja veten: çfarë më pret në Shqipëri, sepse në televizor kam shikuar gjithçka. Asokohe kërkoheshin edhe viza për kalimin e kufirit, e cila kushtonte 50 euro. Kjo nuk ishte pak sepse duhej të paguaja 50 euro për mua dhe 50 për babain. Në veçanti kur dihet se më pas e kam kaluar disa herë këtë kufi”, thotë Zllatko. Në afërsi të Shkodrës na priste një femër e gatshme për martesë. Zllatko mezi priste ta shihte. Por kur shkuan tek familja e saj, në shtëpi nuk ishte askush. Fqinji u kishte treguar se e tërë familja ka shkuar në kishë.
“Shkuam tek miku im. Pimë kafe së bashku ndërsa unë rrija ulur si mbi gjemba. Së bashku shkuam të shohim vajzën, me ne ishte edhe një femër që ishte ndërmjetësuese. Tradita e tyre ishte që femra të sjell kafen dhe kështu të njihemi. Unë e prisja me padurim kafenë dhe ndërkohë flisnim për jetën time, pasurinë dhe gjëra të tjera!”, shpjegon Zllatko. „Më në fund erdhi edhe goca. Ishte paksa e rregulluar, por kur më dha dorën, kishte një dorë të vrazhdtë nga puna. Më pyetën a po të pëlqen? Unë thashë po! E pyetën edhe atë, a po të pëlqen djali? Edhe ajo u përgjigj po. Por tani duhej të kërkohej edhe leja e të vëllezërve, madje edhe vëllait që jetonte në Itali, si dhe e prindëve. Në fund të gjithë ishin dakord”.
Para për stoli dhe pasaportë
Traditat në Shqipëri kërkojnë që të lësh para nën filxhan – për të blerë stoli dhe për nxjerrjen e pasaportës. I lashë paratë dhe u ndamë. Në Serbi së shpejti erdhi një vëlla i Verës për të shikuar kushtet e jetës dhe për t’u bindur se nuk kam gënjyer. Më pas kemi bërë dasmën – njëherë në Shqipëri ku kam qenë së bashku me babain. Ndërsa në Serbi Vera ka ardhur përmes rrugëve ilegale, sepse për viza në ambasadë pritej shumë gjatë.
“Sikur të më ketë rëmbyer – Zoti na ruajtë!”, thotë Vera me buzëqeshje dhe me një theks të mirë të gjuhës serbe. Edhe Zllatko është përpjekur të mësojë shqip, por pa sukses. Vera ishte 21 vjeçe kur u martua, ndërsa ai 30. Vera thotë se nuk është ngutur për martesë, por ja që ndodhi. “Unë jam vajzë hasreti dhe nuk kam dashur të martohem e re. Ndërsa tezja më thoshte: „Shiko se djali qenka shumë i mirë, me vete ka marrë edhe babanë dhe shihet që nuk po gënjen. Martesa atje është e njëjtë si këtu dhe atje me siguri që janë të mirë ndaj femrave”. Unë ngulja këmbë që të mos martohem, sepse isha shumë e re”, thotë Vera.
Vera thotë se meshkujt në Shqipëri janë shumë xhelozë, ndonëse ndërkohë pak kanë ndryshuar. Në Serbi megjithatë raportet mes burrit dhe gruas janë shumë më të relaksuara. Ajo punon sot në fabrikën e tekstilit „Sanatex”, ka paratë e veta dhe patentë. Por më të rëndësishmit janë fëmijët.
„Me rëndësi është që edhe femra të thotë mendimin e saj”
Viti i parë në Serbi ishte për Verën shumë i vështirë, sepse nuk dinte asnjë fjalë serbisht. Ajo ishte e vetmuar dhe nuk mund të shoqërohej me askënd, sepse nuk e njihte gjuhën. Asokohe në fshat nuk kishte asnjë shqiptare tjetër. Por tani situata ka ndryshuar dhe kur vjen ndonjë shqiptare, shumë shpejt e mëson gjuhën, falë shoqërimit me femra të tjera. Të gjitha gjërat tjera kanë qenë më të lehta për Verën. Kurorëzimi është bërë në komunë dhe në kishë. Ajo thotë se nuk ka pasur problem kurrë për shkak të origjinës. Traditat serbe i ka pranuar. Familja e viziton shpesh dhe nuk pendohet pse ka ardhur në Serbi. Ajo thotë se edhe të tjera shqiptare mund të vijnë, por me rëndësi është që ato të vijnë vullnetarisht.
Muniqët kanë pasur fat, por jo dhe disa çifte të tjera. Në Serbi ka ndërmjetësues të shumtë që sjellin femra nga Shqipëria dhe djemve u kërkojnë shumë para për t’u gjetur ndonjë nuse. Organizata „Stara Rashka” ka ndërmjetësuar rreth 300 martesa. Ajo organizon shpesh shkuarjen e djemve serbë në Shqipëri apo ardhjen e femrave shqiptare në Serbi. Momir Kovaçeviq thotë se vetëm vitin e parë të punës, „Stara Rashka” ka realizuar 41 martesa mes serbëve me shqiptare. Sjenica është ndër vendet ku realizohen më së shumti martesa. Këtu ka rreth 50 martesa dhe rreth 75 fëmijë të lindur nga femrat shqiptare, shpjegon ai.
Peshteri
Vendi Peshter është një hapësirë me klimë të egër dhe këtu ka shumë shqiptare të ardhura nga Shqipëria. Ne kemi vizituar shumë shtëpi, por askush nuk ishte aty, sepse kishin dalë në fusha apo male për të kullotur bagëtinë. Në një shtëpi takuam Mirën, e cila priste fëmijët të vijnë nga shkolla. Shtëpitë në këtë rajon janë shumë të rralla, larg njëra-tjetrës. Familja ka ca tokë dhe disa kafshë. Burri kujdeset për bagëtinë, ndërsa ajo tërë ditën kujdeset për fëmijët dhe prindërit e burrit. Mira është 37-vjeç, por në fytyrë i shihen gjurmët e vuajtjeve Ajo thotë se është martuar me sugjerim të një shqiptareje tjetër, që ishte martuar në Serbi më parë. “Ajo erdhi me burrin e saj në Shkodër tek familja ime. Familja ime më pyeti – a do të martohesh? Pasi që të gjithë ishin darkod, dikur pranova edhe unë”, shpjegon Mira. Ajo thotë se jeta e saj me tre fëmijë është shumë e vështirë. Burimi i vetëm i ekzistencës janë disa lopë dhe bagëti të tjera. Ajo vjen nga një familje e madhe me tri motra dhe një vëlla. Përmallohet shpesh për familjarët në Shqipëri, sepse atje shkon shumë rrallë. Motra e vogël ende nuk është martuar, por Mira pohon se nuk do t’i sugjeronte që të martohet në Serbi, sepse edhe në Shqipëri ka djem të mirë./DW/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.