Stina e verës ka filluar dhe shumë prej nesh kanë përzgjedhur se ku do t’i kalojnë pushimet. Ndaj, ja se përse mund të jetë e rëndësishme të analizojmë së bashku normat kryesore të sjelljes që duhet të bëjmë në plazh për të qenë gjithmonë të edukuar.
Veshja
Është mirë të shkoni në plazh të veshur në mënyrën e duhur, sidomos nëse deri atje duhet të bëni një copë udhë më këmbë apo me makinë. Në këtë kuptim, është mirë të vishni një bluzë dhe pantallona të shkurtra për meshkujt, dhe një fustan për femrat. Të dilni në rrugë vetëm me rroba banjo është e papranueshme. Edhe këpucët janë një element që nuk duhen lënë pas dore, sidomos nëse do të udhëtoni me makinë. Duhet të jenë të rehatshme dhe të sigurta që të mund t’i jepni makinës pa problem. Me të mbërritur në plash, nëse jeni veshur si më sipër, duhet të zhvisheni në vendet e caktuara, si në tualetin pranë bregut të detit, në atë të lokalit aty pranë, apo poshtë çadrës suaj, në shezlong.
Grimi dhe aksesorët
Thjeshtësi mbi të gjitha. Grimi duhet evituar, por në rast se nuk ndiheni mirë pa u lyer, mund të zgjidhni diçka natyrale duke përdorur vetëm produkte kundër ujit. Mos harroni asnjëherë kapelën dhe syzet e diellit për të mbrojtur fytyrën dhe sytë nga rrezet e diellit. Gjithsesi duhet të keni parasysh se kapelen dhe syzet duhet t’i hiqni në vendet e mbyllura, si lokal apo restorant, sidomos kur bisedoni me ndonjë person.
Celulari
Kush shkon në det kërkon një moment për çlodhje absolute, ndaj në këtë konteks do të ishte më mirë të fikni celularin ose të paktën ta lini pa zile. Në rast se do të merrni telefonata apo dëshironi të bisedoni me dikë, si përballë, si në telefon, do të bëni të mundur që të përdorni një tonalitet të ulët zëri, me qëllim që të mos bezdisni personat e tjerë dhe të mos i bëni pjesëmarrës të bisedave tuaja.
Muzika
Në plazh është e lejuar në maksimum muzika nga pronarët e ambientit, të cilët, gjithsesi, nuk duhet ta lejojnë në të gjitha zonat e plazhit, duke u lejuar atyre që preferojnë qetësinë, të shijojnë sa më mirë ata besojnë çastet e relaksit. Për ata që duan të dëgjojnë muzikë të personalizuar, mund të vënë kufjet dhe të dëgjojnë në qetësi, pa shqetësuar njerëzit rreth e qark.
Në ujë
Në det, ka njerëz që duan të çlodhen duke shijuar masazhin që bëjnë valët, ka nga ata që duan të luajnë e të argëtohen dhe të tjerë që u pëlqen të notojnë. Deti është i të gjithëve, ndaj, në shenjë respekti për të tjerët, secila nga këto praktika është e lejuar. Do të jetë mirë, në këtë këndvështrim, të keni kujdes që t’i lejoni fëmijët të luajnë në breg, me kusht që të jenë të sigurt, të mos shqetësojnë askënd dhe pa monopolizuar hapësira të mëdha. Në këtë mëmurë do të mbetet hapësirë e mjaftueshme edhe për ata që duan thjesht të çlodhen apo për ata që duan të shkojnë më larg me not. Biçikleta uji, varka apo motorët e ujit, duhet të jenë larg plazhistëve dhe duhet të respektojnë normat e sigurisë. Një gjë tjetër e rëndësishme është që të mos hidhni sende personale në ujë, si qese, ambalazh çokollatash apo patatinash, peceta higjienike, lëkura e bërthama frutash. Kjo shërben për higjienën personale tuajën dhe të njerëzve të tjerë. Duhet të kini parasysh se çdo nevojë tjetër personale, nuk duhet bërë në det. As fëmijët dhe sidomos, është ekstremisht e ndaluar për të rriturit. Në lokalet buzë detit ka gjithmonë tualete ku duhet të edukoni fëmijët që sa herë kanë nevoja personale, të shoqëruar me prindin, të shkojnë të mbarojnë punë. Prindërit duhet të japin të parët shembullin e tyre, për të siguruar më pas një shoqëri të edukuar dhe me etikë.
Lokalet dhe zonat e përbashkëta
Siç e përmendëm edhe më sipër, duhet të rrini me rroba banjo vetëm në plazh, ujë apo në shezlongët tuaj. Gjatë shëtitjeve apo nëse doni të pini diçka në lokal, në restorant apo në zonat e përbashkëta të vendit ku do të pushoni, është e nevojshme të keni diçka më shumë veshur. Meshkujt duhet veshin një bluzë, ndërsa femrat mund të mbulohen me një shall apo me një fustan plazhi. Nuk duhet të harroni as shapkat. Nëse do të shkoni në restorant, rregullat e mirësjelljes e edukatës duhen respektuar. Nuk mund të qëndroni në zhveshur në tryezë.
Ushqimi
Nëse vendosi të drekoni nën çadër, mund të konsumoni maksimumi një panine, pak fruta apo ushqime të thjeshta dhe të përgatitur më parë në racione që mund të mbahen në dorë. Duhet të evitoni tenxheret me gjellë. Nëse doni të konsumoni një vakt më të plotë është mirë të shkoni në restorant. Dushi Për respekt ndaj të tjerëve dhe të ambientit, dushin duhet ta bëni shpejt, pa u vonuar dhe duke evituar zhveshjet apo lojërat e kota me ujin. Duhet të keni parasysh se ka dhe njerëz të tjerë që duan të përdorin dushin.
Respekti për të tjerët
Plazhi është një vend që e ndani dhe me të tjerë, ndaj është e rëndësishme të mos pushtoni hapësirën e të tjerëve, të mos i shqetësoni në asnjë mënyrë, të respektoni zonat e lojërave, të evitoni spërkatjen me ujë, të mos shkundni peshqirët e bërë me rërë, të mos vraponi aty ku nuk është e lejuar. Nëse vijnë pranë çadrave shitës ambulantë, drejtojuni atyre me mirësjellje dhe respekt, duke evituar, edhe në këtë rast, skena të panevojshme.
Fëmijët
Më të vegjlit duhet të vëzhgohen vazhdimisht dhe me kujdes nga prindërit dhe duhet të bëni shumë kujdes që me lojërat e tyre të mos bezdisin të tjerët. Përsa i përket veshjes dhe ushqimit duhet të respektojnë të njëjtat rregulla si të rriturit, pasi është shumë e rëndësishme që të mësojnë që në vogëli të kenë disa sjellje dhe rregulla që do t’i më pas do të jenë të natyrshme kur të rriten.
Mbeturinat
Kemi parë shumë shpesh mbeturina në det dhe në rërë. Kjo është e palejueshme. Çdo mbeturinë e hedhur vend e pa vend, në këtë vapë të madhe, bëhet në burim infeksioni, ndaj duhet të jeni shumë të kujdesshëm edhe për mbeturinat. Çdo gjë duhet çuar në vendin e caktuar të mbeturinave duke filluar që nga bishtat e cigareve, çamçakizët, letrat, pecetat, etj. Nëse nuk doni të lëvizni vazhdimisht nga çadra, mund të mbani një qese në mënyrë që të hidhni aty të gjitha mbeturinat e ditës dhe kur të largoheni nga plazhi t ’i çoni më pas në kazanët e plehrave. Nuk ka justifikim dhe shfajësim për ata që bëjnë pis hapësirat publike. Një prind i edukuar edhe në këtë aspekt, mëson dhe fëmijën e tij të sillet njësoj si ai.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.