Të vishemi mirë do të thotë të bëjmë kombinimet e duhura, si në ngjyrë ashtu dhe në stil.
“Çfarë do të vesh sot?” Sa herë ia keni bërë vetes këtë pyetje! Disa femra duket se kanë një shije të lindur në zgjedhjen e veshjeve, por nuk është kështu, thjesht janë edukuar nga televizori apo revistat për shijen e modës, për stilin dhe janë të fiksuara pas tendencave të fundit. Për ato femra që nuk e kanë marrë këtë “edukim” kemi përzgjedhur disa sugjerime se si të vishen në mënyrën e duhur për çdo rast.
Është e vështirë të kuptoni se si të visheni, sepse çdo event mund të karakterizohet nga veshjet që i shkojnë më së miri. Ka nga ato që vishen sipas tendencave të fundit, dhe të tjera që vishen sipas stilit të tyre. Zakonisht këta persona në dollapin e tyre kanë bluza për një intervistë, xhaketa për të shkuar në mbledhje dhe veshje casual për takime. Duke lënë mënjanë këtë mënyrë veshjeje, për të kuptuar se si duhet të vishemi, mund të bëjmë disa dallime shumë praktike.
Së pari, duhet të kuptojmë se ekzistojnë veshje për ditën dhe për në mbrëmje.
- Si të visheni në zyrë
Është e mundur që të visheni me stil në zyrë, në klasë apo në vende të tjera pune. Në punë një grua nuk ka nevojë të jetë e çrregullt. Sigurisht, që nuk mund të vishni një fustan mbrëmjeje, ndaj po ju japim disa këshilla që të bëni një përshtypje të mirë. Për zyrë, veshja ideale përmban elemente klasike për gratë më të pjekura ose veshje të rastësishme për të gjitha moshat. Një shembull? Një triko apo bluzë e kombinuar me xhinse të errëta. Pa harruar një rrip lëkure, çizme dhe një çantë, nga ato praktiket dhe të rehatshmet. Në verë, trikoja mund të zëvendësohet me një këmishë me mëngë.
- Si të visheni gjatë ditës dhe në mbrëmje
A e dini se rregullat për veshje janë dhënë gjithashtu në mënyrën e të sjellurit? Le të fillojmë me aksesorët: perla për ditën, ndërsa rubinë dhe diamantë në mbrëmje. Ngjyrat e fustaneve mund të jenë më neutrale, ndonjëherë edhe pastel. Përveç kësaj, veshjet e ditës janë më të shkurtra se veshjet e mbrëmjes. Për ditën, bon ton përfshin edhe kapele mëngjesi, çaji etj. Kapelet nuk vihen në mbrëmje. Ndërsa palltoja vishet edhe gjatë ditës edhe gjatë mbrëmjes. Manteli i gjatë është më e mirë për fustanet e gjata të mbrëmjes.
- Veshje që nuk dalin nga moda
Ka veshje prej të cilave zor se mund të heqim dorë, që përshtaten përsosmërisht si për vente mondane gjatë ditës, ashtu dhe në mbrëmje. Bëhet fjalë për veshje të cilat mund t’i përdorim pa problem. Ndër këto janë:
- Xhinse, klasike, pak elastike, por jo të çngjyrosura dhe/ose të grisura! Janë perfekte për në mbrëmje dhe gjatë ditës, pasi mund të bëhen edhe elegante edhe sportive, në bazë të aksesorëve dhe pjesës tjetër të veshjes.
- Këmisha të bardha, klasike, me prerje djemsh…nuk ka limite.
- Rrip i zi prej kashmiri
- Golf dhe një kardigan, më mirë nëse është kashmiri ose mëndafshi bezhë ose me ngjyra pastel për ditën.
- Xhaketa që mund të vishen veçanërisht me xhinse.
- Këshilla praktike
- Shfletoni revista mode, vështroni fotot dhe frymëzohuni për blerjet tuaja
- Frymëzohuni nga një model: nëse në botën e spektaklit ka një burrë apo grua me klas që ju pëlqen shumë, frymëzohuni nga veshjet e tyre për të pasuruar gardërobën. Akoma më mirë nëse personi ka një trup të ngjashëm me tuajin.
- Shihni veshjet e vitrinës. Blini komplete si ato që tregohen nëpër vitrina. Zakonisht dyqanet zgjedhin kombinime veshjesh që janë të studiuara mirë, lejoni të tjerët që të bëjnë punën dhe ju thjesht mblidhni frytet.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.