Sëmundjet kronike të veshkave (SKV) janë një problem në mbarë botën, me rezultate të cilat çojnë në insuficiencë renale dhe vdekje të parakohshme. SKV-të prekin afërsisht 195 milionë gra në mbarë botën, dhe aktualisht janë shkaku i tetë i vdekjeve te gratë, me përafërsisht 600.000 vdekje çdo vit.
Rreziku për zhvillim të SKV-ve është i njëjtë, si te burrat ashtu dhe te gratë, por këto të fundit mund ta kenë pak më të lartë. Sipas disa studimeve, SKV-të kanë më tepër gjasa të ndodhin te femrat krahasuar me meshkujt, me një prevalencë mesatare 14 % te femrat dhe 12 % te meshkujt. Megjithatë, numri i femrave që bëjnë dializë apo janë në dializë është më i ulët se numri i meshkujve.
Në Ditën Botërore të Veshkave dhe Ditën Botërore të Gruas, të cilat organizohen në të njëjtën ditë këtë vit, jepet mundësia për të reflektuar mbi rëndësinë e shëndetit të femrave dhe më specifikisht për shëndetin e veshkave. Në përvjetorin e 13-të, Dita Botërore e Veshkave promovon qasje të barabartë e të përballueshme për edukim shëndetësor, kujdes shëndetësor dhe parandalim për sëmundjet e veshkave për të gjitha gratë dhe vajzat në botë.
Si t’i zbulojmë SKV-të?
Fillimet e hershme të SKV-ve nuk kanë shenja të sëmundjes. Individët mund të humbin rreth 90% të funksionit të veshkave pa shfaqje të shenjave klinike. Por mund të zbulohen me anë të një testi të thjeshtë:
Analizë urine për të parë praninë e proteinave në urinë;
Test gjaku për të matur nivelin e kreatininës në gjak.
Shenjat e avancimit të SKV-ve janë:
Këmbë të ënjtura
Lodhje
Vështirësi në përqendrim
Ulje oreksi
Urinë me shkumë.
8 rregullat e arta për të reduktuar rrezikun
Sëmundjet e veshkave janë vrasës të heshtur që ndikojnë në cilësinë e jetesës suaj. Megjithatë, ka disa mënyra të thjeshta për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave.
– Qëndroni në formë dhe bëhuni aktive
– Mbani nën kontroll nivelin e glukozës në gjak
– Monitoroni tensionin arterial
– Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani nën kontroll peshën tuaj
– Konsumoni lëngje të shëndetshme
– Mos pini duhan
– Mos përdorni rregullisht kontraceptivët.
Kontrolloni funksionimin e veshkave tuaja, nëse keni një ose më shumë faktorë të lartë rreziku për SKV:
– Keni diabet
– Keni hipertension arterial
– Jeni obez
– Një nga prindërit ose prej familjarëve vuan nga SKV-të.
Burimi / ata.gov.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.