Mjekët onkologë japin këshilla sesi duhet mbrojtur lëkura nga ekspozimi i tepruar në diell. Dr. Emiljana Huti, mjeke onkologe në Spitalin Amerikan tregon disa nga masat që duhet të marrim përpara se të ekspozohemi në diell, cilat janë personat më të rrezikuar e si duhet të mbrohemi.
Ekzistojnë 3 tipe kryesore të rrezeve Ultra Violet:
• Rrezet UVA- të cilat janë përgjegjëse për plakjen e lëkurës si edhe për dëmtimin DNA e tyre. Këto janë rrezet që me kalimin e moshës bëhen përgjegjëse për dëmtimet e lëkurës si rrudhat, por që luajnë rol të madh edhe në shfaqjen e kancerit të lëkurës.
• Rrezet UVB mund të dëmtojnë direkt DNA e qelizave të lëkurës, dhe janë shkaku kryesor i djegieve nga dielli. Ato gjithashtu mund të shkaktojnë kancer lëkure.
• Rrezet UVC nuk e kalojnë atmosferën tonë dhe nuk shkaktojnë kancer lëkure.
• Sasia e ekspozimit ndaj rrezeve UV te një personi varet nga fortësia e këtyre rrezeve koha gjatë të cilës ekspozohet lëkura ndaj tyre dhe nëse lëkura është e mbrojtur me rroba ose krem kundër diellit.
Të sëmurë nga kanceri i lëkurës ka çdo ditë e më shumë. Prandaj, kjo nuk do të thotë që duhet të mos jemi të kujdesshëm, përkundrazi. Përjashtuar rastet e trashëgimisë, rrezatimi diellor është faktori kryesor qe shkakton kancer ne lëkurë. Kanceri i lëkurës është kanceri më i shpeshtë. Më shumë se 3.5 milion kancere të lëkurës diagnostikohe në vit në SHBA, çka përbën më shumë se të gjitha kanceret të diagnostiuara së bashku. Lajmi i mirë është se ju mund të mbroni veten dhe familjen tuaj nga ky kancer ose ta diagnostikoni atë herët kur mundësitë për tu kuruar janë të mëdha. Shumica e kancereve të lëkurës shkaktohen nga ekspozimi i tepërt nga rrezet ultra violet (UV). Për të diagnostikuar kancerin e lëkurës nuk ju nevojiten ekzaminime të tilla si imazheria apo analiza gjaku-ju nevojiten veç sytë tuaj dhe një pasqyrë.
Çfarë është kanceri i lëkurës?
2 tipet kryesore të kancerit të lëkurës janë bazal dhe skuamoz karcinomat. Është e rëndësishme për mjekët të dallojnë këto dy lloje të kancerit të lëkurës nga njëra tjetra pasi ato trajtohen në mënyra të ndryshme. është gjithashtu shumë e rëndësishme për ju të dini të dalloni shenjat e para të shfaqjes së këtyre karcinomave pasi kjo do të sillte diagnostikimin e hershëm të tyre, kur trajtimi është i plotë dhe i lehtë për tu arritur. Si basal dhe skuamoz karcinomat kanë si karakter- istikë lokalizimin kryesisht në pjesë të ekspozuara të trupit ndaj diellit sic janë koka dhe qafa. Të dy këto karcinoma janë të lidhura ngushtësisht me sasinë e ekspozimit ndaj diellit që një person ka në jetën e tij. Bazal dhe skuamoz karcinomat nuk kanë karakteristikë përhapjen në pjesë të tjera të organizmit por gjithsesi është e rëndësishme diagnostikimi i hershëm i tyre pasi nëse ato nuk trajtohen mund të rriten në përmasa duke invaduar indet dhe organet afër tyre e duke shkaktuar deformime deri në humbje të funksionit të disa pjesëve të trupit.
Karcinoma skuamoze e lëkurës
Kjo lloj karcinomë paraqitet si një nodul e kuqe e fortë me luspa në sipërfaqe, e cila gjakoset shpesh ose formon një kore dhe që nuk shërohet me kalimin e kohës. Lokalizimet më të shpeshta janë në hundë, ballë, veshë, buzën e poshtme,duar dhe në pjesë të tjera të trupit të ekspozuara ndaj diellit. Kjo lloj karcinomë e lëkurës është plotësisht e kurueshme nëse diagnostikohet dhe trajtohet herët. Nëse lihet e patrajtuar dhe paraqitet tek mjeku në stade të avancuara trajtimi varet nga stadi i sëmundjes.
Karcinoma bazoqelizore e lëkurës
Karcinoma bazoqelizore e lëkurës është lloji më i shpeshtë dhe njëkohësisht më lehtë i trajtueshëm i karcinomave të lëkurës. Ajo mund të paraqitet në shumë forma por më së shumti në formën e një papule të ngritur mbi lëkurë, e
gropëzuar në qendër, gjysmë e tejdukshme me vazat e gjakut në sipërfaqe dhe që lokalizohet më së shumti në vesh, qafë dhe fytyrë.
Çfarë janë rrezet ultraviolet (UV)?
Ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet (UV) është një faktor i madh rreziku për zhvillimin e kancerit të lëkurës. Rrezet e diellit janë burimi kryesor i këtyre rrezeve por ato mund të merren edhe nga llampat e ndryshme që përdoren për nxirje të lëkurës. Edhe pse rrezet UV përbëjnë një pjesë të vogël të rrezatimit diellor, ato janë përgjegjëset kryesore të efekteve të dëmshme që shkakton rrezatimi në lëkurë nëpërmjet dëmtimit të DNA se qelizave të lëkurës. Kanceri i lëkurës fillon të zhvillohet kur si rrezultat i këtij dëmtimi qelizat e lëkurës fillojnë të shumohen në mënyrë të pakontrolluar.
Cilët janë personat e rrezikuar të kenë kancer të lëkurës dhe pse?
Ekspozimi ndaj rrezeve te diellit është shkaktari madhor i kancerit të lëkurës. Megjithës çdo njeri nga ne mund të preket nga kjo lloj karcinome më të rrezikuar janë një kategori e caktuar njerëzish, të cilët duhet rrjedhimisht të tregojnë edhe më shumë kujdes ndaj ekspozimit ndaj rrezeve te diellit. Në këtë grup futen:
• Personat me lëkurë të çelët dhe sy me ngjyrë
• Personat me histori familjare për kancer lëkure
• Histori të ekspozimit të shtuar ndaj rrezeve të diellit për një kohë të gjatë ose djegie të herëpashershme nga dielli
• Personat që janë trajtuar me radioterapi
Si mund të mbrohem nga rrezet UV?
Nuk është e nevojshme shmangia në mënyrë absolute nga rrezet e diellit, por ekspozimi pa kriter ndaj diellit duhet evituar. Ekzistojnë disa rregulla të thjeshta që duhen zbatuar për të reduktuar ekspozimin ndaj rrezeve të dëmshme UV. Shumica e njerëzve e lidhin ekspozimin ndaj rrezeve të diellit vetëm kur shkojnë në det apo pishine, ndërkohë që ky ekspozim ndodh cdo ditë sa here ju jeni nën rrezet e diellit. Ndenja në hije dhe mos ekspozimi direkt nën rrezet e diellit është një nga masat me minimale që mund të merret. Nëse për arsye të ndryshme nuk mund ta shmangni të qënurit nën
rrezet e diellit, atëherë ja disa mënyra të thjeshta për të mbrojtur veten nga këto rreze të dëmshme:
• Mbani veshur një bluzë
• Vendosni krem kundra diellit me faktor mbrojtës 30 ose më shumë, duke mos harruar zonën e buzëve dhe veshët
• Vendosni kapele
• Vendosni syze dielli për të mbrojtur sytë dhe lëkurën e ndjeshme rreth tyre.
• Evitoni daljen në diell kur është e mundur në periudhën kohore 10 paradite deri 4 mbasdite. Dhe kini kujdes nëse vini re ndryshimin më të vogël në paraqitjen e lëkurës tuaj ose një plage që nuk mbyllet për një kohë relativisht të gjatë drejtohuni menjëherë mjekut.
(BalkanWeb)
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.