Këto yndyrna të gjakut mund të jenë shenja të një sindrome metabolike, që rrit riskun për të pësuar një atak kardiak apo goditje cerebrale.
Deri kohët e fundit, kur shikohej për riskun kardiovaskular, triglicerideve nuk u kushtohej shumë vëmendje. Nuk ka dyshim që nivelet shumë të larta (1000 mg/dL apo më shumë) mund të shkaktojnë probleme dhe mund të çojnë në pankreatit akut. Studime të fundit sugjerojnë që duhet të punohet me reduktimin e niveleve të triglicerideve nëse ato janë më larta se sa është normale, sidomos nëse keni sëmundje të zemrës apo keni faktorë të tjerë risku si diabeti, tensioni i lartë i gjakut apo duhanpirja.
Një shenjë e sindromës metabolike
Personat me sindromë metabolike kanë disa herë më shumë mundësi që të pësojnë një atak kardiak apo goditje cerebrale. Risku i zhvillimit të diabetit me kalimin e kohës është akoma më i lartë.
Një sindromë është një grup shenjash dhe simptomash që ndodhin bashkë dhe në të njëjtën kohë, për shkak të një problemi shëndetësor. Për sindromën metabolike, ky grup përfshin obezitetin abdominal, tensionin e lartë të gjakut, sheqerin e lartë në gjak, kolesterol i ulët HDL dhe nivelet e larta të triglicerideve.
Kështu, meqë mjekët kanë filluar ta marrin më seriozisht sindromën metabolike, ata kanë filluar t’i kushtojnë më shumë vëmendje niveleve të triglicerideve si një nga shenjat treguese.
HDL dhe trigliceridet janë të lidhura metabolikisht dhe janë shpesh të lidhura ngushtë: Ndërsa trigliceridet rriten, HDL ulet, dhe e kundërta. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Njerëzit mund të kenë trigliceride të larta “të izoluara”, pa nivele të ulëta HDL, dhe studimet tani po tregojnë që trigliceridet e larta janë një faktor risku i pavarur për sëmundje kardiovaskulare, pavarësisht se çfarë është HDL.
Çfarë mund të bëni?
Shumë nga hapat që duhet të bëni për të ulur trigliceridet janë të njëjtët që duhet të bëni për të mbrojtur zemrën dhe shëndetin në përgjithësi.
Nëse jeni mbipeshë, mundohuni të bini disa kilogramë. Bëni ushtrime aerobike në mënyrë të rregullt. Limitoni yndyrnat e ngopura në mish dhe produktet e bulmetit. Kujdes me konsumimin e alkoolit, edhe konsumimi i moderuar mund të çrregullojë nivelet e triglicerideve.
Yndyrnat omega – 3 në kapsulat e vajit të peshkut janë një tjetër mënyrë për uljen e triglicerideve.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.