Mirëqenie

June 7, 2017 | 9:52

Rrisni energjitë në mënyrë natyrore

Origjina e saj është nga Azia, më pas në Indi, nga ku kaloi në Kinë e më pas në Europë rreth viteve 1600. Bima e bizeles është një bimë njëvjeçare. Sot kultivohen rreth 250 lloje të ndryshme bizelesh. Bizelet ashtu si edhe fasulet, thjerrëzat, bathët dhe qiqrat kanë qenë baza e ushqimit për shumë popullsi, të përhapura falë vlerave ushqyese dhe mundësisë për t’u konservuar apo tharë.

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Bizelet përmbajnë më pak ujë se sa perimet e tjera: 72-80% kundrejt 96% të perimeve të tjera. Ato janë të pasura me karbohidrate, proteina, fibra dhe minerale. Tek bizelet karbohidratet janë mesatarisht 12g në 100 g. Bizelet na japin me pak energji, rreth 80 kalori për 100 g

Sot bizelet kultivohen për konsum të freskët, por sidomos për industrinë e konservave: Janë perimet e para të tregtuara në kuti teneqe hermetike dhe nga të parët e industrisë së ngrirjes. Nëse do të blesh bizele të freksëta, duhet të kërkosh për bishtaja që janë të forta, të lëmuara dhe me një ngjyrë të gjelbër të ndezur. Bishtajat që janë me ngjyrë të çelët ose të errët, të verdhë, të bardhë ose me nuance gri nuk duhen blerë. Një eksperiment tjetër për të vërtetuar freskinë e bizeleve është që ndash bishtajën në gjysmë e të dëgjosh atë kërcitjen karakteristike. Bizelet brenda saj duhet të jenë jeshile, të forta dhe të kolme. Vetëm një pëqindje e vogël e bizeleve shiten të freskëta, pjesa tjetër e prodhimit është e ngrirë ose e konservuar. Nëse gjendesh përballë dilemës për të blerë bizele të konservuara ose të ngrira, ajo që duhet të dini është që bizelet e ngrira janë në gjendje të ruajnë, ngjyrën, përmbajtjen dhe shijen më gjatë se ato të konservuara. Studimet e fundit kanë konfirmuar që ngrirja deri në 3 muaj nuk ka asnjë impakt në karakteristikat e veçanta të bizeleve. Ato janë më të freskëta se bizelet e paketuara në konserva por asnjëra prej tyre nuk kanë një jetëgjatësi të pafundme. Bizelet e ngrira që shiten në treg, kanë një afat përdorimi nga 24 në 30 muajsh. Por, rekomandimi i ekspertëve është që bizelet e ngrira të përdoren nga 6 në 12 muaj nga data e paketimit për të përfituar maksimalisht nga freskia e tyre. Sidoqoftë, nuk duhet kurrë të humbësh mundësinë që të provosh ato bizelet e njoma, të sapovjela, që janë më të freskëtat se çfarëdo tjetër. Bizelet janë një burim i pasur i vitaminës K, manganit, fibrës, vitaminës B1, bakrit, vitaminës C, fosforit dhe folatit. Bizelet janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminës B6, niacinës, vitaminës B2, zinkut, proteinës, magnezit, hekurit dhe potasiumit. Bizelet janë të mbushura me përbërës antioksidantë dhe anti inflamatorë. Bizelet dhe legume të tjera janë të njohura për aftësinë e tyre në rregullimin e qarkullimit të gjakut. Të paktë janë ato ushqime që na japin një sasi bujare të proteinave dhe fibrës siç është bizelja. Në 10 gramë bizele gjen proteina dhe fibra me bollëk që na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë me tretjen. Bizelet gjithashtu ndihmojnë duke mbajtur nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll. Nëse i shton bizelet në dietën tënde të pasur me fibra, atëherë ke arritur të shtosh përfitimet që merr prej saj. Konsumimi i rregullit i përbërësve antioksidantë na ndihmon të parandalojmë stresin kronik dhe inflamacionin, por mbi të gjitha edhe të parandalojmë diabetin.

1

Bizelet janë të pasura me proteina si dhe përmbajnë vitamina dhe minerale të shumëllojshme. Bizelet ndryshojnë nga fasulet. Ato kanë përmbajtje më të lartë kalciumi dhe fosfori, por kanë nivele të ngjashme me fasulen të proteinave dhe karbohidrateve. Përmbajtja e fibrave te bizelja i siguron trupit nivele më të ulëta kolesteroli, duke i bërë ato një ushqim të mirë për personat me dietë. Bizelet mund të përdoren më vete apo si pjesë përbërëse e gatimeve të ndryshme. Bizelet janë perime shumë të ushqyeshme pasi përmbajnë shumicën e vitaminave të grupit B, të cilat shërbejnë për të përmirësuar metabolizimin e karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave. Ato janë të pasura me vitamin B1 apo thiamin. Bizelet janë plot acid folik dhe një burim i mirë i riboflavinës, niacinës dhe piridoksinës. Bizelet përmbajnë gjithashtu nivele të larta të vitaminës A, C dhe K. Shumë kalcium, magnez, mangan, zink, bakër, hekur dhe kalium. Përmbajnë shumë proteina, dhe duke qenë se kanë proteina të një cilësie të mirë, mund të bëhen zëvendësuese të mishit nëse konsumohen në sasi të njëjtë me të. Janë burimi më i mirë i fibrave të tretshme dhe kanë nivel shumë të ulët yndyre.

Vlerat ushqimore që bizelet i shtojnë trupit të njeriut varen gjithashtu nga sasia e përdorur për konsum. Këtu më poshtë janë listuar vlerat ushqimore të bizeleve në një racion prej 100 gramësh.

  • Fibra 5.1 g
  • Proteina 5.4 g
  • Fosfor 108 mg
  • Yndyrna 0.4 g
  • Vitaminë A 38 μg
  • Beta-karoten 449 μg
  • Vitamin B1 0.3 mg
  • Vitaminë B2 0.1 mg
  • Vitaminë B3 2.1 mg
  • Vitaminë B5 0.1 mg
  • Vitaminë B6 0.2 mg
  • Vitaminë B9 65 μg
  • Vitaminë C 40.0 mg
  • Karbohidrate 14.5 g
  • Energji 80 kcal (340 kJ)

Bizelet e freskëta mund të përmbajnë vlera të ndryshme ushqimore nga bizelet e thara apo të konservuara. Bizelet e thara përmbajnë më shumë kalori për shkak të mungesës së ujit.

Nga konsumimi i bizeleve mund të përfitojë aparati tretës si dhe të përmirësohet shëndeti i kockave. Bizelet përmbajnë 5.1 gram fibra për 100 gram kokrra. Përmbajtja e sasive të duhura të fibrave në dietë është e rëndësishme jo vetëm për të përmirësuar aftësinë që ka trupi për të mbajtur të ulëta nivelet e kolesterolit, por dhe për të frenuar urinë që mund të vijë ndërmjet vakteve. Burimi i mirë i fibrave te bizelja përmirëson efikasitetin e aparatit tretës dhe aftësitë absorbuese të trupit për elementë ushqyes. Vitamina K që gjendet në këtë perime thuhet se është në gjendje të ndihmojë në funksionimin e mirë të masës kockore. Ajo mund ta arrijë këtë nëpërmjet përmirësimit të aktivitetit te kockave.

Ajo që i bën bizelet kaq të shëndetshme është roli që ato luajnë në forcimin e sistemit imunitar. Përmbajta e vitaminës A në këtë perime është afërsisht sa 22 % e nevojave ditore të trupit për këtë vitaminë. Duke e përfshirë këtë perime sa më shpesh në gatimet e përditshme, njerëzit mund të ndihmojnë aftësitë natyrore të trupit për t’u ruajtur nga sëmundjet. Hekuri dhe vitamina C që gjenden në këtë perime luajnë gjithashtu rol në forcimin e sistemit imunitar dhe ndihmojnë funksionimin e tij. Antioksidantët e gjendur në këtë perime ngadalësojnë procesin e plakjes.

Bizelet përmbajnë një sasi të lartë vitaminash B, si dhe antioksidantë unikë, që mund të ndihmojnë me rezistencën e lartë gjatë stërvitjes apo aktiviteteve të tjera. Kështu, nëse jeni të interesuar të rrisni energjitë në mënyrë natyrore, pa përdorimin e suplementeve, ngrënia e këtij ushqimi do të ishte posaçërisht për këtë punë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top