Psikofakt

February 2, 2016 | 10:10

Rrjete apo rrjeta?

MondiNga Edmond Tupja

Historia e njeriut, të paktën ajo e njeriut të qytetëruar, është histori kalimesh: kalime nga padija në dije, nga mosinformimi në informim, nga moskomunikimi në komunikim. Komunikimi sot është kryefjala e botës moderne apo postmoderne, pra e botës së globalizuar. Dikur, para disa shekujsh, kur binte, për shembull, gripi i tmerrshëm i Hongkongut diku në Kinë, duheshin muaj që lajmi të vinte në Europë, kur binte një tërmet shkatërrimtar në Kili, duheshin muaj gjithashtu që lajmi të kapërcente oqeanin Atlantik etj., etj. Në shekullin XX, me përsosjen e mjeteve të komunikimit masiv (telegraf, telefon, radio, televizion, kompjuter) dhe sidomos në këtë shekull që po jetojmë e përjetojmë intensivisht, falë mundësive që na sigurojnë shpejt, mirë e relativisht lirë Interneti dhe rrjetet sociale, arrijmë të informohemi jo vetëm duke lexuar e dëgjuar, por edhe duke folur e duke u parë me njëri/a-tjetrin/ën. Gjithsesi, njeriu modern apo postmodern po përballet, sipas mendimit të jo pak psikologëve e sociologëve, me tri probleme serioze që mund të konsiderohen pasoja, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të përdorimit masiv të Internetit e, në veçanti, të rrjeteve sociale.

Së pari, po gjen përherë e më shumë mbështetje teza sipas së cilës informimi i tepërt rrezikon ta vrasë informimin e mirëfilltë ose ta shtrembërojë atë: a nuk ndeshim në Internet të dhëna herë pas here kontradiktore lidhur me tema nga më të ndryshmet? A nuk rrezikojmë shëndetin tonë jo vetëm trupor, por edhe mendor kur, për shembull, pasi lexojmë në Internet për këtë apo atë sëmundje, ndjekim këshilla, po në Internet, lidhur me kurimin e tyre pa u konsultuar paraprakisht me mjekun specialist?

Së dyti, a nuk hasim në Internet edhe të pavërteta përkrah të vërtetave? A nuk rrezikojmë të biem pre e mashtruesve, e keqbërësve (shpërndarës droge, pedofilë, tutorë prostitucioni) dhe e ideologjive ekstremiste a terroriste, siç po e dëshmojnë sa vjen e më shpesh ngjarjet e viteve të fundit?

Së treti, a nuk shpenzojmë me tepri e pavetëdije (ose mendjelehtësi) një kohë të çmuar duke komunikuar me shkrim, fotografi e figurë në rrjetet sociale? A nuk dihen tashmë disa pasoja negative të Facebook-ut, si për shembull tensionet e ngatërresat që krijohen jo rrallëherë midis shokësh e miqsh? Mos vallë Facebook-u po kthehet (në mos është kthyer tashmë) në një institucion edhe thashethemesh e shfryrjesh mllefi, që nganjëherë kanë shpënë edhe në drama të individëve, të çifteve apo të familjeve? A nuk na detyrojnë rrjetet sociale, në njëfarë mënyre, të lexojmë përciptazi atë që na propozojnë të tjerët, çka na shtyn si pa u ndier të anashkalojmë kështu leximin e vërtetë, që bëhet në vetmi, në qetësi, jashtë çdo trysnie përveç asaj të kureshtjes e të ndjeshmërisë vetjake, duke na penguar të pasurojmë intelektualisht vetveten e të zhvillojmë lirisht personalitetin tonë? Le të pyesim, pra, me kurajë e ndershmëri intelektuale: Mos vallë rrjetet sociale po kthehen në rrjeta sociale ku një ditë do ta shohim veten të ngecur si peshq naivë e mjeranë?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top