Të gjithë jemi të përfshirë nga rrjetet sociale në një formë apo tjetër, nëse jemi adoleshentë apo i përkasim moshës së rritur, nëse jemi ministra dhe profesorë apo ndoshta edhe shtëpiakë. Rrjetet sociale përshijnë dhe tërheqin këdo, lidhin njerëz në të gjitha anët e globit.
1. Vlerësim
Ne kërkojmë gjithmonë të pranohemi dhe rrjetet sociale sapo na e kanë plotësuar këtë dëshirë në formën e pëlqimeve dhe pranimeve. Duke kërkuar vlerësim online është një rrezik, sepse kjo bën që të heqim dorë nga fuqia jonë për të afirmuar veten edhe më shumë, dhe për të nxjerrë në dukje aftësitë tona, sepse në këtë mënyrë i japim më shumë vlerë pamjes së jashtme dhe jo ndjenjës dhe emocioneve tona. Është shumë më thjeshtë të ulesh pas një ekrani kompjuteri apo telefoni e të shkruash dhe ta përshkruash vetën ashtu si dëshiron.
2.Krahasimi
Kur shohim të tjerët dhe arritjet e tyre, te shumë prej nesh fillon të zgjohet zilia dhe krahasimi. Shikojmë fotot e hedhura dhe mendojmë se ata po kënaqen shumë, janë të lumtur, kanë të ardhura ekonomike, kanë dashuri, arritje e kështu me rradhë e vazhdojmë zgjatimin e zinxhirit sipas dëshirës dhe imagjinatës sonë. “Sa mirë që jetoni ju këtu”, më thotë dikush që punonte në Gjermani. “Dukeni nga fotot në facebook”.
Sa janë të vërteta ato momente të hedhura dhe të përpunuara në këtë botë viruale, askush nuk është në gjendje ta kuptojë, prandaj besoj se ia vlen më shumë që të mos e gjykojmë veten aq shumë dhe të ndalojmë së krahasuari me të tjerët!
3. Hidhërim
Na ndodh që të mërzitemi kur shohim diçka dhe i japim interpretimin që ne kuptojmë. Sa herë na ka ndodhur që të lexojmë një status diku dhe të mërzitemi, të shohim një mik apo shok/shoqe me dikë tjetër dhe të kemi ngrysur vetullat se përse nuk jemi edhe ne aty, se përse e ka hedhur si foto apo për të na dhënë një mesazh jo të drejtpërdrejtë. Sa herë jemi bërë – kemi bërë xheloz dikë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale? A ia vlen e gjithë kjo mërziti, që në shumicën e rasteve nuk është reale?
4. Kujdesi rreth gjërave të gabuara
Ne i japim më shumë kujdes dhe vëmendje se si do të mund të dalim më bukur në foto dhe se sa shumë do të na pëlqejnë në instagram dhe jo momentin real në të cilën ndodhemi. Ne po harrojmë të jetojmë botën reale, të mbajmë disa kujtime dhe momente vetëm për vete, t’i mbajmë dhe t’i ruajmë në botën tonë intime. I kam zili njerëzit të cilët shijojnë vendin, çastet, momentet, njerëzit me të cilët ndodhen (ndoshta edhe momentet e qetësisë me veten) se ata të cilët janë gjatë gjithë kohës duke u përpjekur të ta nxjerrin përjetimin ashtu si do t’ju pëlqente të tjerëve më shumë. Pra jetojmë se “çfarë do të thonë” dhe jo çfarë duam.
5. Rrëmuja
Dikur lexoheshin librat, më pas kaluam te paragrafët në internet, ndërsa tani jemi duke përfunduar të lexojmë vetëm lista dhe informacion me pika të cilat i kanë përzgjedhur të tjerët. Të ndash të vlefshmen dhe të marrësh një informacion i cili të serviret, nuk është më i vlefshëm për ne. Nuk po mundemi të përzgjedhim informacionin sipas gjykimit që kemi për situatat dhe njerëzit, sepse po na seviret informacion i gatshëm.
6. Miqësitë
Jemi duke humbur miqtë dhe njerëzit tanë. Po përtojmë t’i marrim në telefon apo t’i takojmë diku, sepse gjejmë rrugën më të shkurtër: hyjmë në profilin e tyre dhe mësojmë gjithçka. Mësojmë ato që na ka dhënë dhe na lejojnë të shohim. Nëse bëhemi kurioz, i shkruajmë një koment ose hyjmë të posta e vet dhe i dërgojmë një përshëndetje sa për t’i treguar se e kujtuam. Shkruajmë dhe e lëmë për takim, i cili ndoshta nuk realizohet asnjëherë. Kështu po shmangemi nga qënia njerëzore dhe nuk po jetojmë dot pa telefonin, i cili është mjeti nëpërmjet të cilit lidhemi me realitetin.
7. Humbje kohe
Koha është e vlefshme dhe nuk ia vlen ta humbim dhe ta shpenzojmë atë me njerëz dhe ndërveprime që nuk na japin asgjë. Mediat sociale na detyrojnë ta humbim kohën me aktivitete të pavlera dhe është më mirë që atë kohë ta dhurojmë aty ku ka vlerë dhe ku do të na bënte ne dhe të tjerët të lumtur.
8. Izolimi
Në mediat sociale jemi në një botë brenda një bote, sepse është e lehtë për të mbyllur veten dhe për ta lënë jashtë nga ndërveprimi, sepse ne besojmë se bashkëveprimi në internet është i mjaftueshëm. Është e lehtë të mos shohim njerëzit gjatë gjithë ditës, por t’i shikojmë ata online. Kështu rrjetet sociale po na bëjnë më të izoluar dhe po na largojnë nga bukuria e emocioneve që mund të na e dhurojë vetëm qënia njerëzore.
Për ta përmbyllur dua të shtoj diçka: sa herë që më thotë dikush se nuk ka facebook, më imponon akoma më shumë respekt, ndoshta ky është një perceptim i imi për njerëzit të cilët gjejnë më shumë kohë për t’u marrë me realitetin se të shpenzojnë kohën në një botë jo reale. (Unë vazhdoj të kem facebook) edhe pse është një rrugë të cilës nuk do mund t’i shmangemi dot dhe as nuk e dimë se ku do të na çojë!).
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.