Në fokus

April 3, 2019 | 8:20

Rruga drejt dijes kalon nga shkolla

Përse shkolla është kaq e rëndësishme? Pa dyshim, të gjithë fëmijët e bëjnë këtë pyetje. Do të preferonin më mirë të qëndronin ngrohtë në shtëpi, nën batanije ose do të donin të luanin gjithë ditën me lodrat e tyre. Duke u rritur do të ndjejnë keqardhje për orët e kaluara në shkollë, do të kujtojnë miqësitë, përvojat e nuk do të mendojnë vetëm për detyrat. Marrëdhënia me mësuesit dhe me shokët do të përfaqësojë për ta hyrjen në botën sociale.

Ndër institucionet kryesore gjejmë edhe shkollën, një vend ku fëmijët, që të vegjël, duhen të përballen me një rrugë formuese të gjatë dhe sfiduese. Krahasuar me ciklin e parë e të dytë të shkollës, në universitet nevojitet një nivel i lartë angazhimi e përqendrimi. Gjatë këtyre viteve shkollore të rinjtë marrin një kulturë të përgjithshme, mësojnë si të lidhen me të tjerët, por mbi të gjitha si të jetojnë.

Në shkollë të rinjtë krijojnë “valixhen” e jetës, të cilën e pasurojnë përgjatë viteve. Dhe nëse nuk doni të jeni të pashkolluar ose nëse doni të bëni diçka serioze në të ardhmen, atëherë duhet të mësoni me angazhim dhe vendosmëri. Shkolla është e dobishme për të rinjtë, të cilët janë të bindur se studimi u shërben që të kenë një kulturë për të realizuar ëndrrat e tyre, e për rrjedhojë, për të kryer punën që është e denjë për kulturën e tyre.

Në këtë mjedis, mësuesit janë njerëz të kualifikuar, i ndihmojnë nxënësit në rritjen e tyre kulturore dhe kanë një detyrë themelore: të shtyjnë të rinjtë që secili prej tyre të formojë “valixhen” e vet. Për të fituar besimin e nxënësve të tij, mësuesi duhet të shihet, para së gjithash, si një person mikpritës dhe gati që të jetë në dispozicion, në rast se nxënësi nuk ka kuptuar një argument të caktuar dhe të japë të gjitha përgjigjet për probleme të ndryshme me të cilat mund të ndeshet. Nga ana e tij, që nxënësi të sigurojë besimin e mësuesit, duhet të dijë se si të sillet me të dhe ta respektojë. Nëse nuk i kushton vëmendje mësimeve, shpërqendrohet vazhdimisht dhe bezdis mësuesin e nxënësit e tjerë. Në këtë mënyrë, nuk bën asgjë tjetër, veçse përkeqëson situatën e tij dhe merr vetëm qortime.

Në shoqërinë e sotme shkolla është e rëndësishme, për të pasur një arsim dhe edukim të mirë. Për më tepër, ju siguron kulturën dhe dijet e nevojshme për rrugëtimin tuaj, nga nxënës në të rritur. Imagjinoni sikur jeni në mes të një stuhie shiu. Është e vështirë të mbijetosh, dhe e vetmja gjë që mund të bëni është të largoheni e të strukeni diku, deri sa stuhia të kalojë. Era nuk ju lë të merrni frymë dhe mezi ia dilni që të mos lageni. Për të dalë nga aty ku jeni strukur duhet të mprehni më fort shikimin e të gjeni më në fund një vend ku të fshiheni deri sa stuhia të fashitet. Në këtë këndvështrim, disa njerëz e shohin shkollën si një stuhi e madhe, dhe ashtu të pambrojtur, dalin jashtë duke mos e pranuar se janë “lagur”. Megjithatë, na befason shumë fakti kur kuptojmë se jo gjithçka është siç e imagjinojmë.

Një prej arsyeve se pse duhet ta vlerësojmë shkollën është vetë-edukimi që ajo na jep, dhe falë informacioneve që marrim aty, na bën aleatë të vërtetë të qëllimeve tona, që mund t’i realizojmë në të ardhmen. Dhe i gjithë ky rrugëtim na hap dyert e botës së punës. Shkolla trajton e zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë që kemi në vetvete, duke trajtuar tema të ndryshme, të cilat lidhen me bashkëjetesën momentale të karaktereve të ndryshme, sfida drejt së panjohurës, bashkëveprimi me njerëz të tjerë, sfida për të marrë një notë të mirë.

Në fakt, shkolla na jep një mësim jete shumë të rëndësishëm: na mëson se si t’ia dalim mbanë vetëm. Pavarësisht analogjive të ndryshme, ka një arsye tjetër që na shtyn të shkojmë në shkollë: kurioziteti për të mësuar gjëra të reja që as nuk e dinim se ekzistonin. Sa shumë kuriozitete mund të mësoni, që lidhen me lëndën e historisë apo me një lëndë ku jeni me rezultate të mira! Nëse e mendoni me kujdes këtë aspekt, do të keni shtysën për të dhënë më të mirën kur të shkoni në shkollë. Të qëndruarit mbi libra ushtron mendjen në ato mësime, të dobishme për trajnimin e trurit. Në të vërtetë shkolla ju mëson shumë në këtë këndvështrim, duke vënë përpara jush detyra dhe ushtrime që testojnë inteligjencën tuaj të jashtëzakonshme.

Ne kurrë nuk do të rreshtim së mësuari, edhe pasi të kemi mbaruar shkollën, dhe bashkë me këto mësime do të sjellim me vete një bagazh të madh kulturor. Arsyeja për të shkuar në shkollë është se duhet të rrethohemi nga të gjitha informacionet e dobishme që kanë të bëjnë me botën rreth nesh dhe të ligjeve që duhet të respektojmë, në mënyrë që të jemi gjithmonë të përgatitur dhe të vëmendshëm. Aktivitetet shkollore që vetë shkolla i propozon, janë një tjetër arsye pse duhet ta doni shkollën. Udhëtime, kohë e lirë, sa gjëra do të mbeten në kujtimet tuaja, që vështirë se do t’i harroni kur të kalojnë vitet e të jeni në moshë madhore.

Konsiderojini vitet e kaluara në shkollë si një trofe i vërtetë, që do ta nxirrni në pah kur të merrni një notë të mirë apo kur të arrini një rezultat të shkëlqyer pas shumë përpjekjesh për të mësuar sa më shumë. A nuk është një kënaqësi e madhe? E gjithë kjo do t’ju krijojë një ndjenjë sigurie. Një arsye tjetër, po aq e rëndësishme, është se në shkollë do të takoheni me njerëz që nesër do të pasqyrojnë kolegët tuaj të ardhshëm në punë. Është shumë e rëndësishme, pra, të bëni përvojat e jetës, duke filluar që nga shkolla.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm se përse duhet të shkoni në shkollë është se duhet të tregoni respekt të thellë për ata që mundohen t’ju japin arsimimin shkollor. Qofshin ata prindër ose profesorë, gjëja që duhet të keni parasysh është se këta njerëz përpiqen t’ju japin njohuri e dije të sakta! Një arsye e fundit është miqësia me shokët. Shumica prej tyre do jenë miqtë tuaj përgjithmonë. Nuk ka rëndësi se kush është, e rëndësishme është të rrini së bashku dhe të luftoni për objektivat që vetëm në shkollë mund t’i arrini!

Me siguri ju kujtohet përshkrimi mbi stuhinë në krye të këtij shkrimi, dhe është interesante të dini se nga të gjitha ato skena, vetëm njëra paraqet atë që shkolla realisht është: nuk është stuhia, as shiu me rrebesh! Në atë histori shkolla përfaqëson vetëm fjalën “strehë”.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top