Psikofakt

November 17, 2016 | 8:50

Rrugëtimi i “Bukës”

Nga Vilma Hodo

Nga Vilma Hodo, aktore

“BUKA” është filmi i parë, i një prej regjisoreve të reja më premtuese të brezit të ri të regjisorëve shqiptarë. Cilësim ky i mbështetur natyrshëm tek rrugëtimi i suksesshëm në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare. Blerta Kelmendi është vetëm 22 vjeç, por tek sheh dhe percepton filmin e saj bindesh për pjekurinë emocionale dhe intelektuale, tipike për talentet. “BUKA” do të ishte “provimi final” i diplomimit të saj në Universitetin e Arteve për Regji Filmi. Por si një talent, që kohën dhe frymëzimin nuk e lë të humbas, ajo do të punonte fort, me disiplinë dhe më gjithë shpirt për të realizuar veprën e saj të parë të vërtetë. Ende në proces përgatitjesh, filmi mori mbështetje nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Mbledhja e një ekipi profesionistësh dhe mbështetja e pakursyer e regjisorit të mirënjohur Bujar Alimani dhe producentes, Tefta Bejko  do sillte ditën e rëndësishme, xhirimin e filmit. Ditë dhe net të gjata pune do ta sillnin ekipin  në ditën e xhirimit për të finalizuar “dashurinë e parë” të Blertës.

“BUKA” përfundoi xhirimet. Ekipi i punës me profesionalizëm të lartë dhe një kast aktorësh të jashtëzakonshëm, të cilët ishin të duhurit për filmin “BUKA”. Rikthimi në ekranin e kinemasë të aktores brilante Hajrie RONDO dhe aktori i mirënjohur Ligoraq TUSHE.

1

Investimi dhe dashuria që ishte derdhur tek “BUKA” e Blerta Kelmendit do ta shkëpuste atë përfundimisht nga cilësimi “filmi i diplomës”.Por, përzgjedhja në Festivalin Ndërkombëtar “Drama International Short Film Festival” në Greqi do ta firmoste këtë fakt. Filmi “BUKA” ishte i vetmi film i shkurtër që fliste shqip, duke prezantuar Shqipërinë në Festival. Filmi pati “screening” “shfaqje” në 17 shtator 2015 dhe ishte pjesë e kompeticionit zyrtar të Festivalit. Ky kompeticion i parë ndërkombëtar do të shënjonte rrugëtimin e “BUKËS”.

Regjisorja Blerta Kelmendi

Regjisorja Blerta Kelmendi

Publikimi në media se disa filma nga Shqipëria përfshirë dhe filmin “BUKA”  ishin përzgjedhur në Short Film Corner  e “do të shkonin në Kanë” e distancuan Blertën nga zhurmat mediatike të atyre ditëve. U përpoq të fliste me disa gazetarë për t’i bërë të qartë se Short Film Corner nuk është një kompeticion, është një “market i madh me filma” ku t’i paguan një tarifë që filmi yt të vendoset në këtë “market” e të mund të shihet nga gjithkush që hynë në “market” ka interes dhe klikon ta shoh. Ftesave të emisioneve, intervistave në gazeta, delireve nëpër kafene Blerta vendosi t’i refuzonte, sepse ajo e kishte të qartë çfarë ishte Short Film Corner për filmin e saj “Buka”. Ëndrrat me Festivalin e Kanës, ajo nuk i shihte me sy hapur…

Me durim dhe heshtje talenti vazhdonte procedurat e aplikimeve për kompeticione të mirëfillta ndërkombëtare. Nëpërmjet aplikimit online me CV-në dhe filmit “BUKA”, ajo përzgjidhet në edicionin e 10-të programit “Talents Sarajevo” në Sarajevo Film Festival. (12- 20 gusht 2016). Një eksperiencë cilësore profesionale për të dhe rrugëtimin e saj. Një mundësi për njohje e bashkëpunime në të ardhmen më kolegë të saj nga e gjithë bota. Një program cilësor në funksion të Kineastëve të ardhshëm talent.

Një muaj më pas “BUKA “ do të përzgjidhet në Albanian Film Week në New York. Dita kur filmi kishte “screening” “shfaqje” në New York,  Blerta nuk mundi të ishte atje për shkak të refuzimit të vizës. Por trishtimin e mungesës në shfaqjen e filmit të saj do e zhdukte çmimi për “kamerën më të mirë” për filmin “BUKA” në Albanian Film Week në New York. Kompeticionet e mirëfillta do e ndiqnin filmin “BUKA” dhe jo rastësisht. “BUKA” me regji nga Blerta Kelmendi së bashku me filmin “Biseda” nga Gledis Bica u përzgjodhën në edicionin e 14-të të” Mediterranean Short Film Festival of Tangier” në Marok. Të dy këto filma të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë përfaqësuan Shqipërinë në këtë festival nga 10-15 tetor 2016.

Tashmë  filmi “BUKA “ ka një identitet të tijin falë këtij rrugëtimi. Publiku ynë kanë nevojë për një film si “BUKA”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top