Dëshmi

June 28, 2025 | 9:30

Ruajtja e identitetit përmes gjuhës/ Alketa Burimi, një mësuese e shqipes në zemër të Floridës

Nga Orjona Tresa

Në rrugëtimin e saj nga atdheu drejt brigjeve të diellta të Floridës, Alketa Burimi nuk mori me vete vetëm kujtimet dhe mallin për vendin, por edhe një pasion të thellë për gjuhën shqipe, një ndjenjë që me kohën u kthye në mision. Fillimisht hezitoi, me mendimin se ndoshta nuk ishte ajo personi i duhur për të marrë përsipër mësimdhënien e shqipes në një vend të huaj. Por një vështrim i fëmijëve, një shqiptim i thjeshtë me theks të huaj, ndezi dritën brenda saj: “Po, unë jam e duhura,” – i tha vetes.

E vendosur që fjala shqipe të mos mbetet vetëm një jehonë në shtëpitë e emigrantëve, Alketa ndërtoi vetë një metodë didaktike, një urë të ngrohtë mes brezit të ri dhe rrënjëve të tyre gjuhësore. Në duart e saj, germat nuk janë më thjesht simbole, ato janë tinguj që mbartin emocione, lidhje dhe kujtesë. Me poezi popullore, këngë, lojëra, fletore të krijuara me dorë dhe dashuri të palodhur, ajo e kthen mësimin në një përvojë të gjallë e të prekshme. Gjuha në klasën e Alketës është gjallëri, është lojë, është kujtim, është kthim në shtëpi përmes një fjalie të thjeshtë shqip. Ajo nuk u mëson fëmijëve thjesht të flasin, por t’ia ndiejnë gjuhës shqipe melodinë, ngjyrën, aromën, rrënjët. Dhe çdo buzëqeshje kur thonë një fjali të plotë shqip është për të një dritë konfirmimi se është aty ku duhet të jetë, duke ndërtuar ura mes brezave dhe ruajtur një pjesë të shpirtit shqiptar në tokë të huaj.

Historia e Alketës është dëshmi se malli për vendin mund të kthehet në vepër të bukur, në përkushtim që frymëzon. Një grua me formim në ekonomi dhe përvojë në administratë, që zbuloi në vetvete një mësuese të gjuhës, një ruajtëse të identitetit, një mbrojtëse të butë të fjalës shqipe që, falë saj, po shqiptohet gjithnjë e më qartë nga zërat e fëmijëve tanë në diasporë.

 

INTERVISTA

alketa-burimi

Çfarë do të thotë të nisësh mësimdhënien e shqipes në Shtetet e Bashkuara?

Në momentin e parë kur m’u ofrua kjo mundësi, thashë me vete: “Nuk jam unë e duhura.” Por pastaj pashë sytë e fëmijëve, dëgjova zërat e tyre që shqiptonin fjalë gjysmë-shqip, me theks anglisht, dhe diçka në mua u ndriçua. Thashë: “Po, unë jam e duhura.” Të nisësh këtë rrugëtim është si të hapësh një dritare drejt një dashurie të lashtë. Megjithëse sapo ka filluar udhëtimi im si mësuese e shqipes në diasporë, me nisjen e mësimit në Shkollën Shqipe në Naples Florida, ndjej se kjo nuk është thjesht një punë, është një thirrje nga rrënjët tona, një përgjigje ndaj nevojës për të mos harruar kush jemi. Është një hap i vogël në pamje, por me një rezonancë të thellë për të ardhmen.

 

Sa shpirt dhe përkushtim kërkon të nisësh këtë mision me fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë?

Kërkon shpirtin e të gjithin. Ata duan përqafimin, buzëqeshjen, dhe ndonjëherë, që të bëhesh “si ata” për t’i afruar me më shumë butësi. Fëmijët që lindin këtu, në një realitet të dytë, nuk ndjejnë menjëherë mungesën e gjuhës së të parëve. Pikërisht për këtë arsye, gjuha nuk duhet imponuar, ajo duhet dhënë me dashuri. Kam zgjedhur ta mbjell me butësi, me ngjyra dhe ndjeshmëri, që ajo të mbijë jo vetëm në mendje, por në zemër. Dhe zemra e tyre flet shqip.

 

Çfarë do të thotë për këta fëmijë të mësojnë gjuhën amtare në një vend të huaj?

Gjuha amtare është një urë e padukshme që i lidh me kujtesën, me gjyshërit, me historinë, me emrin e tyre të vërtetë, me gjakun që na thërret. Në klasë shpesh i ngacmoj me pyetje për origjinën, për emrat e gjyshërve, për fshatrat apo qytetet nga vijnë, për ushqimet që nëna u gatuan. Dhe ajo që më prek thellë është interesi i madh që tregojnë vetë fëmijët për të mësuar shqip. Ata pyesin, duan të dinë, duan të provojnë ta flasin. Edhe nëse sot nuk e kuptojnë plotësisht vlerën, unë besoj se një ditë do ta kuptojnë. Sepse në një moment të jetës, secili ka nevojë të dijë nga vjen, dhe gjuha është çelësi.

shkolla-shqipe-naples-ok

Si po e siguroni literaturën për mësimdhënie?

Duke qenë në fillim të këtij rrugëtimi, jam përballur me mungesën e teksteve të përshtatura për fëmijët e diasporës. Kam filluar me materiale të thjeshta: fletore që krijoj vetë, poezi popullore, alfabetin, lojëra gjuhësore dhe këngë tradicionale. Çdo gjë që mund të ngjallë kureshtjen dhe dashurinë për gjuhën. Po ndërtoj një bazë të vogël, që do të rritet me kohën, ashtu si shkolla jonë.

 

A e keni ushtruar këtë profesion më parë në Shqipëri?

Jo, dhe kjo është surpriza më e bukur për mua. Nuk e kisha menduar, por në thellësinë time e ndjeja se kjo ishte ajo që mund të bëja më mirë në jetë. Jam diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe kam përfunduar Masterin në Financë pranë Universitetit të Tiranës. Kam punuar në administratën e Bashkisë së Tiranës, me përkushtim të palëkundur dhe me ndjenjën e thellë të detyrimit moral ndaj komunitetit. Por jeta është sfiduese në udhëtimin e saj. Pasioni për artin, letërsinë dhe edukimin më udhëhoqi drejt një misioni të ri: ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj që rriten në mërgim.

shkolla-shqipe-naples3

Me cilat vështirësi jeni përballur në këtë fillim, dhe si po ia dilni?

Vështirësia më e madhe ka qenë organizimi i gjithçkaje nga fillimi: ndërtimi i programit, sigurimi i literaturës, komunikimi me prindërit dhe krijimi i një strukture të qëndrueshme. Por besimi im është i madh. Entuziazmi i fëmijëve, buzëqeshja e tyre kur arrijnë të thonë një fjali të plotë shqip, janë forca që të japin zemër. Ato janë drita që më thonë se jam në rrugën e duhur.

shkolla-shqipe-naples1

Çfarë shpresoni për të ardhmen e kësaj shkolle dhe të nxënësve tuaj?

Shpresoj që Shkolla Shqipe në Naples të bëhet një vend kujtese, një strehë e ngrohtë ku fëmijët të ndihen krenarë për gjuhën e tyre. Një vend ku shqipja të mos jetë vetëm një orë mësimi, por një pjesë e shpirtit të tyre. Kam krijuar edhe një grup letrar brenda shkollës, për t’u dhënë frymë recitimi fëmijëve, përmes poezive të autorëve shqiptarë dhe krijimeve të mia. Dua që një ditë, kur të rriten, të thonë: “Unë e di shqipen sepse dikush besoi se ia vlente të mësohej.” Dhe unë do të jem përherë mirënjohëse që isha ajo “dikush.”

shkolla-shqipe-naples2

 

Letër nga mërgimi, një zë që flet me zemrën e Tokës

Poezi në prozë nga Alketa Burimi

Më fal, o Nënë…

Ti që më dhe jetë —

dhe Ti, o Tokë që më dhe rrënjë.

Ju lashë të dyja me një plagë në zemër —

njërën në derën e shtëpisë,

tjetrën në derën e qiellit.

 

Më fal që ju lash…

Ika si e marrë — pas një ëndrre të madhe, ëndrrës amerikane.

Një ëndërr që veç e kisha dëgjuar, por kurrë parë me sy.

Ajo më hodhi përtej oqeanit, larg prej teje.

Por nuk ishte si në përralla. Ishte e vërtetë.

Dhe më rriti brenda një nate.

 

E ndjeva vështrimin tënd në çastin e fundit.

Lotët i mbajte me forcë.

S’të tradhtuan sytë, por goja pëshpëriti:

“Po mirë moj bijë… udhë e mbarë të qoftë.

Shko dhe preke ëndrrën që do.

Unë këtu jam, të pres.”

 

Ishte zëri yt, o Tokë Mëmë,

që s’ndal kurrë së pritur bijtë që largohen.

Bekimin tënd e mora me vete — siç bekon veç një nënë.

Ktheva kokën edhe një herë, por ti ia dole të mos më shihje.

Hoqe vështrimin, që dhimbjen ta mbuloje me heshtje.

 

Zemrën ma le aty, pa fjalë —

që rrahjet t’i ndjesh natë për natë,

si një nënë që pret dhe nuk flet.

 

U nisa me avionin e fundit.

Fjalë për fjalë — i fundit që largohej nga çdo vend ku ndalesha.

Në çdo aeroport më thoshin:

“Ky është i fundit për sot… ndoshta s’dihet kur do të vijë tjetri.”

 

Një ëndërr që u shndërrua në frikë.

Bota po mbyllej. Portat pas meje përplaseshin,

si dritare që i mbyll stuhia.

Në çdo ndalesë — më pak njerëz, më shumë heshtje.

Nuk dinim çfarë na priste.

 

Aeroportet heshtnin si tempuj pa lutje.

Maskat mbulonin fytyra, por jo dhimbjen dhe frikën që digjte pas syve.

Shikimet — të zbrazëta.

Askush nuk përqafonte më.

Vetëm hapa që nxitonin në heshtje,

dhe dëshira për të mbërritur diku — për të shpëtuar.

 

Në atë udhëtim pa kthim, nuk mbartja veç valixhe — por zemrën.

Zemrën që më kishte ndjekur nga një vend në tjetrin,

derisa mbërrita këtu —

në një Amerikë të madhe që më priste, por ende s’më njihte.

Nuk njihja ligjet. Nuk kuptoja gjuhën.

Askush nuk fliste. Askush nuk prekte më.

 

Maska mbulonte buzëqeshjen — një aksesor i çmuar.

Edhe fytyrat e njohura u bënë të panjohura — në atë heshtje të madhe, pa përqafim.

Të gjithë vraponin pas kohës,

sikur të mos e humbnin veten.

Kërkuam dritë në sytë e atyre që e kishin kaluar të njëjtën udhë,

por edhe ata vraponin — me sy që nuk ndaleshin,

sikur koha t’i kishte lodhur nga gjithçka,

përveç vrapit.

 

Portat mbetën të heshtura, si të thoshin pa zë:

“Rruga është e juaja. Vraponi — koha s’pyet më.”

E kuptuam.

Këtu, dhembja nuk është zë —

por peshë që secili e mbart në heshtje.

 

Dhe një zë më erdhi nga larg,

si një frymë që më preku në vesh:

“Bijë, mos harro kush je dhe nga vjen.”

Zërin tënd si amanet e mora.

Tani, si një degë, po lulëzoj këtu —

në këtë tokë të huaj që më mban me kujdes.

Më zgjon. Më mban. Më mëson.

 

Por frymën tënde e ndiej përditë,

si një dritë e heshtur që më vjen nga brenda,

më flet pa zë — si një tingull i përjetshëm.

Zëri yt vjen, një jehonë me mall,

nga këngët që zgjojnë kujtesën e të parëve.

 

Në zemrat e fëmijëve tanë ai rri i qetë —

në degët që mbajnë emrin tënd,

o Nënë e Madhe, Shqipëri.

Ata tani të njohin mirë —

në çdo fjalë, në çdo këngë,

për ty këndojnë, si dritë.

 

Një kujtim që rrënjoset thellë —

dhe rron i gjallë përherë.

Unë, bija jote, flas me zërin tënd.

Gjuhën e mbajmë gjallë, përtej oqeanit.

Në çdo fjalë shqipe që lind në buzët e fëmijëve,

lulëzon një degë — nga rrënjët e tua.

Edhe pse fryma e kësaj toke na ruan me dashuri,

rrënjët — i kemi thellë — aty, te Ti.

 

Epilog

Çdo degë që lulëzon jashtë,

ka një rrahje zemre që i përket Asaj.

Ajo, Toka Mëmë, na dëgjon pa fjalë,

na pret me zemër që nuk plaket,

dhe flet me dashurinë që vetëm ajo e di.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top