Marrëdhënie

April 25, 2016 | 8:27

Rubena Moisiu & Fatmir Prifti : Të kundërtat që tërhiqen

1 Çifti i tyre nuk ofron një model të gatshëm! Sepse ata kanë zgjedhur të jenë origjinalë dhe individualë në çdo hap që kanë hedhur së bashku gjatë jetës. Ata të dy do i jepnin kuptim raportit dashuror në moshë fare të re, kur shpesh shumë veprime cilësohen si të “pa pjekura” dhe të pa menduara mirë. Vendimi i tyre ishte tjetërsoj… Ishte një lidhje mes ndjenjës që i bashkonte dhe kënaqësisë së moshës që i rrëmbeu nxitimthi. Por, ja ku janë sot! Rubena Moisiu dhe Fatmir Prifti, rrëfejnë përvojën 30 vjeçare të bashkëjetesës me njëri-tjetrin. Dy tipa krejtësisht të kundërt në sjellje dhe veprime… Ajo e hedhur dhe e shpenguar, ai njeri i qetë dhe “babaxhan”. Ajo pëlqen kërcimin, ai jo! Kur Fatmiri kërkon të flejë, Rubena i mban sytë nga dera… sepse kërkon të shijojë një shëtitje në park. Duket se pikërisht këto “kundërshti”, i kanë bashkuar më shumë dhe i kanë dhënë kuptimin zinxhirit të tyre martesor. Sipas Rubenës, vetëm në mjekësi funksionojnë recetat reale. Në raportin e tyre, nuk ka vend për sekrete apo këshilla suksesi në çift. Tek Rubena dhe Fatmiri çdo gjë ka rrjedhur krejt natyrshëm, për të qenë ata që janë sot!

 

Në formë postulati: ç’është burri për ju?

Është njeriu me të cilin kam vendosur të jetoj jetën time, babai i fëmijëve, shok, mik dhe gjithçka tjetër.

Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?

Për mua është më i rëndësishëm karakteri. Karakteri i denjë, natyra e qetë (nuk më pëlqejnë njerëzit agresivë), dhe mbi të gjitha zgjuarsia.

Shpesh në nënvetëdijen e një gruaje ekziston një model për burrin e jetës? Po ju?

Nuk kam pasur ndonjë model, andaj nuk mund të pohoj nëse u realizua apo u fashit. U realizua ajo që unë doja në ato momente dhe kaq. I vetmi problem që mund të kisha para se të gjeja njeriun e jetës, ishte gjatësia… nuk e doja më të shkurtër se veten, duke qenë një femër paksa e gjatë për kohën.

Për të qëndruar edhe pak të modeli: vajzat kërkojnë tiparet e baballarëve te burrat (pak a shumë). Kompleksi i Edipit. Dëshironi ta kundërshtoni? E kam fjalën për rastin tuaj?

Tek çifti ynë, nuk ka funksionuar ky fenomen. Bashkëshorti im nuk ka asgjë të përbashkët me babanë tim, jo vetëm në pamjen e jashtme, por edhe si natyrë…

Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Do veçoja respektin për njëri – tjetrin dhe tolerancën. Pasioni është në fillim, por me kalimin e viteve ai bëhet më i mefshtë, domethënë me valë më të ulëta. Por, nëse ka respekt reciprok dhe tolerancë pasi jeta ka shumë ulje dhe ngritje, ka probleme që dalin gjatë rrugës për hir të fëmijëve, punës dhe shumë gjërave që na rrethojnë, jetëgjatësia e marrëdhënies është e garantuar dhe shkon deri në limitet e duhura. Unë dhe im shoq kemi rreth 30 vjet së bashku… dhe besoj se kjo është për t’u vlerësuar. Përveç problemeve mjekësore ku rekomandohen receta me ilaçe, gjykoj se në gjërat e tjera të jetës nuk ka asnjë recetë apo sekret për t’u ndjekur e praktikuar.

Që një burrë e një grua, të rrinë bashkë duhen të jetë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Besoj tek teoria e të kundërtave që tërhiqen. Unë dhe Fatmiri jemi natyra shumë të ndryshme. Unë jam më agresive, e hedhur, flas shumë, ndërsa im shoq flet pak, është i qetë. Unë këndoj, ai jo. Mua më pëlqen të kërcej, ai ka të kundërtën e kësaj. Kur njëri nga ne do të flejë, tjetri do të dalë për një shëtitje… kemi shumë kundërshti në këtë pikë, por gjithmonë në fund biem dakord.

Gruas, në të gjithë kohët i është veshur imazhi i qenies së mistershme? A jeni ndjerë misterioze, enigmatike, e pakuptueshme për burrin tuaj?

Misterioze nuk ndjehem. Gjëra të pa rrëfyera ndaj tim shoqi edhe mund të kem… thjesht të harruara, por jo të pathëna me kast për hir të misteriozitetit. Një fije enigme në raport mua më pëlqen, sepse kjo e zbukuron raportin, madje e mban gjallë. Diku në një libër kam lexuar një filozof që thoshte: “Gjithmonë do të dua atë grua e cila lë diçka të pa zbuluar për mua, lë një mister”.

A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit pasi ajo është bërë nëna e fëmijëve të tij?  Besoj se kam eksperienca pozitive pas të bërit nënë. Vëmendja e tim shoqi ka qenë shumë më e madhe dhe e përqendruar sidomos tek unë dhe tek vajzat. Madje, raporti ynë ka qenë më i bukur pasi u bëmë prindër, se sa përpara.

Si janë rolet që cilat luani në shtëpi? Sa tradicional është rasti juaj?

Nuk kam lidhje fare me pjesën e amvisës në shtëpi, apo të gruas që kujdeset dhe kërkon që gjithçka të jetë në vendin e vet. Nuk kemi role të ndara në shtëpi. Secili nga ne bën ndonjë gjë që i pëlqen vetë, por nuk merrem unë me gatimin (kemi punësuar një zonjë për tu angazhuar me çështjen e punëve të shtëpisë dhe gatimit). Mund të them që kur jemi gjatë fundjavave në shtëpi, merret më tepër im shoq me gatimin se sa unë. Modeli që ne ofrojmë është krejt individual.

Një grua përballë sakrificave të burrit ndihet e përkëdhelur?

Fatmiri bën shumë sakrifica, në emër të familjes dhe të raportit tonë. Merret ai me të gjitha. Për hir të kohës që më duhet të shpenzoj në punë, mbeten shumë gjëra pezull në shtëpi, dhe i takon atij ta plotësojë këtë pjesë. Unë jam e përgjegjshme që ai e bën këtë pjesë, dhe ndjehem absolutisht e privilegjuar.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

E konsideroj pozitive përkimin profesional. Ndodh që edhe kur na mbarojnë muhabetet, puna jonë si mjekë, është një subjekt për t’u diskutuar. Duke qenë në të njëjtin profesion kemi të njohur të përbashkët…

Pse keni vendosur të mbani mbiemrin e vajzërisë?

Që kur mbarova fakultetin dhe fillova punë në profesionin tim, njihesha me këtë mbiemër: Moisiu. Ligjërisht, në fillimet e martesës, pasi bëmë celebrimin, unë mora mbiemrin e burrit, Prifti. Ndërkohë, në gjithë dokumentacionin tjetër figuroja me mbiemrin tim, nuk më njihte njeri me mbiemrin e Fatmirit. Më vonë vendosa ta ndërroj, edhe në pasaportë dhe e bëra Moisiu.

Sa të nevojshme e keni vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”? A pretendoni dhurata nga burri? A merrni?

Mua më pëlqen të marr dhurata, nuk kam qejf të bëj. Nga ana tjetër, im shoq nuk hyn tek ata meshkuj që kanë qejf të sajdisin me dhurata, kështu që rrallë mbaj mend të më ketë dhuruar pako gjë… ndonjë tufë me lule… Më ngjan se e kemi të përbashkët këtë pjesë. Të vetmit njerëz të cilëve u bëj dhurata me kënaqësi, me ose pa sebep, janë vajzat e mia. Ato po, nuk i harroj asnjëherë.

Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…

Unë shpresoj shumë tek kjo thënie. Kam besim të madh tek kapacitetet dhe mundësitë që femrat kanë dhe këtë e kam të bazuar jo vetëm tek eksperienca personale, por edhe tek koleget e mia që janë sot në poste drejtuese apo tek gratë e angazhuara në politikë. Jam e bindur që gratë e bëjnë më mirë se burrat, çfarëdolloj detyre apo pune që i besohet. Janë shumë më të dedikuara, më të përgjegjshme, nuk i lënë gjërat pas dore për të thënë “hajt se po i bëj nesër”. Nëse do të rritet kjo lloj enklave kudo në vendimmarrje, pavarësisht nga nivelet, unë do e konsideroja fat për atë vend që e ka, dhe sigurisht edhe për Shqipërinë uroj që të jetë kështu.

 

Fatmir Prifti:E njoh gruan time… por përsëri ka gjëra që ende zbulojmë herë pas here tek njëri-tjetri.

Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?

Njeriu, Perëndia, Zoti apo Natyra kanë bërë që të ketë vetëm mashkull dhe femër dhe familja është si të thuash bërthama e shoqërisë. Duhet të jetë një burrë dhe një grua që të krijojnë një familje.

Si duhet të jetë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj? Ç’ju tërhoqi te Rubena?

Kjo është pyetje që e shikoj në retrospektivë pasi në tashmë jemi bërë dhe gjyshër. Në këtë kuptim gjërat kanë evoluar dhe këndvështrimi sot është tjetër me atë që mund të ketë qenë me tridhjetë vjet përpara. Sigurisht që është karakteri. Pamja e jashtme ka rolin e vet. Çfarë mua më ka tërhequr në fillim te Rubena, kanë qenë sytë. Ngaqë kemi qenë në fakultet bashkë, ne kemi pasur si fillim prej disa vitesh thjesht shoqëri, pastaj nga fundi i shkollës kjo shoqëri u kthye në dashuri për njëri-tjetrin.

Shpesh në nënvetëdijen e një njeriu ekziston një model për partnerin e jetës…

Nuk kam pasur një model të caktuar, por të mos them që ndoshta-ndoshta tridhjetë vjet përpara në ndërgjegjen time mund të ketë pasur ndonjë preferencë që është fashitur tani e nuk më kujtohet. Sidoqoftë e rëndësishme ishte se sa të pranueshëm kemi qenë për njëri-tjetrin. Pra ato gjëra që e lidhin një çift për të qëndruar bashkë.

Për të qëndruar edhe pak të modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë ashtu si vajzat kërkojnë figurën e etërve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni?

Nëna ime, që unë e kam adhuruar, ka qenë tip i qetë, i merrte gjërat shtruar, nuk e mbaj mend të ketë ngritur ndonjëherë zërin ndërsa gruaja ime është impulsive, e drejtpërdrejtë plus të tjera gjërave pozitive që ka.

Si ka ndikuar kjo tek ju?

Mamaja ime ka pasur disa gjëra të mira siç mund të ketë pasur dhe gjëra negative. Ashtu si dhe gruaja ime. Rubena po të kishte të mirat që ka, dhe të mirat e mamasë time do ishte ideale. Por kjo gjë që nuk ekziston.

Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston ajo? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Në radhë të parë janë fëmijët. Kur krijon një familje, fëmija është ajo që e lidh më shumë çiftin. Në radhë të dytë është niveli intelektual. Edhe profesioni nga ana tjetër ka qenë plus për ne. Pasojë e këtyre gjërave është dhe jeta sentimentale, seksuale. Kjo është pjesa më e rëndësishme sepse në qoftë se ato përputhen lidhja vazhdon tërë kohës. Ndikon në jetëgjatësinë e çiftit.

Që një burrë e një grua, të rrinë bashkë duhen të jenë të njëjtë, apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Ne hymë tek teoria e të kundërtave. Është mirë kur plotëson njëri-tjetrin. Po të ishim të njëjtë si nga dëshirat dhe kërkesat, apo veprimet e njëjta, këto do ta bënin monotone marrëdhënien.

Ku ngjani me njëri-tjetrin?

Tek fakti që jemi mjekë, që pimë cigare të dy, që kafenë nuk e ndajmë. Me pak fjalë, përveç profesionit, të gjitha veset i kemi të njëjta.

Gruas, në të gjithë kohët i është veshur imazhin i qenies së mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan “seksin e dytë” në përgjithësi?

Unë jam 53 vjeç sot dhe ndoshta zbuloj ende gjëra të reja te vetja ime, jo më te gruaja. Sigurisht që unë them se e njoh në kuptimin e përgjithshëm por prapë ka gjëra që ende zbulojmë herë pas here tek njëri-tjetri. Kjo siç duket është në natyrën e njeriut. Unë them që asnjë njeri nuk e njeh dot tjetrin, kur nuk ka arritur që thellë të njohë veten. Kjo është ajo pjesa interesante në marrëdhënien e një çifti e cila ndikon dhe në jetëgjatësi. Sidoqoftë, deri tani nuk kam vënë re tek gruaja ime shenja misteri.

A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit pasi ajo është bërë nëna e fëmijës së tij?

Unë them që po. Sado e fortë të jetë dashuria që të ka bërë të lidhesh, të dashurosh, të bashkëjetosh. Pavarësisht se sot gjërat kanë ndryshuar, fëmija mbetet ende një diçka që e forcon lidhjen. Të bën të rrish më shumë pranë njëri-tjetrit. Janë shumë gjëra bashkë. Çdo fëmijë që vjen, aq më shumë e forcon lidhjen në çift.

Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Këtu do të thosha që roli i gruas time nuk është ai që duhet. Kjo falë punës, profesionit, impenjimeve që ajo ka vitet e fundit. Unë e kam mirëkuptuar këtë gjë dhe si pasojë jemi detyruar të marrim dikë që të merret me problemet e shtëpisë. Rubena nuk e ka qejf pjesën e gatimit. Ajo gjithmonë ka pasur fatin që ka qenë e rrethuar së pari me ndihmën e nënës time, e cila ishte mjaft e përkushtuar. Pas largimit të saj nga kjo jetë, Bena tentoi gati tri vjet me këtë por nuk dha rezultat. Nga ky aspekt gjetëm zgjidhje tjetër. Pra me pak fjalë, Rubena nuk është grua tradicionale, ndërsa unë detyrohem të jem pak më shumë.

Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull a bëni dhurata?

Nuk shquhemi as njëri dhe as tjetri për këtë pjesë. Mua ndonjëherë më vjen inat sepse Rubena harron shpesh ato gjëra që unë mundohem t’ia bëj për të rënë në sy. Ndonjëherë shkëmbejmë dhe fjalë kur Bena harron ato dhurata që i kam bërë. Dhe unë kthehem e ia kujtoj se kur ka ndodhur. Më shpesh tregoj përkujdesje në dhurimin e luleve.

Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje, e çfarë merrni si dhuratë?

Mua më pëlqejnë dhuratat. Problemi im është që më mbytën femrat këtu në shtëpi. Edhe mbesa është femër kështu që janë bërë katër. Normal që femrat kanë kërkesa plus, si në veshje, bizhu apo të tjera, kështu që mua nuk më bie radha. Por mua më bëhet qejfi kur sidomos nga vajzat marr peshqeshe. Ato tregojnë vëmendje në veshje, ndërsa dhe bashkëshortja apo vjehrri mbaj si kujtim nga një orë të veçantë.

Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…

Nuk do thosha shekulli i grave. Por në Shqipëri gjërat po ndryshojnë. Gjithnjë e më shumë femra po zë vendin që i takon, po merr gjithnjë më shumë pjesë në jetën intelektuale, politike etj, po merr përgjegjësi. Prapë janë shumë pak.

Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top