Mëmësia është një udhëtim i ri jetësor, ku pavarësisht recetave të shpejta e të vetëofruara nga të afërm apo dashamirës, duhet t’ia dalësh mbanë vetë. Për Rudina Xhungën, gazetaren e njohur, ky rol bashkërisht me bijën e saj, Alana, i ka mësuar se të qenit nënë e mirë nuk do thjesht rregulla, por një gjuhë komunikimi se si duhet trajtuar në të vërtetë një njeri që kupton, pa e gënjyer e duke ia shpjeguar situatat.
Për të është sa e vështirë, po aq e bukur dhe emocionuese, sepse siç e pohon vetë Rudina: “Edukimi, nuk zhvillohet në epruvetë dhe as mësohet në libra. Vjen natyrshëm, bashkë me dashurinë për krijesën tënde dhe mirënjohjen ndaj fatit që të bëri nënë”.
Fëmijëria është faktor i rëndësishëm në rritjen e një brezi të shëndetshëm psikosocial. Cila është marrëdhënia që keni ndërtuar ju me vajzën tuaj?
Alana është shoqe e vogël për mua. Herë-herë është shoqe e madhe kur më thotë: lër cigaren, se të helmon! Dhe unë e dëgjoj. Në fillim bëj sikur e lë, i fshihem kur e pi, pastaj, kur më gjen në ballkon, më pyet: Po pse o ma, pse pi cigare? Lulet nuk po pinë. Ç’t’i them? E lë pastaj, e lë për fare.
A keni vendosur ju rregulla në këtë raport apo ato priren nga një marrëdhënie e re dhe ekskluzive e juaja si prind-fëmijë?
Jo, nuk kam vendosur rregulla. Kemi gjetur një gjuhë komunikimi dhe unë qysh e vogël e kam trajtuar si një njeri që më kupton, pa e gënjyer, duke ia shpjeguar situatat. Alana ishte 15 muajsh, ishte 5 maj dhe unë i thashë te veshi: mama, që nga sot, qumështin do ta pish te gota, jo te mami. Dhe kështu u bë. Ose libri që bëra “Pitilushja” nuk qe për të, sesa me të. Ajo dhe unë krijuam një Pitilushe që të ndihte të gjenim gjuhën, kur fjala nuk ia dilte. Qe Pitilushja jonë ekskluzive, derisa vendosëm ta ndajmë me shumë beba të tjerë.
Sa e vështirë është sot të edukosh një fëmijë?
Është bukur, është emocionuese, është e vështirë, po mjafton të mos të të kapë paniku, si mua dikur, kur mendoja se nuk isha një nënë e mirë, se nuk e laja dot bebin tim të porsalindur, apo kur e çoja në kopsht dhe kthehej plot viroza e zakone fëmijësh të tjerë. Epo ky është edukimi, nuk zhvillohet në epruvetë dhe as mësohet në libra. Vjen natyrshëm, bashkë me dashurinë për krijesën tënde dhe mirënjohjen ndaj fatit që të bëri nënë.
Roli i babait nga ana tjetër është një faktor po kaq thelbësor. Sa ndikon ai sipas jush në mbarëvajtjen e zhvillimit edukativ të fëmijëve?
Unë kujtoja se nuk do bëja si ca nëna të tjera, që kur nuk gjejnë gjuhën, thonë: i thirra babit. Po, e kap veten shpesh tek thërras: Dritan, thuaji vajzës, që… Nga ana tjetër, Alana me gjithë lidhjen me mua, kur ka temperaturë, beson vetëm tek i ati për termometrin, kur hyn në det, vetëm me të. Se babi është i zoti. Ti je e vogël, më thotë.
Thuhet se fëmijët janë kopjuesit më të mirë të prindërve, madje edhe në të ardhmen ata ndikohen nga zgjedhje të njëjta. Mendoni dhe ju kështu duke u referuar te prindërit tuaj si model?
Po, unë jam çfarë kam parë të jenë e bëjnë ata. Jo çfarë ata më kanë thënë, pasi duke qenë fëmijë i përkëdhelur, në fillim, dhe mandej rebele, nuk kam dëgjuar shumë. Po mesa duket, kam parë shumë. Dhe do të doja ta ushqeja Alanën me imagjinatë dhe liri, të dyja që i pata, nga familja ime.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.