Një aktore me karrierë të shkëlqyer në zhanrin e komedisë dhe jo vetëm, Drande Xhaj ishte e ftuar në studion e Rudinës, ku foli për karrierën dhe jetën. Edhe pse me disa vite mbi supe ajo vijon të mbetet një grua e bukur.
Lidhur me sekretet e saj të bukurisë ajo shprehet: “Të jesh e bukur nuk është ndonjë meritë sepse ta ka dhënë Zoti dhe nëna, por gjithsesi është shumë e rëndësishme paraqitja e jashtme, për të gjitha femrat në përgjithësi, por sidomos për një artiste dhe një person publik është shumë shumë e rëndësishme. Dikur në rininë tonë nuk kishte produkte, ne mundoheshim t’i gjenim në teatër që grimoheshim për shfaqje, por jashtë në treg nuk kishte. Që ta them me sinqeritet këtë gjë deri në moshën 40-vjeçare nuk kam vendosur as krem në fytyrë, sepse ashtu mendoja unë, edhe produktet nuk ishin cilësore atëherë dhe i kisha frikë. Ndërsa, sot ke mundësi me zgjedh.”
Pavarësisht se natyra është treguar mjaft bujare me të ajo ka një ritual besnik për të qenë gjithnjë në formë të shkëlqyer.
“Në darkë bëj pastrimin me latte dhe nuk i kushtoj ndonjë kujdes të veçantë fytyrës. Në mëngjes përpiqem që të kurohem sa më mirë. Pasi laj fytyrën marr një nga kremrat e mi, ia kaloj fytyrës, i bëj pak masazh, pastaj marr lapsin dhe lyej sytë, qerpikët, buzët, pak vetullat edhe krehjen. Dal nga shtëpia dhe nisem për në teatër”, tregon ajo.
Lidhur me ndërhyrjet që janë përhapur masivisht ajo thotë se nuk është kundër, por tek vetja i pëlqen edhe thinjat, edhe rrudhat.
“Nuk do të isha dakord për ndërhyrje, por kur janë të nevojshme patjetër, por nuk jam dakord që të tjetërsohen, të mos duken vetëvetja,” thekson ajo.
Duke folur për stresin që disa femra përjetojnë gjatë procesit të plakjes ajo këshillon, “Duhet ta pranojmë që është normale. Ne themi “O Zot të plakemi!” Sigurisht nuk të vjen mirë kur del një rudhë, një thinjë por duhet të mësohemi,” thotë ajo duke nënvizuar se bukuria më e madhe është bukuria e shpirtit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.