T’i përgjigjesh një miku gjatë orarit të punës mund të mos duket shqetësuese, por duke llogaritur gjithë kohën përpara ekranit të smartphone-ve në vendin e punës (në SHBA) bëhet fjalë për 15 miliardë dollarë humbje produktiviteti – thuhet në një studim.
Punonjësit humbin mesatarisht 5 orë në javë përpara ekranit të smartphone-ve gjatë orarit të punës, me gjëra që nuk kanë të bëjnë aspak me punën e tyre, si për shembull përgjigjja e email-eve në adresën personale – sipas një studimi të kryer nga OfficeTeam. Disa bëjnë shopping online, të tjerët ndjekin momentet më emocionuese të ndeshjeve.
“Nëse këto shifra do të ishin të vërteta për çdo punonjës që punon me kohë të plotë në SHBA, kjo shifër do të përkthehej në 5,5 miliardë dollarë humbje në produktivitet në javë, për shkak të përdorimit të smartphone-ve të tyre për aktivitete që nuk lidhen me punën”, thonë autorët e studimit duke përdorur shifrat e Departamentit të Punës.
Në këtë studim u morën në pyetje 600 punonjës dhe drejtues në kompani amerikane me 20 ose më shumë punonjës.
Përveç përdorimit të smartphone për t’iu përgjigjur email-eve personale dhe herë pas here lundrimit në rrjete sociale, punonjësit u përgjigjën se ata shpenzonin rreth 42 minuta në ditë për çështje personale.
Sipas studimit, një punonjës mund të humbë mesatarisht më shumë se tetë orë në javë në aktivitete që nuk lidhen me punën. Përveçse lundrojnë në rrjete sociale, punonjësit i përdorin telefonat e tyre për të vizituar faqe sportive, për të luajtur, për blerje apo për t’u futur në faqe ku mund të lexojnë gjëra për të qeshur.
Studimi gjeti se 32 për qind e meshkujve kontrollonin më shpesh email-in e tyre personal, ndërkohë që 33 për qind e femrave lundronin më shpesh në rrjetet sociale.
Sipas studimit të OfficeTeam, punonjësit i përdorin gjithnjë e më shumë telefonat e tyre për të lundruar në faqe që janë të bllokuara nga kompania e tyre.
“Më shumë se gjysma e punonjësve – 58 për qind –i përdorin shpesh telefonat në punë për të lundruar në faqe të cilat janë të ndaluara nga kompania – me rritje 36 për qind nga sondazhi i vitit 2012”.
Tetë orë në javë humbje produktiviteti mund të sjellin pasoja të mëdha në një biznes – u shpreh një ekzekutiv i Offive Team.
“Është e kuptueshme që punonjësit i përdorin telefonat e tyre për çështje personale gjatë orarit të punës. Por kjo mund të jetë një shpërqendrim i madh”, – u shpreh Brandi Britton, president qarku në OfficeTeam.
Një tjetër drejtues në OfficeTeam tha se përdorimi i celularëve është bërë pjesë e rëndësishme e jetës personale dhe profesionale për shumë njerëz.
Ai argumentoi se punonjësit duhet të kuptojnë se ndalimi i celularëve dhe pajisjeve të tjera nuk është një opsion i arsyeshëm, por ata duhet të vendosin limite në përdorimin e tyre.
Drejtuesit e kompanisë duhet të vendosin rregulla se ku dhe kur lejohet përdorimi i celularëve dhe kur lejohet ose jo përdorimi i celularit – thotë Daryl Pigat, drejtues departamenti në OfficeTeam.
*Gregory Bresiger
Burimi: New York Post/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.