Marrëdhënie

August 20, 2016 | 6:30

Sa rrezikohet dashuria nga vitet?

Të përhumbur, nostalgjikë, të dashuruar ende, janë këto ndjesi që përjetojmë gjatë udhës që ndërmarrim për të jetuar në partneritet të lumtur e përgjithmonë. Kjo shprehje magjike që intrigonte dhe tingëllonte aq bukur në adoleshencën tonë, duke parë filmat me një fund të bukur. Sigurisht, një jetë e zgjedhur me dëshirë ka një pritshmëri për të qenë të lumtur, dhe këtë kushdo nga ne e dëshiron e nuk duhet mohuar apo penguar. Dashuria, sa bukur arrij ta kuptoj dhe analizoj tek marrëdhëniet njerëzore, por kur vjen mundësia për ta perifrazuar e kam aq të vështirë, saqë kam frikë të shkruaj të vërtetën e saj, sa universale dhe individuale, meqenëse që këtu fillon gabimi në të menduar dhe të shprehur pastaj nuk mund të jetë e tillë. Është veti që i ndodh individuales dhe që duket se marrin hua çdo fjalë, shikim, ndjesi dhe deri aty sa fluturat në stomak janë bërë një psikozë imagjinare (kjo marrë nga pjesa universale). Shumë prej jush do të jenë duke m’u hedhur në fyt, për sa përfola për ndjesitë që mbart dashuria, sepse, me të drejtë, marrëdhënia juaj e përjeton këtë oaz. Mos duhet të shprehem individi, jo marrëdhënia? Po, sepse marrëdhënia ka një cikël të sajin kur bie në dashuri, nuk ndodh në të njëjtën kohë me personin tjetër, vetëm kur ajo merr formë do të jenë zbërthyer shumë kopsa deri atëherë.

Dashuria në fillimet e saj

Si të thuash, kur një fëmijë mëson të ecë me vështirësi, sa herë rrëzohet, por prapë ka dëshirë ta provojë. Në këtë fazë, dashuria ka vëmendjen më të madhe, përkujdesjen gjithashtu, por më vonë lindin shumë pikëpyetje që na lodhin kokën dhe nuk dimë se kujt t’ia vëmë fajin, edhe pse në të vërtetë e dimë se çfarë i ndodh lidhjes, jo në mënyrë analitike, por të përgjithësuar. Përse çiftet duhen aq shumë në fillim? Në një stad të lidhjes ne jemi duke triumfuar për arritjet e lulëzimit të kësaj lidhjeje dhe çdo gjë e vështirë na bëhet edhe më e lehtë; syri dhe mendja janë më të hapur seç duhet në këto fillime (ose mund të ndodhë, një sy qorr e një vesh shurdh). Bëhemi më të ndjeshëm nga ç’jemi dhe bëjmë çmos që të mos lëndojmë, dhe të kuptosh të vërtetat e saj është një lodhje prej së cilës njeriu vepron përtej asaj që posedon. Pra, e thënë ndryshe, veti tjetërsimi që i ndodh individit të dashuruar. Mirëpo sa mund të zgjasë kjo, pasi në disa episode më vonë nxjerrim konfliktet e brendshme të vetes sonë dhe të lidhjes, me replikat se kush po investon më tepër, kush është më i gjindshëm, më tolerant e shumë të tjera si këto. Me këtë mund të themi, që çifti mësohet me kushtet e njëri-tjetrit dhe do të jenë ata/ato që durojnë, bëjnë rezistencë apo kryengritje sa herë që nuk shkon ndonjë gjë.

Nga dashuria në martesë

Ah, pjesa më e dëshiruar nga dy të dashuruarit është finalizimi i martesës së tyre. Në këtë kapitull të ri shfaqen shumë energji, ide, ëndrra, kompromise dhe angazhime. Është, si të thuash, një fushatë në të cilën derdhen një deng me iluzione. Përse nuk funksionon as 1/3 e këtyre dhe dalim me thesin bosh? Po kjo është për vetë faktin se njeriu nuk mund të mbajë kaq e kaq përgjegjësi sa ç’thotë. E nisim me jetën familjare. Kur na vijnë fëmijët në jetë, me ato pritshmëritë dhe idealet tona, përpos gëzimit, ne e ngatërrojmë aq shumë veten me problematikat dhe vështirësitë e rritjes së tyre, sa harrojmë veten e partnerin dhe përfshihemi në detyrat si prind. Vërtet mund të gëzojmë për fëmijët, por jo të harrojmë apo ndryshojmë stilin e jetesës, edhe pse duhet pranuar që ndryshon. Gjatë punës terapeutike në marrëdhëniet në çift u këshillohet që jeta si fillim është individuale, më vonë krijohet një hierarki, që ndryshon vetëm nëse duam të jetë e tillë, dhe kur vihemi në dispozita, të përpiqemi të mos humbasim integritetin e të pasurit vlerësim mbi atë që marrim përgjegjësi. Kur neglizhojmë partnerin/jetën seksuale, marrëdhënia pëson një ndryshim emocional, afeksioni është më pak i shprehur te partneri për hir të këtyre angazhimeve dhe përkujdesjes së qenies më të brishtë, ku vërejmë që fëmija të lidh dhe të ndan. Prindërit lidhen aq shumë shpirtërisht me fëmijët e tyre, në një mënyrë të tepruar. Nga ana tjetër, edhe partneri ka peshën e tij në qoftë se kjo trysni zgjat për një kohë të papërcaktuar. Çifti në këtë marrëdhënie bëhet pasiv, pakënaqësitë sa vijnë e zgjerojnë arteriet, teksa vërshon zemërimi për shkak të mungesës së vëmendjes së munguar, që për njeriun është oksigjen, sidomos tek ata që e kanë më tepër të nevojshme këtë. Deri këtu kuptohemi se çfarë ndodh dhe përse jeta na vë përpara shumë qëllime e përgjegjësi, të cilat jo vetëm marrëdhënia familjare i ka. Ndaj është si të thuash, të duhet të lexosh dhe të mësosh më parë ‘urdhëresat’ për t’u bërë një çift i suksesshëm. Humbasim dhe konfuzohemi duke lexuar shumë teste se si të arrijmë të kemi sukses në lidhjen në dashuri. Edhe pse përpiqemi, asgjë nuk ndryshon. A e dini përse? Më besoni miq, suksesi është motiv i brendshëm, të tjerët le ta marrin dhe ta shesin, nuk mund të bësh pazar (marketing) me të.

Koncepti i njohjes së vetes

Nuk është nënçështje pa vend, por ku çalojnë më së shumti marrëdhëniet tona, si dhe tek ajo intime. Të njohim mirë karakterin, pikat tona të forta dhe ato të dobëta, na çon drejt asaj se kë mund të zgjedhim e me kë mund të shoqërohemi dhe kujt t’i përshtatemi; nëse nuk dimë për veten se çfarë duam, do të jenë të tjerët që do të na zgjedhin e nuk do kemi mundësi kontrolli, përkundrazi. Me një fjalë, të njohim aftësitë dhe të përgatitemi se kë meritojmë për të ndarë një pjesë të fshehtë dhe të rëndësishme të vetes sonë. Mbani mend, që ti je që dashuron dhe ai/ajo mëson nga dashuria që i jep ti.

Modeli i prindërimit na bën të zgjedhim partnerë si ata

Kur jetojmë në një familje, ne jemi të predispozuar të ndjekim shembujt e tyre, jetën sentimentale, përkushtimin, synimet, dhe kjo na bën të ndjekim dashurinë. Dashuria jonë nuk ndryshon shumë nga ajo e prindërve tanë, në mënyrën se si sillemi, e gjejmë veten të ngjashëm me ata, se si komunikojmë e kështu rrjedh vazhdimësia e lidhjeve tona. Emocionet, agresiviteti vijnë nga modeli i sjelljeve të prindërve, si dhe nga formësimi i personalitetit prej nga vijmë, me kulturën dhe traditat që mbartim.

Faktori kohë në marrëdhëniet në çift

A vlen të thuhet që me kalimin e kohës dashuria ndryshon dhe si?! Edhe pse më lart u përmend si, t’i rrëzojmë dhe të vendosim një disiplinë në mendësi, që dashuria është në nivel sa fiziologjik dhe psikik, ku organet jetësore, disa prej tyre, nisin të përshpejtojnë dhe ngadalësojnë proceset e funksioneve të tyre. Qartësojmë rregullatorin e brendshëm të saj. Gjatë marrëdhënies mund të ndodhë gjithçka dhe ndodh. Është si ai alarmi që të vë në tension sa herë që je duke rrezikuar, për të të nxitur dhe për të bërë atë që ndërmerr, dhe nga këtu fillon ndryshimi jo vetëm i performancës. Idealet tona shkojnë përtej realitetit, atij se kush jemi dhe çfarë duhet të marrim. Ne nuk ndryshojmë. Kemi po ato mendime e fantazi për të jetuar dhe qenë të lumtur. Ajo çfarë ndryshon është këndvështrimi ynë për lidhjen, për partnerin, pasi disa njerëz rrëzohen dhe nuk munden të ngrihen më, dhe ne zhgënjehemi; disa të tjerë nuk kanë dëshirë të investojnë në marrëdhënie dhe ne krijojmë kufij. Disa nuk janë aty fizikisht dhe ne na përvëlon shpirtin. Këta njerëz janë ata që kishin ëndrra, dashuri, por koha me bëmat e saj ua mori dhe këta nuk patën mundësi, forcën t’ia rrëmbenin apo t’i rregullonin sërish. Indeksi kohë është një mekanizëm që, kur vihet në provë, ka mundësi të prishë ekuilibrat. Shprehja ‘Koha do ta tregojë’ do të thotë që marrëdhënia kërkon të ushqehet ashtu si individi, përditë, sepse vijnë këto momente pasive dhe marrëdhënia/individi pëson traumë, pasi ka humbur ritmin psiko-emocional.

Si të ruajmë një marrëdhënie

Kthehemi edhe njëherë për ta ezauruar. A ndryshon ndër vite dashuria? Një ndër pyetjet më të lakueshme dhe frika nga ky ndryshim i saj. Unë mendoj që po. Edhe pse drastike në përgjigje, sensi është i tillë. Jeta dinamike që bëjmë, shijet, ndjesitë, frikërat, pasiguritë, ndryshojnë ngjyrat e dashurisë, me të vetmen armë, ‘Ego’. Kur lëndohemi apo lihemi pas dore nga partneri/ ja, nuk ndihemi mirë dhe menjëherë mendojmë si të hakërrehemi. Ku shkoi ndjesia e madhe, dashuria altruiste? E mbyti pra egoja, uni ynë, që kërkon gjithçka që bota të rrotullohet rreth nesh. Dhe kjo ndodh te personat me vetëvlerësim të ulët, tek ata që mbushen me dashuri, pasi individi nuk arrin ta përzgjedhë dhe t’i japë rëndësi se çfarë ka të nevojshme. Në një marrëdhënie konstante, ku në çift nuk mungon dëshira për komunikim, ku dashurohet çdo ditë jeta, personi ashtu si e kemi zgjedhur/pranuar, dëshira, nevoja për të ndarë gjithçka, vlerësimi dhe përkushtimi në momente të vështira ka një rrugëtim të sigurt. Dashuria nga një vibracion shndërrohet në thurje respekti. Nis e tillë, pasi ne dashurojmë gjithçka në fillim ose biem në kompromise për shkak se jemi të ngjashëm. Ajo çfarë na ndryshon në të vërtetë janë prioritetet tona, që i krijojmë në fëmijërinë e mesme dhe i mbartim për t’i realizuar në një moshë të rritur. Ndoshta nuk mund të jemi pjesë e novelave të dashurive të mëdha, rrugëtimi i të cilave, gjithsesi, mbeti i rrezikuar. Të paktën kemi mundësi të përjetojmë dashuri me emrin DASHURI, pasi të gjithë arrijmë ta ‘peshkojmë’ atë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top