Lifestyle

July 9, 2016 | 7:02

Sa zgjat marrëdhënia në varësi të moshës?

Mosha është një faktor i rëndësishëm kur krijojmë marrëdhënie të reja, por gjatë rrugëtimit i japim më pak vëmendje diferencës në moshë. Me kohën, kuptojmë se suksesi i një marrëdhënieje afatgjatë është përshtatja. Gjithsesi, vitet na tregojnë se pa dyshim diferenca në moshë ka ndikim në marrëdhënien në çift. Në të kaluarën, statistikat që kanë në fokus marrëdhëniet tregojnë se njerëzit zgjedhin partnerë relativisht të afërt në moshë dhe se një diferencë 3-5 vjet maksimumi pranohet nga shoqëria. Tashmë pas disa dekadash kanë filluar të ndryshojnë stereotipat e shoqërisë, për rrjedhojë njerëzit janë bërë mjaft “të hapur” për eksperimente të reja. Në këtë mënyrë, nisim të përfshihemi në marrëdhënie me njerëz më të rinj ose më në moshë se ne.

Burri, nga mentor në dominues

Ekzistojnë shumë avantazhe në marrëdhënie kur femra është më e re se partneri. “Një femër e re, e cila zgjedh një partner më në moshë, e bën këtë gjë për arsye sigurie. Ajo sheh tek ai maturi, njeriun që mund ta udhëheqë në jetë, me një stabilitet financiar të pakontestueshëm”, thotë Julia Cole, terapiste për marrëdhëniet në çift. “Ai do të jetë udhëheqësi i saj. Do ta edukojë, t’i vërë përpara mundësi të cilat, ndryshe, nuk do t’i kishte gëzuar, sidomos kur bëhet fjalë për zhvillimin profesional dhe shoqëror”, shpjegon Cole. Problemet shfaqen kur me kalimin e viteve, ajo do të fitojë përvojë. Por çfarë ndodh kur femra, tashmë e matur, ndjen se nuk ka më nevojë për atë mentor që është shndërruar edhe në partner me të cilin ka një marrëdhënie afatgjatë? “Mbrojtja dhe zgjuarsia, të siguruara prej tij, tani do t’i duken dominuese dhe mbytëse”, argumenton terapistja Julia Cole.

Kur 28 vjet nuk bëjnë diferencë

Jona kur e takoi bashkëshortin e saj ishte vetëm 19 vjeçe, ndërsa ai 47 vjeç. Pra, ai ishte 28 vjet më i madh. “Isha shumë e re dhe doja të rritesha sa më shpejt. Kisha aplikuar për një kredi hipotekare për një shtëpi timen. Atje e takova për herë të parë”, kujton Jona, e cila rrëfen se si ka ndikuar diferenca e madhe në moshë në martesën e saj. Jona thotë se, në 20 vjet martesë, rrallëherë kanë pasur biseda kontradiktore rreth diferencës së moshës. Megjithatë, ajo pohon se i ka ndjerë në lëkurën e saj avantazhet dhe disavantazhet e kësaj diference. “E re, isha një tip i përulur. Ai ishte njeri i zgjuar dhe në krahasim me mua, kishte një përvojë të vyer jetësore. Duke u rritur u shfaqën disa probleme midis nesh. Fillova të kisha mendimet e mia dhe nuk isha më e gatshme të pranoja të më bënte moral ose të bindesha për të vepruar ndryshe nga bindjet e mia”, thotë Jona.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top