Lifestyle

March 27, 2018 | 13:11

“Sailed away” sprova e një artisteje të re

Ajo nuk është vetëm në këtë oqean ndjesish prej adoleshenteje në rritje. Vetëm 13 vjeçe arrin të bëjë një film për moshën e saj. Ka gjetur mbështetjen e duhur për ta hedhur në pelikulë gjithçka ka dashur të shprehë mes ritmit të moshës. Ngjarje pa fund mund të bëhen film, por ajo ka zgjedhur diçka krejt të veçantë, për ta përfaqësuar brezin mësëmiri.

Rei Korkuti

Rei Korkuti

Rei Korkuti, një pianiste e ardhshme në fakt, ka tentuar në gjininë filmike. Do guxim kjo punë, por shpresat se gjithmonë ka një fillim për t’u bërë dikush në të ardhmen, duket se i shpërfaqën treguesit e parë. Në sallën e kinema Millenium, Rei dhe bashkëpunëtorët e saj, shfaqën premierë “Sailed away”, një produksion i mbështetur nga “Rei Korkuti Film”, ku vetë ajo është angazhuar edhe si skenariste e regjisore. Personalitete të artit, kineastë, aktorë e regjisorë, bashkëpunëtorë dhe njerëz të njohur të medias dhe ekranit, duartrokitën pas 50 minutave film, punën e palodhur të një brezi që ka shumë për të thënë.

Rei bart një mbiemër fort të njohur në arkeologjinë shqiptare. Ajo është mbesë e Prof. Dr.Myzafer Korkutit. Si një dëshmi e paraardhësit të saj, gjyshit, ajo gjithashtu pati nderin të kishte në këtë mbrëmje, premierë të filmit të saj të parë, edhe çiftin e njohur të kinematografisë shqiptare, Roza dhe Dhimitër Anagnosti.

Për mamin e Reit, producenten e njohur, Elvana Hana, kjo ide në fillim ishte gati e pabesueshme. Por këmbënguljes bindëse të së bijës nuk mund t’i shpëtonte. Ndaj vendosi që filmi “Sailed away” të merrte udhë.

Kur ma kërkoi në fillim, i thashë, në qoftë se do ta bësh, në rregull. E dija se çfarë andrallash kishte nga mbrapa. Por sidoqoftë, mendova se nuk do të bënte gjë. Pas disa ditësh, Rei vjen me emrat e aktorëve, me emrat e aktorëve rezervë, kishte folur me prindërit e fëmijëve, u kishte marrë leje nëse mund t’i linin fëmijët dy deri një javë me xhirime. Ata i kishin thënë po. Dhe me të gjitha këto më vjen e më thotë: Sikur t’i xhirojmë në Vlorë?! I them: O mami, po ka shumë shpenzime. Jo, më tha, do ta bëjmë! Për mua ishte e çuditshme, por nuk mund të mos ta ndihmoja. Dhe ja ku jemi këtu sot, e jemi shumë të lumtur që e kemi realizuar filmin”.

Pesë fëmijë, tri vajza dhe dy djem janë protagonistët e pandashëm nga njëri-tjetri. Secili prej tyre ka nga një pikë të fortë në karakter. Ajo që përçoi veçantinë në prodhim, ishte komunikimi në gjuhën angleze. Për skenaristen dhe regjisoren e vogël Korkuti, këta fëmijë e dhanë mesazhin që duhej. Fëmijët e sotëm nuk janë dembelë. Ata dinë të bashkojnë forcat për të arritur qëllimin e tyre.

Në këtë film kam dashur të përshkruaj përmes syve të fëmijëve të ditëve të sotme, sesi ata mundën të kryejnë një aventurë në mes të detit, diçka ndryshe nga jeta jonë e përditshme. Brezi ynë merret si brezi i fëmijëve dembelë dhe i fëmijëve të internetit. Ata që nuk mund të bëjnë asnjë punë. Unë doja ta mposhtja këtë stereotip dhe doja të thoja se, ne vërtet mund të bëjmë diçka. Vërtet ata mund të arrijnë limitet e tyre, për të mbijetuar edhe në mes të detit falë inteligjencës dhe informacionit që kanë”.

“Sailed away” vjen me skenar dhe regji të Rei Korkuti dhe protagonistë: Nikol Kripa, Sidrit Hoxha, Arbër Mata, Tea Çerenishti, Brendon Haloçi, Eno Civici e Ana Kallaku. Drejtor artistik Labinot Çuni dhe drejtor i filmit Edgar Vehbiu, me muzikë të Shpëtim Saraçi e kamera të Ilirian Mezinidhe Durim Lamaj.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top