Marrëdhënie

June 17, 2016 | 8:41

S’dua të luaj me fëmijën tim

“Kur kthehem nga puna, e kam të pamundur të luaj me Lolën, vajën time 5-vjeçare, që më pret me krahët hapur… i kushtohem vetëm pak minuta dhe pastaj filloj të merrem me rregullimin e shtëpisë, me gatimin… dhe shpesh ndihem në faj, ngase nuk i jap kohë të mjaftueshme”, rrëfen Edlira, 38 vjeçe, arkitekte në një bashki. Aldo, shef marketingu në një firmë, pohon: “Pas një dite të ngarkuar me takime dhe mbledhje të pafundme, pa harruar dhe trafikun në të cilin përfshihem nga një takim në tjetrin, ndihem i lodhur dhe i stresuar. Kam nevojë për çlodhje, ndaj edhe pse më ka marrë malli për tim bir, nuk kam dëshirë të luaj me të kur kthehem në shtëpi”. Makina, lego, kompjuterë… të luash me fëmijën tënd nuk është e lehtë. “Disa prindër i adhurojnë lojërat me më të vegjlit (kukafshehthi, përgatitjen e objekteve me plastelinë…), por nuk i pëlqejnë ato të më të mëdhenjve. Të tjerë e kanë të lehtë të luajnë bashkërisht në kompjuter, por nuk kanë dëshirë të dalin shëtitje në ajër të pastër”, pohon psikoterapeutja Isabelle Filliozat, autore e librit “Emocionet e fëmijëve”. “Ka edhe nga ata që urrejnë çdo tip loje. Ndoshta ngaqë prindërit e tyre nuk kanë luajtur kurrë me ta kur kanë qenë të vegjël, duke u shkaktuar një lëndim kurrë të shëruar”. Por edhe nëse prindërit nuk kanë dëshirë të luajnë, ose janë të lodhur, sidoqoftë është e këshillueshme të gjendet së paku gjysmë ore në ditë për ta kaluar me fëmijën. “Loja ofron, në fakt, mundësi për të mësuar jo vetëm në nivelin e njohjes, por edhe afektiv dhe emotiv. Është një mënyrë për të zbuluar botën, për t’i njohur më mirë fëmijët, për të ndërtuar personalitetin përmes përvojave dhe emocioneve”, shpjegon Roberta Cacioppo, psikologe e psikoterapeute për fëmijët dhe adoleshentët. “Është një rast për të krijuar lidhje, për të mësuar çfarë ka bërë gjatë ditës, sidomos nëse fëmija është një tip që nuk ka dëshirë të rrëfejë për veten me fjalë. Është një hapësirë në të cilën fëmija mund të shprehë vështirësitë e mundshme. Ndonjëherë mjafton të luash me të, për të mësuar se mësuesja i ka bërtitur ose që është zënë me një shok”, vazhdon Filliozat. Disa fëmijë mund të luajnë vetëm duke zhvilluar imagjinatën dhe autonominë ose me vëllezërit, duke përmirësuar shoqërizimin, por nga një këndvështrim emotiv asgjë s’e zëvendëson një kohë të kaluar me prindin. “Është mirë që prindërit t’i lënë mënjanë frenat penguese për të shprehur pjesën fëminore të vetes, duke u përqendruar në kënaqësinë që të dhuron një buzëqeshje, një përqafim ose në progresin e vazhdueshëm të zbulimit se: të luash së bashku ndihmon për të krijuar dhe mbajtur në kohë një marrëdhënie unike, të pasur me emocione dhe kënaqësi, si për të rriturin, si për fëmijën”, konkludon Cacioppo.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top