Në fokus

October 31, 2016 | 8:45

Seks në këmbim të drejtësisë, fenomeni që bashkëjeton me shoqërinë

Marina Ohri, Psikologe Klinike

Marina Ohri, Psikologe Klinike

Një sistem që përmban diferencimin e klasave shoqërore, gjinive, duke privilegjuar atë që ka më shumë pushtet. Ky është fenomeni që do të jetojë me shoqëritë, e që pashmangshmërisht do të vijojmë ta hasim në shumë prej institucioneve dhe rrugëve ku do të na përballë jeta. Për skandalin e shënuar mes Kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi dhe një qytetareje në kërkim të drejtësisë për pronën e saj, psikologia Marina Ohri i jep këtë shpjegim ardhjes në këtë pikë të kësaj ngjarjeje: “Individët që kanë në duar një pushtet të caktuar, janë mësuar të jenë të rrethuar nga njerëz që i mbrojnë ata, nga njerëz që nuk kanë aftësinë dhe fuqinë e mjaftueshme për të kundërshtuar. Meshkujt janë ata që e blejnë seksin si luks dhe femrat, ato që e shesin”.

 

 

Publikimi i skandalit seksual u raportua në emisionin “STOP” në Tv Klan.

Frika është një nga mënyrat më të efektshme për të kontrolluar njerëzit: frika ndaj dhunës, mospranimit, mjerimit. Frika është përdorur për të manipuluar njerëzit, të cilët janë të detyruar të pranojnë gjithçka sesa të përfundojnë pa asgjë. Frika do vazhdojë të jetë një ndër armët më të forta të përdorura nga njerëz që kanë një pozicion të lartë shtetëror dhe social.

Ne mendojmë se jetojmë në një shoqëri të hapur, ku mbizotëron liria e fjalës dhe e veprimit dhe pushteti absolut qëndron në duart e popullit. Udhëheqësit tanë supozohet se janë ata që mbajnë disa vlera dhe përgjegjësi mbi vendimmarrjet për një të mirë më të madhe. Sigurisht, ata kanë një informacion më të gjerë mbi çka ndodh rreth nesh dhe si duhet të udhëhiqet shoqëria në drejtimin e duhur. Shpeshherë kur pushteti bie në duart e një njeriu të vetëm, mund të “korruptojë” dhe vetë individin, dhe ambientin që e rrethon. Pushteti është një mjet që transformohet në një qëllim. Askush nuk merr pushtet për të hequr dorë ndaj saj. Përkundrazi, duan të maksimalizojnë përfitimet ndaj saj, qofshin këto ekonomike apo private.

Shoqëria në ditët e sotme, fatkeqësisht nuk habitet ndaj skandaleve seksuale. Njerëzit nuk janë më të tronditur. Reagimi ndaj këtyre skandaleve mund të shërbejë si një matës i normave seksuale të shoqërisë, veçanërisht kur në këto skandale janë të përfshira femrat që janë potencialisht të rrezikuara ose vulnerabël në varësi të situatës. Në përgjithësi, alarme publike nuk bëhen, sepse një njeri me pushtet po bën diçka të pamoralshme, por kur ata keqpërdorin pushtetin e tyre për të përfituar.

Individët që kanë në duar një pushtet të caktuar, janë mësuar të jenë të rrethuar nga njerëz që i mbrojnë ata, nga njerëz që nuk kanë aftësinë dhe fuqinë e mjaftueshme për të kundërshtuar. Ka një ndikim të fuqishëm në ego dhe në ndërtimin e imazhit, ne sensin e rrëmbimit dhe përvetësimit të çdo gjëje si pronë, sikurse asnjë ligj nuk mund të aplikohet kundër tyre.

Psikologët mendojnë se ka të bëjë me uljen e ndjeshmërisë ndaj ndihmës-kërkuesit apo vulnerabilitetit të shfaqur.

 

Seksi si përfitim personal

Zyrtarët e lartë të shtetit, në rastin konkret meshkuj, që janë rritur në familje shqiptare dhe dominanca ndaj gjinisë femërore i ka rrënjët te patriarkalizmi shqiptar. Kjo kulturë është ruajtur nga individë si stil jetese luksi. Familjet, shoqëria, vazhdojnë të përkrahin dhe t’i japin vëmendje frikës, seksizmit dhe steriotipeve gjinore, duke limituar zhvillimin e normave dhe vlerave gjinore femërore.

Në ditët e sotme, shoqëria po përjeton një marrëdhënie pushteti midis meshkujve dhe femrave. Është një sistem që përmban diferencimin e klasave shoqërore, gjinive, duke privilegjuar atë që ka më shumë pushtet, si një strukturë me influencë të madhe në forma abuzive dhe presuese, ku meshkujt janë ata që e blejnë seksin si luks dhe femrat, ato që e shesin.

Ka shpesh një ndarje mes asaj shoqërie që do donim të jetonim, mes asaj që zgjedhim, dhe në fakt jetojmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top