Mirëqenie

December 2, 2015 | 9:11

Seksi dhe seksualiteti

Nga: Besarta Taçi

Askush s’do kish vështirësi të shpjegonte terminologjinë e fjalës seks, edhe pse sot është një etiketim abuzues. Nëse do përpiqeshim të përcaktimin në një koncept të vetëm, do hasnim në vështirësi. Në aspektet e tij biologjike, vërejmë se seksi përfaqëson shumë entitete të ndryshme. Çdokush nga ne kur është gjendur përpara plotësimit të një dokumenti apo pyetësori, dhe i është dashur të përcaktojë seksin e tij, përgjigjja e kësaj pyetjeje është dhënë në mënyrë të menjëhershme, por jo tek të gjithë individët ndodh i njëjti reagim. Nëse seksin do ta konsideronim thjeshtë, marrëdhënie seksuale me një individ tjetër, ky përshkrim do të ishte shumë kufizues dhe i varfër. Fillimisht duhet të konsiderojmë cilësitë anatomike dhe fiziologjike të karakteristikave seksuale mashkullore dhe femërore, që këtu do të ndeshemi në shumë aspekte. Seksi kromozomik (fenotipi, përfaqëson një fenotip seksual); seksi gametik (sperma dhe ovovitet); seksi hormonal (vezoret, testikujt, hormonet dhe neurotrasmetuesit seksualë); seksi anatomik (karakteristikat seksuale dytësore si penisi, vagina dhe aspektet e imazhit të jashtëm që ndryshojnë trupin e një mashkulli nga ai i një femre). Seksi psikologjik është shumë i ndërthurur me aspektet e të ndjerit femër apo mashkull; seksi social (ai që ligji dhe shoqëria na njeh); seksi i dëshiruar është i lidhur me fantazitë e individit, vlerat morale dhe thellësinë e identitetit “dëshiroj që të jem femër”, “dëshiroj të jem mashkull”. Për të kuptuar kompleksitetin e seksualitetit te qenia njerëzore, mjafton të kuptojmë që ne organizmat njëqelizore, seksi përbëhet vetëm nga ai kromozomik, tek ato shumëqelizore nga ai kromozomik, gametik, hormonal dhe anatomik, tek njeriu nga të gjitha aspektet që sapo u thanë. Por jo gjithmonë të gjitha entitetet seksuale janë në sintoni perfekte më njerëzore se tjetra. Për ta kuptuar më mirë mjafton të mendojmë për Sindromën Morris, kur fëmija lind me organe gjenitale femërore (vagina e mirëformuar jashtë) dhe në brendësi ka organe gjenitale mashkullore (në vend të vezoreve ka testikuj), ose e kundërta; për transeksualët, të cilëve seksi anatomik nuk u përputhet me seksin psikologjik. Për të kuptuar çfarë është seksi nuk mjafton të ndalojmë te karakteristikat që sapo analizuam, duhet të tejkalojmë sferën biologjike dhe të prekim aspektet psikologjike të personit, natyrën e brendshme, përvojën jetësore, duke cituar psikiatrin dhe seksologun Giovanni Cociglio: “Seksualiteti është shprehi e ekzistencës së një individi, bën pjesë dhe i jep formë asaj”.

Ato që nënvizojmë specifikisht aspektet e seksualitetit janë funksionet e tij, si LIDHJET (mundësojnë harmoninë, afërsinë, të ndjerit i kompletuar, dëshirën), KREATIVITETIN (në të gjitha mënyrat e shprehjes, nga ajo artistike tek ajo biologjike me ardhjen e një fëmije). Seksualiteti mundëson evolucionin, njohurinë dhe krijimin e ndjenjës dhe dashurisë. Këto janë aspektet që individi kupton nga momenti që fillon të preferojë aktivitetin heteroseksual (marrëdhëniet me person tjetër) nga ai i autoerotizmit. Adoleshenca shërben si një periudhë e cila eksperimentohen ndjesitë dhe përvojat e para në marrëdhënie me një qenie tjetër njerëzore. Këtu seksualiteti merr formën e tij të pjekur, duke qenë se ne lindim dhe vdesim si qenie seksuale. Çifti, i cili përjeton një lidhje ku e cilëson dhe seksualiteti, jo vetëm shkëmben marrëdhënien fizike, por ajo që ndodh është një shkëmbim ndjenjash i përbërë me dëshirë, njohuri intime, komunikim dhe pjesë të qenies së tij më të thellë. Kur në lidhje seksualiteti përjetohet në mënyrë natyrale dhe intensive, edhe jeta emocionale pasurohet në të gjitha format, psikologët thonë që: një histori dashurie intensive, jep mundësi ndryshimi në tru po aq sa një cikël psikoterapie. Marrëdhënia seksuale e lidh çiftin, e afron në intimitet të thellë, mban bashkë në çaste konflikti, i jep formë. Bashkë me komunikimin, respektin dhe projektin është elementi që i jep jetë dashurisë dhe familjes. Por shpesh, ashtu si vet Freud kishte hipotetizuar, seksualiteti është impulsi i vet kreativitetit artistik, shkencor, profesional dhe social, duke ulur nivelet e agresivitetit dhe duke i dhënë formë vetrealizimit. Seksualiteti na bë të ndjehemi të gjallë, plot energji dhe me shëndet, e sidomos, na jep ndjesinë e kontaktit me qenien tonë dhe me personin që e ndajmë këtë ndjesi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top