Paragjykimet mbi moshën e tretë nuk marrin parasysh faktin konkret, që njeriu nga lindja deri në vdekje është një qenie seksuale. Për shekuj me radhë, “pleqëria” është parë si periudha e dekadencës, sëmundjeve dhe aseksualizmit, por fatmirësisht në tridhjetë vitet e fundit, kjo tendencë e gabuar ka filluar të ndryshojë. Simone De Beauvoir në vitin 1971 ishte i pari që përdori terminologjinë: “mosha e tretë” në publikimin e tij shkencor, duke përshkruar ndryshimet e kohës tonë dhe dëshirës së të jetuarit sa më gjatë. Ky eufemizëm i përket moshës 65-vjeçare e më tej.
Sot falë zbulimeve mjekësore, avancimit shkencor dhe mos vdekjes nga epidemitë, mosha mesatare është zgjatur dhe fatmirësisht personat e moshës së tretë jetojnë në kushte më të mbrojtura se në të kaluarën. Koncepti i “pleqërisë” është tipik i periudhës kohore që shpreh dhe është i ndërthurur me vlerësimin dhe konsensusin social të cilës njerëzit i japin. Një nga paragjykimet më të rrënjosura në shoqërinë tonë është ASEKSUALIZMI! Nëse do të tregoheshim pak më të kujdesshëm, do vinim re që edhe kur mosha e madhe, zgjedhja personale apo ndonjë pamundësi fizike nuk lejon raportet gjenitale, seksualiteti në moshën e tretë gjen RRUGË ALTERNATIVE për t’u shprehur në bazë të personalitetit të personit. Është i pashmangshëm fakti që shtytja biologjike zbehet, por është mëse e vërtetë që ruhen dhe në disa raste shtohen disa nevoja jetësore. Nevoja si: raportet dhe lidhjet, ngrohtësia, ndjenjat e dashamirësisë, kontakti, dashuria, mirënjohja, siguria, ndarja emocionale dhe e mendimeve, intimiteti e shumë nevoja të tjera, shprehi të çdo individi. Nuk duhet të harrojmë që shprehja e INTIMITETIT dhe KONTAKTIT FIZIK janë nevoja personale te qenieve njerëzore në çdo moshë dhe kënaqësia që ato dhurojnë, është e pazëvendësueshme.
Seksualiteti i femrës në moshën e tretë është i varur nga kushtet shëndetësore dhe ambientale, nëse këto janë të pranueshme, atëherë janë të tjerë faktorë që lejojnë apo jo një seksualitet të mirë. Në moshën e tretë kanë ndikim jo indiferent mënyra sesi femra ka përjetuar seksualitetin në vitet e rinisë, sesi ka reaguar fizikisht dhe psikologjikisht në periudhën e menopauzës, si përjeton vitet e pleqërisë, nëse është i pranishëm një partner dhe cili është kualiteti lidhjes. Në disa raste, fakti që partneri nuk ka shpejtësinë e pulsimit seksual të rinisë, lejon që në lidhje femra të shprehë më qetë natyrën e saj seksuale. Ndonjëherë, pikërisht kjo situatë lejon takime që dhurojnë ngrohtësi dhe kënaqësi më shumë se në të kaluarën.
Në disa intervista të bëra meshkujve të moshës së tretë, vihet re nga përshkrimet e tyre që bashkëmoshataret janë paksa jo të interesuara për seksualitetin. Femrat në këtë periudhë, më shumë se meshkujt, humbin atë pushtet seksual të eksperimentuar kohë më parë, të lidhur me aspektin fizik. Sigurisht, ky aspekt, ora e të ndjerit më pak tërheqëse, ndikon në vetëvlerësim dhe e bën femrën të ndjehet e pasigurt dhe të tërhiqet nga sjelljet seksuale. Në shoqërinë tonë vërehet që femra e moshës së tretë është në disavantazh më shumë se bashkëmoshatarët meshkuj, në gjetjen e një partneri, edhe sepse seksualiteti femëror në këtë moshë është më pak i pranuar. Zakonisht, meshkujt në këtë moshë, shpeshherë “krahasohen” me fuqinë seksuale të periudhave të mëparshme, duke hyre në një përballje e cila i mbyll dyert shumë përvojave seksuale me partneren.
Duke kaluar moshën, ndryshojnë raportet nga eksitimi refleksiv në eksitim psikogjen. Ky i dyti i përket kënaqësisë emotive dhe mendore, i lidhur me aktivitetin seksual dhe imagjinar. Në këtë moshë zgjatet shumë “periudha refraktare”, koha që kalon nga një raport në tjetrin. Ky është një ndryshim fiziologjik i lidhur me moshën, i cili krijon emocione negative shoqëruar me ankth. Mashkulli zakonisht vetdiagnostifikon çrregullim erektiv. Ai nuk ndjehet më mashkull i fuqishëm, ajo nuk ndjehet më e dëshirueshme. Mashkulli i dominuar nga ankthi mundohet të ketë ereksion. Kjo lloj përpjekjeje psikofizike zakonisht ka reagim të kundërt dhe bllokon ereksionin. Kjo përvojë keqinterpretohet si rezultat i pleqërisë, ndërkohë që ky lloj aksidenti mund të ndodhë në çdo moshë. Pas një vizite të këshillueshme mjekësore, e cila mund të zbulojë kauzat e disfunksionit erektiv si hormonale, vaskulare ose neurologjike. Mashkulli mund të sigurohet dhe të jetojë seksualitetin më natyrshëm. Nuk duhet të harrojmë që pleqëria dhe seksualiteti janë të ndikuara nga shumë faktorë si: aspektet gjenetike, edukative dhe kulturore, ekonomike, shëndetësore, personaliteti, ambienti familjar dhe përvojat e jetës.
Sot mosha e tretë është e vlerësuar si një moshë aktive. Shoqërisë i kërkohet të mos aneksojë personat që janë në këtë faze jetësore dhe sidomos nuk duhet ta konsiderojë këtë periudhë diçka pasive dhe pa jetë. Mos harroni që nga djepi deri në arkivol jemi qenie seksuale!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.