Marrëdhënie

February 18, 2016 | 10:43

Seksualiteti në shtatzëni

Diplomuar në Torino, Itali, si psikologe, projektuese. E specializuar për Konsulencë Seksuale. Me përvojë në ndihmën kundrejt adoleshentëve, personave me varësi nga droga, alkooli apo interneti, me nëna që shfaqin dukshëm probleme psikike sa i takon aftësisë prindërore.

Diplomuar në Torino, Itali, si psikologe, projektuese. E specializuar për Konsulencë Seksuale. Me përvojë në ndihmën kundrejt adoleshentëve, personave me varësi nga droga, alkooli apo interneti, me nëna që shfaqin dukshëm probleme psikike sa i takon aftësisë prindërore.

Nga: Besarta Taçi

Tematika e seksualitetit gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes është një tematikë shumë pak e zhvilluar në shoqërinë tonë. Arsyet janë të shumta: mungesa e pranisë së seksologëve në konsultoret familjare, mungesa e një programi që informon mbi seksualitetin në shtatzëni, me anën e kurseve të përgatitjes së lindjeve, mungesa e specializimit për tematikat seksuale e gjinekologëve. Kësaj mungese informimi i bashkëngjiten edhe disa “besime mosfunksionale” që nënat vazhdojnë t’i ndjekin.

Momenti kur çifti vendos të sjellë në jetë një fëmijë është shumë i rëndësishëm, sepse nga ai çast, çifti ndryshon statusin duke u shndërruar në prindër. Shtatzënia sjell bashkë me ndryshimet fizike të femrës edhe përgatitjet psikologjike, të cilat krijojnë ndonjëherë ankthe, dyshime dhe ndryshime të raportit në çift. Shtatzënia nuk është aspak event që i përket femrës, prania dhe mbështetja në çdo fazë të sajën mundëson përgatitje sa më të qetë edhe për momentin e lindjes. Nënat duhet të bëjnë kujdes, mos ta konsiderojnë mashkullin si një spektator pasiv. Në këtë periudhë tranzicioni, bashkë me ndryshimet trupore të femrës, ndryshojnë edhe sjelljet midis prindërve të ardhshëm. Jeta në çift merr një formë të re. Shpeshherë prindërit janë të fokusuar nga problemet ekonomike dhe ato praktike. Në këtë moment delikat, seksualiteti është një aspekt ku përmbushet me kuptime të reja. Të shumta janë ankthet dhe mendimet funksionale që vihen në lëvizje. Ndonjëherë mashkulli manifeston sjellje afrimiteti të tepërt, ku merr mbi vete të gjithë peshën emotive të situatës dhe tregohet tepër i kujdesshëm për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Por ndonjëherë kjo sjellje krijon ankthe të kota mbi raportet seksuale në shtatzëni si edhe kur lind fëmija. Në rastet e kundërta, babai i ardhshëm mendon se një peshë të tillë emocionale nuk arrin dot ta durojë dhe mundohet të rrijë sa më larg femrës gjatë periudhës së shtatzënisë, por edhe pas lindjes së fëmijës. Është e rëndësishme që mjeku apo psikologu të informojë nënën dhe babain mbi rëndësinë e kontaktit emocional, përkëdhelitë dhe vazhdimësinë e raporteve intime midis çiftit, sepse është e nevojshme që kur fëmija të vijë në jetë, të gjendet në një ambient të qetë dhe plot dashuri. Përtej ushqimit që mundëson mbi jetën e tij, truri i foshnjës ushqehet me dashurinë që prindërit do të mund t’i falin. Është e rëndësishme të hidhen poshtë besimet false mbi seksualitetin gjatë shtatzënisë. Nuk ekzistojnë prova shkencore, të cilat të mund të faktojnë që këto raporte dëmtojnë fetusin, në të kundërt ndihmojnë nënën të ulë nivelet e kortisolit, hormone të stresit dhe të ankthit, e t’i përcjellë fëmijës ndjesi mirëqenieje. Nga ana fizike muskujt që rrethojnë vaginën janë të nevojshme të mbajnë tonifikimin e duhur, i cili arrihet gjatë kontraktimeve gjatë orgazmës (dhe ushtrimeve të Kegel),

pra ndihmojnë në momentin e lindjes. Në fazën e tretë të shtatzënisë është e këshillueshme të mos përdoren pozicione të cilat femra ndjen dhimbje gjenitale, apo prej të cilave ndihet dhimbje nga pesha e barkut.

Seksi pas lindjes së parë

Seksualiteti në shtatzëni është i lidhur me periudhën pas lindjes së fëmijës. Zakonisht studimet tregojnë që mesatarisht aktiviteti seksual fillon pas gjashtë ose tetë javësh nga momenti kur femra kthehet në shtëpi. Zakonisht arsyeja i përket problemeve fizike që shfaq nëna (dhimbje, gjakderdhje, frika për të mos hapur qepjet). Shumë femra pas lindjes, përtej vështirësive konkrete të përmendura, prezantojnë edhe ndjesi negative mbi imazhin e tyre fizik. Ky aspekt ndikon drejtpërdrejtë në marrëdhënie. Prania dhe mbështetja e mashkullit në këtë fazë është shumë e rëndësishme edhe sepse nivelet e progesteronit dhe estrogjeneve janë ulur, dhe nivelet e prolatinës janë rritur. Këto mekanizma fizikë kanë një ndikim të menjëhershëm te dëshira seksuale edhe sepse ulin nivelin e testosteronit. Një aspekt tjetër i cili ndërhyn në seksualitetin e çiftit është me siguri edhe prania e fëmijës, i cili ka nevojë për kujdes. Zakonisht lodhja fizike dhe ritmi jo fort mirë i koordinuar i gjumit apo zgjimit, bën që momentet e intimitetit të jenë sa më të pakta. Pra aktiviteti hormonal heq dëshirën për seksualitet dhe rrit energjitë për të rritur fëmijën. Është e rëndësishme që çifti të jetë sadopak i informuar për këtë aspekt biologjik, por që ka pasoja te psikologjia e nënës dhe babait. Me vlerë në këtë periudhë është që çifti të mos humbasë aspak pjesën e intimitetit. Ata duhet të gjejnë momente qetësie dhe pa praninë e fëmijës, ku të shprehë afrimitetin që i karakterizon. Në këtë mënyrë përkujdesja ndikon pozitivisht mes të dy partnerëve, që nga komunikimi i nevojave të reja që ngjall roli i ri i të qenit prind, shprehja e dëshirave seksuale apo mbështetja e babait për nënën. Në këtë periudhë prania apo mbështetja e seksologëve ndihmon për qartësimin e disa informacioneve, të cilat e ndihmojnë çiftin të përjetojë sa më natyrshëm këtë fazë të jetës së tyre. Një nga faktorët e riskut që unë si psiko-seksologe shoh shpesh, është mbyllja totale e femrës në rolin e nënës dhe ndikimet e kësaj sjelljeje te partneri, i cili ndjehet në vështirësi nga momenti që femra nuk është e gatshme të shprehet edhe në rolin e partneres, madje edhe në atë të nënës. Specialistët e kësaj fushe duhet të informojnë për rëndësinë që ka seksualiteti pas lindjes së fëmijës, nëse çifti ka një qëllim të përbashkët dhe fëmija të rritet në një ambient ku prindërit të ofrojnë mbështetje, dashuri dhe qetësi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top