Nga: Besarta Taçi
Situatat dramatike të burgjeve në Shqipëri, bëjnë që raportet seksuale të përdoren për të pasur në shkëmbim cigare, ushqim, substanca narkotike e të tjera, duke rritur në nivele stratosferike problemet higjienike dhe shëndetësore.
Akoma sot seksualiteti vazhdon të jetë një nga temat më delikate për shoqërinë tonë. Gjithçka ecën me një shpejtësi marramendëse, madje edhe për sjelljet seksuale devijuese apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ndërkaq, edhe në institucione vonohet të flitet për shëndetin seksual. Zhvillimet historike post diktatoriale, ashtu si përvojat e emigracionit, kanë bërë që shumë familje shqiptare të kenë eksperienca të drejtpërdrejta ose dhe indirekte me dënimet ligjore, të cilat përfundojnë me mbajtjen e të afërmve në burg. Aktualisht, ndonëse shumë projekte vazhdojnë të bëhen nëpër burgjet e Shqipërisë, sensibilizimi i shëndetit seksual duket një temë ende tepër e largët dhe e vështirë për t’u trajtuar, kjo specifikisht nga mungesa e specialistëve të fushës.
Statistikat ndërkombëtare (me variacione nga shtetet e Europës së Veriut) nënvizojnë një “rritje të të burgosurve që tentojnë vetëvrasje, të raporteve homoseksuale si mënyrë shkëmbimi ashtu si dhe përdhunimeve homoseksuale, brenda popullatës së të dënuarve. Punonjësit e burgut, ashtu si Ministria e Shëndetit, harrojnë që seksualiteti është një impuls si: uria dhe etja. Nuk mund të mposhtim impulsin e jetës vetëm se për një periudhë kohe do të jemi të mbyllur mbrapa hekurave. I burgosuri vazhdon të ketë kontakte me persona të tjerë, që ndodhen në të njëjtën situatë. Në atë fazë aq delikate të jetës, nevojat për afrimitet dhe mbështetje rriten, ashtu si dhe impulsi dhe dëshira seksuale. Situatat dramatike të burgjeve në Shqipëri, bëjnë që raportet seksuale të përdoren për të pasur në shkëmbim cigare, ushqim, substanca narkotike e të tjera, duke rritur në nivele stratosferike problemet higjienike dhe shëndetësore. Por jo gjithmonë raportet janë të negociuara. Shpeshherë ato përfundojnë në një dhunë fizike dhe psikologjike të vërtetë, ku i dënuari i abuzuar, pëson trauma të cilat e çojnë atë deri në vetëvrasje. Këtë situatë e njohin mirë punonjësit e burgut, të cilët shpeshherë nuk kanë kualifikimet që i nevojiten këtij institucioni. Në këto kontekste mungojnë infermierë profesionalë e të kualifikuar, edukatorë, asistentë socialë, si dhe psikologë, të cilët duhet të qëndrojnë çdo ditë në këtë strukturë. Specialistët që ndërhyjnë në burg shpeshherë janë të ardhur nga institucione spitalore dhe pjesëmarrja e tyre është e limituar në kohë. Burgjeve në territorin tonë i mungojnë projektet ku promovohet ndërgjegjësimi i mirëqenies psikofizike dhe seksuale brenda hekurave. Projektet europiane në fazën e parë hedhin dritë mbi sjelljen e punonjësve dhe të dënuarve. Ndërkohë, identifikojnë nevojat e të dyja palëve. Objektivat specifike janë: sensibilizimi i punonjësve të burgjeve dhe informimi i të burgosurve mbi tematikat seksuale. Ndërkohë, specialistët kanë mundësinë të individualizojnë sjelljet jofunksionale dhe të rrezikshme brenda qelive (edhe ato të pashprehura). Tipologjia e ndërhyrjes ka karakteristika psikoedukative, sidomos për sa i përket vuajtjes psikoseksuale; për të burgosurit që kanë nevojë, duhet të ofrohet një “sportel dëgjimi” ku psikologet ofrojnë një herë në javë konsulta. Për punonjësit ofrohen kurse informimi dhe punë në grupe për të biseduar për vështirësitë që hasin në punën e tyre. Pas një viti mbështetjeje nga ana e psikologëve dhe seksologëve është e rëndësishme të bëhet një pyetësor për të vënë re ndryshimet mbas projektit (që duhet të zgjasë minimumi një vit).
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.