Dëshmi

January 14, 2025 | 6:15

Selvi Beçaj / “Dritëhijet e shpirtit”: Një pasqyrë ndjeshmërish dhe refleksionesh

Poezia dhe fjala kanë fuqinë të kapërcejnë kufijtë e kohës dhe hapësirës, duke na lidhur me njërëzit dhe botën e tyre të brendshme. Kjo është ajo që na ofron Selvi Beçaj me botimin e saj të katërt, “Dritëhijet e shpirtit”, një vepër që thellëson lidhjen mes dashurisë dhe vuajtjes, mes dritës dhe hijes që secili prej nesh mbart në udhëtimin e tij në këtë botë. Poezia e saj është një gjuhë universale që mund të flasë në emër të çdo ndjenje, duke na ftuar të reflektojmë mbi raportin tonë me jetën dhe sfidat e saj.

selvi-4

“Dritëhijet e shpirtit” është botimi juaj i katërt. Çfarë ju frymëzoi në vargje të reja?

Pas një pauze relativisht të gjatë, “Dritëhijet e Shpirtit”, më futi në shtigje të reja krijimesh, duke shpresuar që nga poezia tashmë të mund të kaloj më vonë në varg më të gjatë, si p.sh në prozë dhe pse jo në roman. Nuk do thoja çfarë më frymëzon konkretisht, pasi është vetë Uni i njeriut që shpërthen në rrethana dhe situata të ndryshme jetësore. Shpirti është si perla që krijohet në thellësi të detit dhe nga trysni të mëdha, ashtu dhe shpirti gjen prehje në krijimtari pas çdo sfide, furtune, triumfi, ekzaltimi dhe kërkon të lërë gjurmë të mëtejshme, që të mbetet diku aty, edhe pasi trupi i këtij shpirti mos të jetë më.

 

Cilin varg do të veçonit?

Të gjitha vargjet janë ndjesi, janë përpëlitje shpirti, janë triumfe mbi jetën, janë ekzaltim, jehonë, tërbim, zhgënjim…çdo varg ka pak nga ti dhe Uni yt.

selvi-2

Cili ishte momenti kur ndjetë nevojën të shpreheshit përmes poezisë?

Kam qenë rreth 9 vjeç dhe mungesa disa javore e mamasë, ikonës së jetës sime do thoja, më dha shtysën për të thurur vargjet e para me poezinë ‘Mall’. Nuk dija që mund të hidhja vargje dhe rreshta në letër deri në këtë moment. Ishte si një valvul shkarkimi emocionesh. Si fëmijë mbaj mend që të dy prindërit e mi më lexonin përralla para gjumit. Jam rritur mes librash, mes një kulture për t’u admiruar nga të dy prindërit. Im atë inxhinier dhe ime më gjykatëse, të dy të përkushtuar dhe plot pasion e sakrificë në çdo gjë që bënin. Nuk do mundja të zgjidhja prindër më të mirë. Ju jam mirënjohëse për çdo gërmë, fjalë, hap, mirësi, bukuri…që më kanë mësuar.

 

Kukësi përshkruhet si qyteti i poetëve. Çfarë ndikimi kanë pasur tek Ju?

Personalisht, shtatë vitet e para të jetës i kalova në Gramsh dhe vitet e fëmijërisë dhe rinisë i kalova në Tiranë! Por me Kukësin kam lidhje tepër të veçantë, pasi është origjina ime, me të dy prindërit kuksianë. Për mua kuksianët janë njerëz solarë, që kanë poezinë dhe të bukurën në shpirt dhe zemër. Në dijeninë time kush ka shkelur në Kukës dhe rrethinat e tij, janë dashuruar me bukuritë e natyrës dhe të shpirtit të këtyre njerëzve mikpritës e bujar. E thotë dhe Fan Noli në vargjet e tij: “ A do male me dëborë,/ Trima të fortë e malësorë, /Fort bujarë e burrërorë, /Shkon në Kukës i ke në dorë.” Ndër poetët që Kukësit i dhemb dhe sot është Havzi Nela, poeti i fundit që u dënua politikisht me varje në Europë nga regjimi komunist për t’i ndaluar vargun dhe shpirtin e lirë, por që edhe sot shpirti i tij poetik kuksian triumfon mbi të keqen. Poetët dhe shkrimtarët e sotëm janë Agim Spahiu, Petrit Palushi, Izet Duraku, Rexhep Shahu, Kujtim Morina, Bajazit Cahani, Myftar Gjana, etj., listën e të cilëve e kryeson Namik Dokle.

 

Cilët janë poetët apo autorët që kanë ndikuar më shumë në krijimtarinë tuaj?

Libri për mendjen është si ushqimi për trupin, që kush është mësuar me këtë disiplinë në jetë më kupton mjaft mirë. Autorët janë të shumtë, nga ata të Rilindjes, klasikët, modernët dhe bashkëkohorët e ditëve tona. Nga autorët shqiptarë do veçoja: Petro Markon, Lasgush Poradecin, Ismail Kadarenë, Dritëto Agollin, Asdrenin, Migjenin, Çajupin, Martin Camaj, Moikom Zeqo, më pëlqen pena e Elvira Dones, poezia e Moza Ahmetit dhe Rita Petros, nga autorët shqiptarë të Kosovës do veçoja Kim Mehmetin, Ali Podrimen, Azem Shkrelin. Autorë të huaj pastaj janë pa fund, por më pikantët veçoj: Tolstoin, Dostojevksin, Drajzer, Shekspirin, Servantes, Pushkin, etj,.

selvi-5

Përvoja juaj në diplomaci dhe drejtësi sa ka ndikuar në krijimtarinë tuaj poetike?

Përvoja në diplomaci dhe drejtësi nuk mund të them sa ka ndikuar në krijimtari, por ka ndikuar shumë në formimin tim. Të jetosh jetën në vetë të parë dhe të tentosh ta transmetosh në krijimtari është sfidë më vete. Ndikimi vjen si amalgamë në çdo miligram të jetesës personale dhe në ravijëzimin e shpirtit nga aktualja në poetiken. Gdhendja e unit bëhet gradualisht dhe si pa kuptuar, ti dhe eksperienca, keni krijuar një person të ri, një individ më të kompletuar se e djeshmja. Në diplomaci është një univers më vete. Gjej rastin të falenderoj “mentorin” tim të abc-së diplomatike, Ambasadorin e Shqipërisë për disa mandate me radhë, z. Gilbert Galanxhin, por pse jo dhe Ambasadorin dhe pedagogun që i ka dhënë shumë shoqërisë dhe diplomacisë shqiptare, z. Fatos Tarifa si dhe shumë personalitete me peshë në këtë arenë.

Në ushtrimim e drejtësisë, ajo është një mision i shenjtë dhe një detyrim madhor që kërkon dashuri, edukim, dhe virtyte si dituria, paanësia, fisnikëria, guximi dhe përulësia. Siç thoshte Nënë Tereza, drejtësia fillon nga familja dhe përhapet në shoqëri, duke respektuar barazinë dhe të drejtat e të tjerëve. Magjistrati është garant i drejtësisë dhe barazisë, ndërsa shteti i së drejtës kërkon trajtim të barabartë dhe jo arbitrar të situatave të ngjashme. Drejtësia është respekt dhe përkushtim serioz që nuk mund të përmbushet nga cilido.

 

A besoni se poezia dhe arti mund të luajnë një rol në ndërtimin e dialogut dhe paqes?

Diplomacia në vetvete nuk mund të funksionojë nëse aktorët e saj në vetë të parë nuk janë ikona diplomatike. Nëse nuk funksionojnë njerëz të  mirë  lexuar, mirë trajnuar, me kulturë dhe prejardhje intelektuale të mjaftueshme, me background dhe botëkuptim shumëdimensional, njerëzor dhe empatik. Çdo individ që ka në shpirt poezinë, artin, të bukurën, mirësinë, nuk mund të jetë kurrë mizor dhe diktator, dhe patjetër që do të dijë të udhëheqë popujt dhe fatet e tyre nëpërmjet dialogut dhe paqes dhe jo nëpërmjet dhunës dhe luftës.

Të jesh një diplomat i vërtetë kërkon aftësi për t’u sfiduar dhe për të tejkaluar kufijtë personalë në shërbim të profesionit. Diplomacia është një fushë ku prioriteti yt personal kalon në plan të dytë, duke vënë në qendër domosdoshmëritë, interesat dhe nevojat e vendit dhe popullit që përfaqëson. Si diplomat, duhet të kesh aftësinë të negociosh me qëllim arritjen e rezultateve më të mira në arenën ndërkombëtare, duke garantuar një përfaqësim të denjë dhe të respektuar. Në këtë rol, është thelbësore që të mbrosh imazhin dhe interesat e vendit tënd, duke shmangur çdo keqinterpretim apo nënvlerësim nga vendet e tjera apo fuqitë e mëdha politike.

selvi-1

A ka pasur ndonjë poezi tuajën që është nga përvoja të veçanta me fëmijët tuaj?

Fëmijët i kam frymëzim të çdo dite, çdo ore dhe minutë të jetës sime. Ata janë melodia dhe kënga e jetës sime dhe jam e bekuar e mirënjohëse Perëndisë që jo vetëm më bekoi me titullin Mëmësi, por më la amanet 5 krijesa që unë jam përgjegjëse për mirërritjen dhe edukimin e tyre që të mund të nxjerr një “produkt” të denjë për shoqërinë e së ardhmes dhe për vetë unin e tyre. Po, kam poezi të frymëzuar nga fëmijët e mi, megjithëse jo në këtë vëllim, por ndiej që fjalët e fjalorit nuk mund të më përmbledhin dhe përmbushin atë çka shpirti do të pasqyrojë….

 

Mesazhi juaj për gratë që përpiqen të ndërtojnë një karrierë, të krijojnë art dhe të jenë nëna njëkohësisht?

Gruaja është themeli i të gjitha virtyteve njerëzore dhe i të gjitha vlerave të larta të krijesës së Zotit në tokë! Brenda çdo gruaje është një heroinë dhe bota është një shkollë për zhvillimin e shpirtit, ku gratë e forta janë specia dhe krijesa më e pamposhtur që ekziston në shoqëri. Personalisht mendoj se duhet të zgjohet ndërgjegjja publike dhe ajo e çdo qeveritari, ligjvënësi dhe organizate joqeveritare që të evidentohen problemet në mënyrë që të rakordohet midis tyre një plan i bashkërenduar për të bërë shumë punë për investimin më të çmuar në fushën e së ardhmes.

 

A është poezia për ju një formë arratie, reflektimi apo ndërhyrjeje në realitet?

Poezia ka vlera të mëdha. Darvini, natyralist Britanik, ka thënë: “Nëse do kisha mundësi të jetoja edhe një herë, do të vendosja një rregull. Do të lexoja poezi dhe do të dëgjoja muzikë, të paktën një herë në javë.” Ndërsa Aristoteli, një nga filozofët më të mëdhenj, ka thënë: “Poezia ka vlerë më të madhe nga historia, sepse poezia flet shumë më tepër për të gjithë, ndërsa historia flet për diçka të caktuar.” Personalisht do e përkufizoja një arrati të bukur dhe të ëmbël. Nëse do gjeja hapësira do rrija me ditë të tëra mbërthyer nga librat, krijimtaria dhe bota e letrave dhe sinqerisht është një univers që nuk më lodh kurrë.

selvi-3

Çfarë ndjesie dëshironi t’u përcillni lexuesve përmes vargjeve tuaja?

Ftesë për ta dashur dhe jetuar fort jetën, për ta puruar lodhjen; për të  kapërcyer dhimbjen; për të ç’bërë errësirën; për të dashur Atdheun, lirinë, pavarësinë; për të dashur familjen, të afërmit, miqtë e pazëvendësueshëm, të bukurën; të pranosh harrimin, moskujdesin, mosdashurinë; të ruash dinjitetin; të zgjedhësh të bësh pjesën më të vështirë; të përgjigjesh diplomatikisht provokimit; të lutesh për durim, paqe,forcë, drejtësi;  të transformosh trishtimin në gëzim; të mposhtim egërsinë që ka bota përreth nesh… Për lexuesit, nëpërmjet vargut tim, do të doja që secili të gjente pak shpirt në krijimet e mia, të gjente pak veten ndër rreshta. Ndjesitë që do uroja t’ju përcillja, do uroja të ishin paqe, bukuri, dashuri, respekt, mirësi, por që jo gjithmonë ia arrij, pasi jeta ka sfida dhe jo gjithmonë përcjell paqen e shpirtit, por ravijëzohen dhe tallazet e tij.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top