Mirëqenie

April 19, 2017 | 12:37

Sëmundjet e zemrës te mosha e tretë, shenjat që shfaqin dhe si trajtohen

Insuficienca kardiake, apo thënë ndryshe pamjaftueshmëria e zemrës, aritmia hipertensioni, sëmundja ishemike e zemrës dhe sëmundja e arterieve koronare janë disa prej sëmundjeve, që rrezikojnë kryesisht moshat e treta. Sipas mjekes kardiologe Daniela Teferici, kur bëhet fjalë për të moshuarit, çdo sëmundje ka veçoritë apo specifikat e veta në raport me pjesën tjetër adulte të popullsisë.

Daniela Teferici Mjeke kardiologe

Daniela Teferici
Mjeke kardiologe

Ato që ndryshojnë nuk janë vetëm shenjat me të cilat manifestohet sëmundja, por edhe metodat e trajtimit. Nga ana tjetër, çfarë e komplikon më tepër situatën është fakti që të moshuarit preken edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Ndaj, edhe për këtë arsye, thekson doktoresha duhet të tregohet kujdes në dhënien e medikamenteve.

“Në rast se te një person më i ri problemi është vetëm kardiak dhe organet e tjera janë në rregull, te moshat e treta ka predispozitë që të ketë edhe prekje të renaleve, pra ulet funksioni i veshkave me kalimin e moshës. Ka po ashtu probleme pulmonare, duke dhënë insuficiencë respiratore dhe në këtë mënyrë këto persona janë një kategori më e brishtë, sepse nuk kemi dorë të lirë për të dhënë çdo medikament, pasi shumica e medikamenteve nxirret nëpërmjet veshkave ose nuk duhet të shkaktojnë ngushtim të bronkeve për të dhënë më pas marrje fryme. Pra, jemi të detyruar që të ruajmë këto ekuilibra, të mjekojmë zemrën dhe të mos dëmtojmë funksionin e veshkave apo të organeve të tjera”, shprehet mjekja.

Kur bëhet fjalë për moshën e tretë, shqetësimet që vijnë nga zemra zënë vendin kryesor. Cilat janë disa nga sëmundjet kardiovaskulare me shpeshti dhe risk më të madh?

Statistikat tregojnë se vitet e fundit jetëgjatësia është rritur, kjo sepse është përmirësuar stili i jetesës. Po ashtu, ka më shumë informacion mbi sëmundjet, veçanërisht për sëmundjet kardiovaskulare dhe faktorët e riskut. Së treti, dhe më e rëndësishmja, është që shkenca e mjekësisë ka përparuar, çka do të thotë se një sëmundje tani mund të diagnostikohet në kohë, të parandalohet, apo edhe të trajtohet. Si rrjedhim i rritjes së jetëgjatësisë krijohet një grupmoshë që quhet mosha e tretë, e cila më parë ka qenë mbi 65 vjeç, ndërsa sot kufiri është rritur dhe në këtë përcaktim përfshihen të gjithë ata që janë mbi 70 vjeç. Shfaqja e sëmundjeve në këtë grupmoshë është e zakonshme, por duhet thënë që kur bëhet fjalë për të moshuarit çdo sëmundje ka veçoritë, apo specifikat e veta në raport me pjesën tjetër adulte të popullsisë. Të moshuarit kanë predispozitë që të preken nga insuficienca kardiake, apo thënë ndryshe pamjaftueshmëria e zemrës. Preken gjithashtu nga aritmia kryesisht fibrilacioni aterial, që është edhe më i shpeshtë, hipertensioni, sëmundja ishemike e zemrës, sëmundja e arterieve koronare. Preken sakaq edhe prej sëmundjeve degjenerative valvulare. Për shkak të moshës, valvulet kalçifikohen dhe për pasojë humbasin elasticitetin.

1Në rastin e sëmundjeve të arterieve koronare, cilët janë faktorët e riskut?

Është e ditur që të moshuarit lëvizin më pak dhe metabolizimi me kalimin e viteve ulet. Nëse do të flasim për faktorët e riskut për sëmundjet e arterieve koronare do të veçonim hipertensionin, diabetin, dislipideminë, pra rritja e kolesterolit apo yndyrave në gjak, pirja e duhanit, si edhe stili i jetesës, ku bën pjesë mënyra e të ushqyerit dhe jeta sedentare. Por, megjithatë, duhet thënë se te moshat e treta vihet re një ulje e incidencës së fumatorëve, apo e atyre që konsumojnë duhan. Një tjetër veçori është se duke pasur rënie të metabolizimit dhe kryesisht duke mos ushtruar aktivitet fizik kanë më shumë prirje të jenë obezë. Mbipesha shoqërohet me tolerancë të dëmtuar ndaj glukozës, sheqerit, duke çuar në shfaqjen e diabetit. Ky i fundit, nga ana tjetër, dihet që është faktor rreziku për sëmundjet e arterieve koronare.

Në shfaqjen klinike, çfarë kanë të veçantë moshat e treta?

Pra, a janë specifike simptomat, apo nuk ndryshojnë në raport me grupmoshat e tjera? Kur një person pëson infarkt, simptoma kryesore është dhimbja e gjoksit. Është një dhimbje gjoksi shumë e fortë, e cila shpeshherë në të shumtën e rasteve qetësohet në spital nën efektin e morfinës. Te moshat e treta klinika nuk është kaq e shprehur, kaq dramatike, kaq e qartë. Ato nuk kanë dhimbje kaq të forta, siç mund të kenë moshat e reja, por perceptojnë një diskonfort në gjoks, një shqetësim që shpeshherë as ato vetë nuk arrijnë ta specifikojnë mirë karakterin e dhimbjes. Ka raste edhe kur nuk kanë dhimbje fare, por u shfaqet me marrje fryme dhe mund të shkojnë në pneumologji që të bëjnë vlerësimin e mushkërive, duke dyshuar për ftohje. Nga një elektrokardiogramë (EKG) që mund të bëhet, mund të shikohet nëse ka qenë apo jo infarkt. Pra, simptomat nuk janë të forta sepse në moshat e treta mbyllja e enës koronare të gjakut bëhet në mënyrë graduale, duke u lënë mundësinë enëve më të vogla që të zhvillohen dhe të marrin funksionin e enëve të mëdha. Në rast se mbyllet një enë e madhe, atëherë furnizimi bëhet nga enët e vogla. Pra, zemra mbetet e furnizuar dhe është i zhvilluar qarkullimi kolateral. Kurse të rinjtë nuk kanë të zhvilluar qarkullimin kolateral, ndaj mbyllja menjëherë e enës kryesore shkakton infarkt ose vdekje. Moshat e treta janë më të mbrojtura në këtë ecuri të infarktit, ose sëmundjes ishemike së zemrës.

Po sëmundjet valvulare çfarë janë?

Për sa u përket sëmundjeve valvulare, këto kanë veçori që ndodh kalçifikimi i valvulave, kryesisht i valvulës së aortës dhe valvulës mitrale, të cilat grupohen apo njihen me termin sëmundjet degjenerative valvulare. Kalçifikimi, kur është i shprehur, çon në ngushtimin e valvulës dhe mund të shkaktojë ngushtim, ku në disa raste janë disa patologji, të cilat hasen te moshat e treta, këputet një nga fijet që mban aparatin e valvulës mitrale kryesisht. Këputja e kësaj fijeje shkakton insuficiencë mitrale, pra kthehet gjaku mbrapsht.

Si manifestohet kjo?

Manifestimi është me marrje fryme. Shenja e parë është marrja e frymës me origjinë kardiake.

Marrja e frymës mund të ketë origjinën edhe nga mushkritë. Si i bëhet dallimi?

Në këto raste është mjeku që bën diferencën pastaj, nëse është një marrje fryme me orgjinë kardiake apo pulmonare. Ndaj, në këto kushte, duhet të jemi tepër të kujdesshëm gjatë diagnozës diferenciale për të kuptuar nëse kjo marrje fryme vjen nga mushkëria apo nga zemra. Në rast se diagnostikohet që kjo vjen prej zemrës, janë disa sëmundje që manifestohen me marrje fryme të tilla si infarkti i miokardit, apo edhe sëmundja e valvulave. Kjo e fundit ndodh gradualisht me kalimin e viteve dhe kur avancon shumë mund të shfaqet me dhimbje gjoksi ose marrje frymë, ose çon në humbjen e koshiencës për disa sekonda. Ndërsa kur këputet fija që mban aparatin valvular të valvulës mitrale ka kthim të një sasie të madhe të gjakut. Klinika është më e shpejtë dhe shfaqet në mënyrë të papritur. Diagnoza, nëse këto simptoma janë me orgjinë kardiake apo pulmonare, përcaktohet me anë të një elektrokardiografie.

Ndalemi pak tek insuficienca kardiake, një tjetër sëmundje që prek moshën e tretë…

Sëmundja valvulare, infarkti, sëmundja e arterieve koronare, hipertensioni i patrajtuar, aritmia për një kohë të gjatë çojnë në dëmtimin e muskulit të zemrës, duke shkaktuar insuficiencë kardiake. Pra, muskuli i zemrës nuk ka më forcën që të pompojë gjakun dhe ta hedhë në aortë për ta shpërndarë në të gjithë trupin. Njëkohësisht mbetet në mushkëri dhe shfaqet ajo që ne e quajmë dispnea me origjinë kardiake, marrja e frymës. Moshat e treta kanë një veçori, sepse kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese. Në rast se te një person më i ri problemi është vetëm kardiak dhe organet e tjera janë në rregull, te moshat e treta ka predispozitë që të ketë edhe prekje të renaleve, pra ulet funksioni i veshkave me kalimin e moshës. Ka po ashtu probleme pulmonare, duke dhënë insuficiencë respiratore dhe në këtë mënyrë, këta persona janë një kategori më e brishtë, sepse nuk kemi dorë të lirë për të dhënë çdo medikament, sepse shumica e medikamenteve nxirren nëpërmjet veshkave ose nuk duhet të shkaktojnë ngushtim të bronkeve për të dhënë më pas marrje fryme. Pra, jemi të detyruar që të ruajmë këta ekuilibra, të mjekojmë zemrën dhe të mos dëmtojmë funksionin e veshkave apo të organeve të tjera.

Dëmtimi i veshkave është vendburimi për shumë sëmundje…

Dalja jashtë funksionit e veshkave çon në sëmundje kardiake, sëmundje të arterieve koronare, sepse, në fund të fundit, organizmi funksionon nga një mirëfunksionim i të gjitha organeve dhe kur prishet një ekuilibër, atëherë hyjnë në lojë sëmundjet e tjera. Por te mosha e tretë, edhe nëse nuk kanë kaluar një sëmundje të mirëfilltë të veshkave, fillon dhe ulet funksionimi i tyre. Ndaj edhe duhet treguar kujdes në dhënien e medikamenteve, sepse duhet parë paraprakisht funksioni i veshkave, mëlçisë, ka apo jo probleme pulmonare etj.

Sa kërcënohet mosha e tretë nga aritmitë?

Përgjithësisht, aritmitë janë një nocion shumë i gjerë dhe përfshijnë në vetvete disa lloje aritmish. Aritmia është ritëm i çrregullt i rrahjeve. Rrahjet normalisht prodhohen nga nyja sinusale dhe kjo nyje ka dy veçori, ka automatizëm dhe ritmicitetë. Pra, lind vetë impulsi dhe lind në mënyrë ritmike. Zakonisht, rrahjet normale janë nga 60 deri në 100. Kur janë nën 50, quhet bakikardi apo rrahje të rralla, ndërsa kur janë mbi 100, quhet takikardi apo rrahje të shpeshta. Në të dyja rastet rrahjet janë të rregullta, kanë një ritmicitet të caktuar të rrahjes. Ndërkohë që në aritmi prishet ky rregulli. Ajo që haset më shpesh te mosha e tretë është fibracioni arterial. Fibracioni arterial ka shumë shkaqe se nga mund të lindë, ku përmendim hipertensionin e pamjekuar, shtim të funksionit të tiroides etj. Por edhe pa pasur asnjë nga këto shkaqe, vetë mosha konsiderohet si faktor rreziku për të bërë fibracion arterial.

Ku qëndron rreziku i fibracionit arterial?

Rreziku kryesor i fibracionit arterial është tromboza, sepse në një zemër që tkurret jo me rregullsi, atëherë gjaku është më i prirur të formojë trombe. Këto trombe mund të shkojnë kudo nëpër sistemin arterial të organizimit. Më shpesh shkojnë në tru, duke shkaktuar infarkt truri.

A mund të parandalohet infarkti i trurit?

Për ta parandaluar infarktin trombotik, jepen antikoagulantët, holluesit e gjakut. Por në moshat e treta ka një specifik, pasi kanë rrezik të lartë për hemorragji nga përdorimi i holluesve të gjakut. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm në sasinë e dozës, për të bërë një balancë mes riskut dhe përfitimit.

Kjo do të thotë që aritmitë nuk duhen nënvlerësuar…

Jo vetëm që nuk duhen nënvlerësuar, por edhe duhet të bëhet një elektrokardiogramë, sepse në shumicën e rasteve nuk manifeston shqetësime. Kjo është më e zakonshme te të moshuarit. Aritmia mund të jetë e zgjatur dhe pastaj rregullohet ose mund të jetë e përhershme, permanente.

Si mund të kemi një zemër të shëndetshme? Çfarë këshillohet për moshën e tretë?

Patjetër, mosha e tretë, si për çdo moshë tjetër, duhet të eliminojë faktorët e riskut, duhet të mjekojë hipertensionin, diabetin, duhet të tregojnë kujdes në mënyrën e të ushqyerit dhe të ushtrojnë sa më shumë të munden aktivitet fizik. Incidenca e duhanpirjes bie te këto grupmosha, por duhet të tregohet kujdes me yndyrat. Përgjithësisht, këto mosha janë të kujdesshme me regjimin ushqimor, shumë të rregullt se grupmosha 40-50 vjeç. Janë të rregullt me medikamentet që marrin dhe kanë kontakte herë pas here me mjekun. Pra, janë një grupmoshë më e disiplinuar.

Sa i takon regjimit ushqimor, çfarë do të rekomandonit?

Së pari, duhen eliminuar yndyrat shtazore, mishi i kuq. Mund të konsumohet mishi i pulës, vaji i ullirit, peshku, kryesisht salmon, sepse ka në përmbajtje Omega 3. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe zarzavatet, lulelakra, bizelja, sallatrat e ndryshme janë të pasura me antioksidant. Rekomandohet po ashtu përdorimi i arrave, bajameve, lajthive, por në sasi të caktuar, pa e tepruar. Sigurisht në këtë listë nuk mund të mungojnë frutat.

Burimi: Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top