Në fokus

March 21, 2017 | 15:43

Sfidat e prindërimit në kohët moderne

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Prindërimi është një proces i gjatë dhe i vështirë. Duhet jo vetëm dije, informacione, por edhe eksperiencë. Çdo ditë e jetës së fëmijës përbën një ngjarje e re ku të dy partnerët duhet të jenë gati. Ashtu si nëna dhe babai njihen me ndjenja të mëdha të dashurisë, përkushtimit dhe mbrojtjes. Fëmija iu duket i brishtë dhe është gjithmonë në pritje të përkujdesit. Ditët kalojnë dhe vëmendja nuk shkëputet asnjëherë ndaj kësaj krijese, që duket tamam si projeksion i cilësive më të mira të dy prindërve. Fatmirësisht, kohët e fundit edhe baballarët po kujdesen më tepër në edukimin e fëmijëve. Zbutja e patriarkialitetit i ka bërë ata të përfshihen më shumë në rritjen e vogëlushëve të tyre. Megjithatë, gjatë prindërimit kuptohet që pavarësisht shumë përpjekjeve sërish nuk mjafton.

Sidomos kur është fëmija i parë situata është më e vështirë. Sfida fillestare e prindërit është përballja me ndryshimin e jetës dhe vetes. Si nënës dhe babait i duhet të kthehet në superhero duke qenë aktiv në çdo orë të ditës. Lodhja dhe pasioni ndërthuren sëbashku, ku ajo që i jep forcë është dashuria. Deri diku brenda vetes dihet që fëmija kur të rritet ndoshta dhe nuk do t’i dijë vlerat. Ti si prind nuk do presësh asgjë mbrapsht përveç arritjes së lumturisë së pasardhësit. Dekada më parë fëmija nuk gëzonte këto të drejta që ka sot. Ai shihej si krah pune dhe mbështetje e madhe për familjen. Vitet e fundit përgjegjësia e rritjes së fëmijës është shumëfishuar.

Muajt kalojnë dhe mezi pret që vogëlushi të rritet edhe pak. Fillon dhe thur ëndrra për të ardhmen. Tashmë dihet që kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me to dhe kërkesat. Do doje që fëmija jot të ishte me i miri, i pari, më i zgjuari. Dëshiron për të lehtësira dhe jo pengesa që ty të është dashur t’i kalosh në fëmijërinë tënde. Përfytyron atë sikur është diçka unike, dikush që shoqëria nuk e kishte parë më parë.

1Koha kalon dhe foshnja rritet dhe bëhet fëmijë. Belbëzimi bëhet fjalë dhe zvarritja kthehet në hapa. Dashuria bëhet aq e madhe sa duket sikur nuk do mundeni të donit më tepër se kaq. Por kjo dashuri ndonjëherë të bën të verbër. Duke filluar që në muajt e parë, fëmija lipset të kryejë disa veprime të caktuara që duhen të vihen re nga prindi. Sipas Jean Piazhe, studiuesit të zhvillimit të fëmijës, çdo moshë ka stadin e vetë (sensomotor, paraoperacional, veprimet konkrete dhe ato formale). Nga padija apo neglizhenca, prindi ndonjëherë edhe mund të mos i kuptojë këto mangësi. Po ashtu edhe më tej gjatë rritjes, sjelljet e të voglit mund të jenë dyshuese, por nëna ose babai nuk do ta pranojë. Edhe kur fëmija nuk arrin të ketë një zhvillim gradual gjuhësor apo ka vështirësi në të kuptuar, prindi është i prirur t’ia lërë kohës dhe jo të drejtohet tek eksperti. Vihet re shpesh se në qendrat e rehabilitimit të fëmijëve me sindroma të ndryshme, prindërit i dërgojnë me vonesë. Ata nuk duan ta besojnë se i vogli i tyre mund të këtë një problem. Në këtë mënyrë kurimi bëhet më i vështirë.

Edhe në rastet kur fëmijët rriten dhe zhvillohen normal nga aspekti socio-psikologjik, prindi në mënyrë indirekte mund të bëjë gabime të tjera. Nga dëshira dhe dashuria e madhe ai pëpiqet t’ja plotësojë fëmijës të gjitha kërkesat. Të rritur dikur me shumë mangësi nuk do donin ta shihnin këtë gjë tek të vegjlit e tyre. Në këtë mënyrë i japin mesazhin fëmijës që nuk ekzistojnë limitet. Na ka qëlluar të shohim shpesh nëpër markete fëmijë 3-4 vjeçar që bërtasin dhe kapen fort pas këmbës së nënës apo babait. Ata nuk ndryshojnë sjellje deri sa të plotësohet dëshira e momentit. Duke qarë mund të kërkojnë ushqime të dëmshme për organizmin e tyre, mund të duan mjete të teknologjisë më të fundit dhe çfarë do tjetër që shohin. Por të vegjlit i kanë kërkesat shumë të shpeshta. Nëse mposhtemi nga këto situata, në këtë mënyrë krijojmë fëmijë që nuk dinë kufij dhe nuk e pranojnë mohimin.

2Nga dashuria e madhe por edhe padija, prindi mund të bëhet tolerant më tepër se sa duhet duke e keq edukuar fëmijën e tij. Pa disiplinë vogëlushi mund të gjendet kudo dhe duke bërë çfardo me këdo. Nga dashuria pa disiplinë do të dëgjojmë fëmijën tek thotë fjalë të pista apo fyese ndaj dikujt. Në këtë mënyrë rrisim individ devijant që nuk ka respekt për tjetrin. Po ashtu ka raste ku të voglit i mësohet me ngulm të jetë i fortë dhe të mos qajë, por brenda vetes e ndrydhin dhe e frustojnë. Nga dashuria dhe egoizmi mund ta lënë fëmijën përherë fëmijë, ose e rrisin para kohe.

Fëmijëve sigurisht që duhet t’i japim atë që kanë nevojë, por duhet t’i mësojmë edhe të falënderojnë. Sepse ne te rriturit e dimë mirë sa e rëndësishme është mirënjohja. Nga mungesa e edukatës së mirëfilltë fëmija nuk do dijë të bëhet i zoti për veten. Do jetë ai individ që të nesërmen do dojë të fitojë të ardhura me rrugën më të shkurtër apo që do lodhet duke punuar. Nga dashuria pa edukim, prindi mund të krijojë indirekt një djalë apo vajzë egoist apo narciste. Nga kjo dashuri pa disiplinë mund të ripërsëritim pakënaqësitë që sot kemi për jetën.

Është e njohur tashmë që gjatë sfidave të edukimit nuk është vetëm prindi që ka ndikim plotësisht në formimin e fëmijës, pasi janë edhe faktorët e tjerë të jashtëm si shoqëria, shkolla, media etj. Megjithatë pa diskutim që prindi ka mundësi t’i krijojë thelbin dhe t’i japi premisa drejt pozitivitetit. Ndaj duhet të reflektojmë pa qenë vonë dhe të pyesim veten nëse po “vrasim” apo jo fëmijët nga dashuria dhe padija?!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top