Në fokus

October 4, 2017 | 10:17

Shahu nxit imagjinatën, rrëfehet ekskluzivisht kampioni kombëtar për 2017-ën Landi Pasku

Nga Orjona Tresa

Ai është “mbreti” i vitit 2017 në lojën që luhet mbi një tabelë të ndarë në 64 fusha katrorësh të vegjël, në ngjyrat bardhezi. Shah! Kjo është sinteza që me një lëvizje finalizon fitoren e një lojtari në fund të një beteje garuese me të tjerë.

Landi Pasku sapo është shpallur kampion kombëtar në aktivitetin e organizuar për këtë vit. Ai na rrëfen emocionet e një sportisti që jetën ia ka kushtuar shahut, një aktiviteti të cilësuar si sporti më inteligjent. Prej vitesh edhe në rolin e trajnerit, ai kërkon që shahu të jetë pjesë edhe e kurrikulave shkollore, duke qenë se projektligji është miratuar që në vitin 2015.

landi-pasku

Ndjesitë e një titulli

Lidhja ime me shahun ka nisur që i vogël, pasi babai im ka qenë një lojtar i hershëm i shahut. Kështu që unë, që në moshën 6-vjeçare nisa të mësoj dhe që nga ky moment më ka shoqëruar në gjithë këto vite. Në moshën 9 vjeçare, mora pjesë për herë të parë në kampionatin e të rinjve në Tiranë ku spikata për talentin tim. U angazhova në të gjithë kampionatet e të rinjve deri në moshën 18-vjeçare. Nga mosha 16-vjeçare, për tre vite me radhë dola si kampion i të rinjve. Pastaj, në moshën 19-vjeçare u angazhova me të rriturit,  duke marrë pjesë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2012 dola Kampion Kombëtar dhe dy vite më vonë mora titullin Kampion Ndërkombëtar mes mjeshtërve të mëdhenj (GM) dhe mjeshtërve ndërkombëtarë (IM), ku pjesëmarrësit ishin nga Serbia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi  dhe Bullgaria. Kam marrë pjesë në 3 Olimpiada në Norvegji, Azejbarxhan dhe Turqi. Kam qenë i angazhuar me ekipin e Bërnit (Zvicër) dhe ekipin e Deçanit për 3 vite. Kam fituar 2 herë titullin si Kampion Kombëtar për Shqipërinë dhe kam fituar 4 vite radhazi  Turneun e Blitz.

landi1

Emocionet e një fitoreje

Si arritjen më të madhe deri tani quaj faktin që mora drejtimin e Ekipit të Tiranës, ku sot jam trajneri i saj. Shahu është tashmë jo vetëm një sfidë e imja personale, por dhe e një ekipi të tërë. Pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë në lidhje me shahun, mund të them që çdo fitore ka qene një emocion më vete. Nisur që në moshë të vogël, ky pasion që unë kam për shahun ka marrë dhe një përkushtim real në kohë.

landi3

Shpërblimi dhe roli i familjes

Familja ka qenë mbështetja ime më e madhe, sidomos babi dhe motra që janë gjithashtu lojtarë shahu. Gjithashtu mbështetës të mi kanë  qenë dhe sponsorët, një ndër më të rëndësishmit mund të përmend Vasil Naçin, të cilin e falënderoj sinqerisht për kontributin dhe miqësinë që më ka ofruar. Më është dhënë mundësia që pasionin tim për shahun ta vazhdoja në Rusi pasi fitova një bursë, e cila do më mundësonte studimet atje. Por dhe pse kjo ishte një mundësi e mirë për mua, hoqa dorë për t’u kapur pas atyre mundësive të pakta që ofronte Shqipëria. Edhe pse shahu tek ne mbetet në kufijtë e një sporti për ata që e praktikojnë, unë u angazhova në dhënien e kurseve private në mënyrë individuale dhe mësimeve nëpër kopshte.

landi2

Përkushtimi drejt pasionit

Ndikimi që ka loja e shahut te fëmijët është shumë pozitiv. Shahu i ndihmon fëmijët të mendojnë dhe të ndërtojnë strategji loje, e më vonë strategji jete. Shahu kështu nxit imagjinatën, perceptimin, stërvit mendjen dhe zhvillon diturinë. Unë uroj që rrugëtimi im në lidhje me shahun të gjejë më shumë hapësirë dhe së shpejti shahu të bëhet pjesë e kurrikulumeve shkollore duke qenë se projektligji është miratuar që në 2015.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top