Ky roman i veçantë rrëfen historinë e artistes Sharlotë Salomon, e lindur në prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike dhe të traumatizuar nga disa tragjedi të brendshme. E dashuruar pas artit dhe vetë jetës, Sharlota rritet, edukohet dhe dashurohet marrëzisht në Gjermaninë e fillimit të nazizmit. Përkeqësimi i ndjeshëm i gjendjes, e shtyn atë drejt arratisjes në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike (imazhe, fjalë dhe referenca muzikore), të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj.
“Sharlota mësoi ta lexonte emrin e saj mbi pllakën e një varri.”
Kështu nis proza në vargje e David Foenkinos. Ky roman frymëzohet nga jeta e Sharlota Salomonit, një piktore gjermane, të cilën e vranë në moshën 26-vjeçare, kur ishte shtatzënë. Burimi kryesor i autorit për librin është vepra autobiografike e Sharlotës “Jetë? apo Teatër?”
Le të kthehemi në vitin 1933.
Sharlota nuk beson më që urrejtja mund të jetë kalimtare. Nuk bëhet fjalë për disa të çmendur, por për një komb të tërë. Një lukuni e etur për dhunë udhëheq vendin. Në fillim të prillit organizohet bojkotimi i pronave të hebrenjve. Ajo sheh parakalimet në rrugë, plaçkitjet e dyqaneve. Kush blen te çifutët është derr i ndyrë, – lexon ajo. Parullat hidhen e përsëriten me tërbim. A mund të imagjinohet tmerri që ndien Sharlota? Vazhdimisht jepet lajmi se janë marrë masa të tjera. Në shkollë, nxënësve u kërkohet një certifikatë lindjeje e gjyshërve. Disa vajza zbulojnë se kanë prejardhje hebreje. Brenda një sekonde, ato kalojnë nga ana e të përndjekurve. Gjak i prishur. Disa nëna ua ndalojnë të bijave të rrinë me vajzat çifute. Po sikur sëmundja e tyre të jetë ngjitëse? Disa të tjera indinjohen. Duhet të bashkohemi dhe t’i luftojmë nazistët, – protestojnë ato. Veçse është e rrezikshme të flasësh kështu. Atëherë, e ulin përherë e më shumë zërin. Para se të heshtin një herë e përgjithmonë.
KY LIBËR ËSHTË ZGJEDHUR TË VIJË TANI PAK DITË PARA DITËS NDËRKOMBËTARE TË HOLOKAUSTIT, MË 27 JANAR.
Titulli: Sharlota
Autor: David Foenkinos
Gjinia: Roman
Shqipëroi: Edmond Tupja
Shtëpia Botuese PEGI
Janar 2017
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.