Mostrajtimi në kohë i një sëmundjeje apo edhe mjekimi i gabuar mund të sjellin pasoja të rënda, ndaj me rëndësi është të reagohet në kohë ndaj çdo shenje apo simptome. Infeksionet e veshit të mesëm mund të çojnë në çarje të daulles së veshit apo më keq akoma, në infeksion të kockës pas veshit apo infeksion të cipave të trurit, e njohur ndryshe si meningjit.
“Infeksionet e veshit të mesëm mund të shërohen edhe vetë në disa raste, por ajo që ndodh rëndom është çarja e daulles. Qelbi nuk ka nga të dalë, është në presion në hapësirën e veshit të mesëm, për rrjedhojë çan daullen e veshit të mesëm. Kjo është një shenjë tipike që një fëmijë apo i rritur ka kaluar një otit të mesëm akut, nuk është mjekuar si duhet dhe rezultati përfundimtar i këtij mosmjekimi adekuat është çarja e daulles së veshit.
Tek fëmijët e vegjël, veçanërisht ata me imunitet të rënë janë jo të pakta rastet, kur infeksioni i veshit të mesëm shoqërohet me infeksion të kockës pas veshit, por jep edhe infeksion të cipave të trurit, të cilin ne e quajmë meningjit.
Të gjitha këto janë pasojë që mund të japë një otit i mesëm akut i pamjekuar mirë ose i neglizhuar fare”, bën me dije shefi i shërbimit të ORL në QSUT, prof.asoc. Besim Boçi. Përmes një interviste të dhënë për gazetën, doktori ndalet edhe tek shkaktarët e sëmundjes, shenjat dhe metodat e trajtimit që aplikohen.
Çfarë janë dhe nga se shkaktohen infeksionet e veshit të mesëm?
Infeksionet e veshit të mesëm quhen ndryshe otite të mesme akute dhe më së shumti ndodhin te fëmijët e vegjël në moshë pediatrie. Përgjithësisht shoqërojnë virozët e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes apo një gjendje virale të zakonshme. Infeksioni nëpërmjet hundës kalon në tubin që ajros veshin e mesëm. Edema, ose enjtja e tubit për shkak të gjendjes virale, shkakton bllokim të ajrosjes së veshit të mesëm dhe për pasojë grumbullohen lëngje, mbi të cilat mbivendoset infeksioni bakterial dhe instalohen infeksionet e veshit të mesëm. Në pjesën më të madhe të rasteve, sikundër e vura në dukje edhe më sipër, infeksionet e veshit të mesëm janë shoqërues të virozëve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Në këto kushte më së shumti ndeshen në stinën e dimrit ku edhe virozët në qarkullim janë edhe më të shpeshta.
Por përveç gjendjes virale, ka edhe shkaktarë të tjerë që ndikojnë apo jo?
Patjetër. Në moshat e rritura vihet re pas një gjendjeje virale sikundër ndodh tek fëmijët e vegjël, ose haset tek personat, që kanë imunitet të rënë apo që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike. Tek të rriturit, por edhe tek fëmijët, piku apo shpeshtësia më e madhe është në stinën e dimrit kur virozët janë më të shpeshta.
Ne vetë, sa e dëmtojmë veshin? Sa ndikojnë zhurmat, higjiena e duarve, pastrimi me mjete jo të përshtatshme?
Me infeksionet e veshit të mesëm nuk ka të bëjë shumë higjiena e duarve, pra nuk është si shkak për fillimin e otitit të mesëm akut ose infeksioneve akute të otitit të mesëm. Ne mund ta shkaktojmë vetë në qoftë se kemi çarje të daulles ose mund të jetë një çarje traumatike e membranës, daulles së veshit. Nganjëherë mund të shkaktohet edhe nga një mjekim i pakujdesshëm i otitit të mesëm akut. Kur fëmija ose i rrituri nuk merr mjekimin e duhur, qelbi nuk gjen vend të dalë dhe çan daullen e veshit. Në këtë rast, qelbi del në kanalin e jashtëm të dëgjimit.
Kur mjekohesh gabim apo kur trajtimi është i vonuar, çfarë pasojash mund të ketë? A përbëjnë këto rastet më të vështira për t’u menaxhuar?
Ne duhet të jemi vigjilentë që nëse pas një gjendje virale, një fëmijë apo i rritur ankohet për dhimbje veshi, duhet mjekim i specializuar. Në këtë rast mbahen dy qëndrime, nëse kemi një skuqje të lehtë të membranës, ne nuk i fillojmë antibiotikë fëmijës, por i japim vetëm mjekim simptomatik duke i çliruar frymëmarrjen. Më pas, këshillojmë prindërit ose pacientin kur ai është i rritur, se nëse përkeqësohen, pra nisin të kenë më tepër dhimbje ose u fillon temperatura, duhet të paraqiten menjëherë tek specialisti, pasi mund të jetë mbivendosur infeksioni bakterial dhe atëherë është e domosdoshme marrja e antibiotikëve.
Cilat janë pasojat e mosmjekimit të infeksionit akut të veshit të mesëm?
Infeksionet e veshit të mesëm mund të shërohen edhe vetë në disa raste, por ajo që ndodh rëndom është çarja e daulles. Qelbi nuk ka nga të dalë, është në presion në hapë- sirën e veshit të mesëm, për rrjedhojë çan daullen e veshit të mesëm. Kjo është një shenjë tipike që një fëmijë apo i rritur ka kaluar një otit të mesëm akut, nuk është mjekuar si duhet dhe rezultati përfundimtar i këtij mosmjekimi adekuat është çarja e daulles së veshit. Tek fëmijët e vegjël, veçanërisht ata me imunitet të rënë janë jo të pakta rastet kur infeksioni i veshit të mesëm shoqërohet me infeksion të kockës pas veshit, por jep edhe infeksion të cipave të trurit, të cilin ne e quajmë meningjit. Të gjitha këto janë pasojë që mund të jap një otit i mesëm akut i pamjekuar mirë ose i neglizhuar fare.
Çarja e daulles ndodh kur infeksioni neglizhohet, por cilat janë shenjat e para që nuk duhet të neglizhojmë?
E para është dhimbja në vesh. Zhurma nuk është shqetësuese pasi predominon dhimbja. Dhimbja në vesh është tregues shumë i rëndësishëm. Tek fëmijët e vegjël gjithmonë shoqërohet me temperaturë dhe ndryshim të gjendjes së përgjithshme, pra përkeqësohet gjendja e fëmijës. Nëse fëmija ka temperaturë, atëherë menjëherë duhet të dërgohet tek mjeku specialist për të parë veshin nëse ka nevojë për trajtim të menjëhershëm apo jo. Tek i rrituri është më ndryshe, pasi i rrituri e tregon dhimbjen. Marramendja ndodh vetëm nëse toksinat e prodhuara nga mikrobet penetrojnë në veshin e mesëm. Në të kundërt, marramendja nuk është një shenjë e zakonshme ,të cilën ne e ndeshim në infeksionet akute të veshit të mesëm. Kur toksinat kalojnë, japin të gjitha shenjat e marramendjes, që kryesisht janë tipike për infeksionet e veshit të brendshëm. Ajo që kemi venë re kohët e fundit, veçanërisht tek të rriturit, është paraliza faciale. Dihet që në veshin e mesëm nervi facial ka një pjesë të rrugës së tij dhe ky nerv nga qelbi nën presion ose nga toksinat bakteriale, mund të preket në edem përreth tufës dhe shkakton parezë të fytyrës, siç quhet ndryshe paralizë faciale. Kjo është një situatë emergjente për të cilën duhet të ndërhyhet menjëherë. Ajo që bëjmë ne në situata të tilla është çarja e daulles, thithim qelbin nga veshi i mesëm dhe çdo gjë normalizohet. Por, nëse ndodh një çarje spontane nga një otit i pamjekuar, është shumë e vështirë të mbyllet vet spontanisht. Ajo më vonë do një operacion tjetër që të quhet e përfunduar.
Rreziku i përsëritjes, sa i pranishëm është?
Në përgjithësi përsëritet tek fëmijët e vegjël, që kanë mish të huaj në hundë. Vetë mishi i huaj është pengesë për ajrosjen e veshit të mesëm. Ose tek fëmijët me imunitet të rënë ose tek të rriturit, që vuajnë nga sëmundje kronike. Pra, kur infeksionet e veshit të mesëm shfaqen tre herë në 6 muaj ose mbi 4 herë në një vit, atëherë quhet sëmundje rikthyese apo rekurente e veshit të mesëm. Në këto raste bëhet një hapje tek membrana, daullja e veshit dhe vendoset një tub ajrosjeje. Pas kësaj, problemi konsiderohet i zgjidhur. Por ka edhe raste, që pavarësisht masave që ne ndërmarrim, duhet që të hapet kocka pas veshit dhe të pastrohet gjithë kjo pjesë në mënyrë që infeksioni të mos përsëritet më.
Mënyra se si trajtohen infeksionet e veshit të mesëm?
Kryesisht trajtohen me antibiotikë jo të gjeneratave të fundit, me antibiotikë të thjeshtë. Sigurisht që një ndër mjekimet kryesore është mjekimi lokal me pika në hundë që të zhbllokohet hunda dhe të hapet tubi, me të cilin ajroset veshi i mesëm. Ky është mjekimi bazë që mund të shoqërohet edhe me qetësues për dhimbjen, por që çdo skemë mjekimi kushtëzohet nga gjendja e pacientit.
Mjeku i familjes apo mjeku pediatër duhet të bëjë adresimin e rasteve tek mjeku ORL për të trajtuar në kohë infeksionet e veshit të mesëm. Ndodh gjithnjë kjo?
Jo gjithmonë, pasi shumë herë mbahen nga mjekët pediatër, të cilët përfundojnë në jo pak raste duke dhënë mjekim të gabuar. Duhet patjetër një mjekim i specializuar. E fundit, duke qenë se përmendët që tek të rriturit, kategoritë më të rriskuara janë ato që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Diçka më tepër?
Po, pasi të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, kryesisht diabetikët, janë të predispozuar sepse kanë imunitet shumë të rënë. Kur përballemi me këto raste, ne aplikojmë antibiotikë të gjeneratës së fundit, me spektër shumë të gjerë veprimi pasi infeksioni është i vështirë të dominohet.
Burimi: Gazeta Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.