Shega është një bimë gjetherënëse nga familja Punicaceae, me origjinë nga një rajon gjeografik që shtrihet nga Irani në rajonin Himalajan të Indisë veriore dhe e pranishme që nga kohët e lashta në Kaukazi dhe në të gjithë rajonin e Mesdheut.
Shega njihet në dy format e saj: e egër dhe e butë. Ajo gjendet në Afrikën Veriore, Gadishullin Ballkanik, Spanjë, Francë, Itali, Rusi, Azi, Amerikën Veriore, sidomos në disa nga shtetet e SHBA, etj. Në Shqipëri ka gjetur kushte të mira për mbijetesën e vet në kushte natyrale, por edhe të kultivuara, sidomos në zona me klimë transitore. Sipas statistikës së vitit 1970 rezulton se, në Shqipëri kanë qenë të mbjella rreth 220 mijë rrënjë shege. Kështu, shega gjendet e përhapur pothuajse në gjithë zonat e vendit deri në lartësinë 840m mbi nivelin e detit, në luginat e lumenjve, në faqet me drejtim nga Jug-Lindja. Shega e egër takohet në zonën mesdhetare në të gjitha krahinat e Shqipërisë që fillon nga Vukpalaj deri në Selcë, rrëzë maleve të Bogës, Vaun e Dejës, Hajmel, rreth Malit të Velës, në kodrat e Lezhës, në Milot, gjatë luginës së Matit deri në Lis. Me pakicë gjendet në rrethin e Tiranës, të Durrësit, Elbasanit dhe të Gramshit, në Sulovë, Velagosht, luginën e Osumit, Mallakastër, ndjek Vjosën deri në Përmet, nga Shushica deri në Kuç, në Dukat të Vlorës dhe në bregun e Detit Jon deri në Himarë.
Si frut për ngrënie përdoret zakonisht në formën e saj të freskët. Kokrrat mund të ruhen në mjedise të përshtatshme, duke i varur apo aty ku plotësohen parametrat për një ruajtje normale të tyre. Në laboratorë të ndryshëm është provuar eksperimentalisht se ekstraktet që nxirren nga shega ulin presionin e gjakut. Nga ana tjetër polifenolet e lëvores se shegës, frenojnë rritjen e mikrobeve te dizenterisë, ndërsa vajrat yndyrore te farërave të shegës kanë veprim hormonal estogjenik.
Avantazhet e shegës
Shega është një nga drufrutorët me rëndësi që ka disa karakteristika. Ajo ka shumë veti kurative, por mund të shërbejë edhe si dekor anës rrugëve. Shega ka vlera mjaft të mira ushqyese, frytet e së cilës kanë një lëng të ëmbël dhe me aromë të veçantë. Lloji më i mirë i shegës është ajo më e lëngshme dhe me ngjyrë të kuqe të fortë dhe me lëkurë të hollë.
Shega e pjekur është e nxehtë dhe e lagësht, ndihmon fytin, mushkëritë dhe bronket, vepron si lehtësues dhe qetësues i kollës dhe është i mirë për vrerin. Vepron si laksativ i lehtë. Ajo tretet në lukth dhe thithet shpejt për shkak të temperamentit të saj të jashtë zakonshëm dhe të lehtë, e nxeh lukthin ngadalë, i nxjerr jashtë gazrat e lukthit dhe rrit sasinë e spermës. Megjithatë, shega nuk duhet të hahet kur njeriu ka temperaturë. Lëngu i shegës shuan etjen, rrit oreksin dhe i jep freski mendimit të njeriut për shkak të efektit pozitiv në sistemin nervor. Gjithashtu ajo përdoret me sukses për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës. Studimet e shumta kanë dalë në përfundimin se lëngu i shegës e ka tri herë më të lartë nivelin e antioksidantëve se sa rrushi i zi, çaji jeshil dhe vera e kuqe. Përmban një sasi të lartë të përbërësve bioaktivë, fenole, polifenole, të cilat kanë shumë rëndësi në rregullimin, ripërtëritjen dhe zhvillimin e qelizave. Shega është shumë e pasur me kalium, potas, hekur dhe Vitaminat A, C dhe E. Në lëvozhgën e shegës ndodhet një substancë tkurrëse që quhet Taninë, e cila e shëron barkun. Në studimet e fundit është zbuluar se lëngu i shegës kuron edhe sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe artritin. Gjatë përdorimit të lëngut të shegës aktivizohen fuqitë autoimunitare, kundër infeksioneve, kolesterolit të lartë në gjak, tensionin dhe sëmundjet nervore.
Burimi: Wikipedia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.