Gjatë përditshmërisë do dëshironte të prezantohej ndryshe, por për hir të profesionit që ka është e detyruar që të gjejë të “mesmen e artë”, për t’u ndjerë mirë me veten dhe për t’iu përshtatur një kornize protokollare që ia kërkon pozicioni në politikë. Për Shega Ligorin, deputeten e Partisë Socialiste, paraditen nga pasditja e zakonshme, përveç aktiviteteve, duket se e dallon edhe një detaj tjetër: veshja! “Më pëlqen të vishem mirë, dhe kur vendos të blej diçka është pa dyshim “dashuri me shikim të parë… Profesioni të detyron të mbash një veshje të caktuar dhe brenda saj duhet të gjesh atë me të cilën ti mund të identifikohesh. Më tërheq stili modern, por pa ekzagjerime. Jam e dhënë edhe pas aksesorëve që kompletojnë një veshje, si këpucët e çantat. Veshjet sportive i dua, por jam e kufizuar në mbajtjen e tyre vetëm pasditeve dhe në fundjavë”, pohon ajo. Sidoqoftë, përfshirja në politikë, nuk do të përkthehej në një kostum serioz të ngjeshur pas shpatullave dhe me jaka të mëdha e mashkullore. Brenda femrës duhet shprehur feminiliteti që e dallon atë katërcipërisht nga gjinia tjetër. “Mendoj që jo vetëm në sjellje, një grua politikane duhet pa dyshim të mbetet e tillë në veshje, e cila brenda natyrës zyrtare duhet të lejojë të shpreh individualitetin dhe feminilitetin e saj”, vijon Ligori. Por le të kalojmë tek, stina e nxehtë me temperaturat e larta… Vera, e ndihmon Litgorin të prezantohet në stilin e saj, më larg petkut zyrtar. “Padyshim që plazhi për mua është vendi ku përpiqem të jem vetvetja e të qetësohem. Dielli dhe deti më pëlqejnë shumë. Më pëlqen të vesh ngjyra të ndezura e kostume banje të bukura. Më pëlqejnë shumë edhe kapelat e mëdha të cilat i mbaj me qejf. Plazhi të ndihmon mbi gjithçka të harrosh stresin e punës e të rikuperosh sërish energji për t’ju kthyer jetës tënde normale”, përfundon ajo.
Psikologji Shtator 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.