Pinoku, Gishto, Borëbardha… këto kukulla të bukura që dinë të falin kaq emocione dhe ndjesi në të njëjtën kohë. Ajo ka fatin t’i sjellë mjeshtërisht këto personazhe të vegjël prej druri, t’u japë zë e shpirt. Përmes lojës aktoriale dhe një misioni të vyer ku prej vitesh ka zgjedhur të kontribuojë, ka arritur t’u kthejë buzëqeshjen shumë fëmijëve në nevojë. Vullnetarizmi është një nga vlerat e çmuara të një shoqërie, ndërsa për Shegushe Bebetin, falë këtij virtyti po arrijnë të përmbushen qëllime po kaq të çmuara për një kategori të veçantë të fëmijëve, për pacientët e vegjël të spitalit pediatrik në Tiranë. Por misioni nuk ndalet vetëm këtu. Fatin e kanë edhe fëmijët të cilët gjenden të shtruar për një trajtim më të veçantë në disa spitale të Italisë, si në Bari, Puglia, Brindizi etj,. Ky projekt i binjakëzuar me nismën e aktorëve të Bari-t , u përcjell të vegjëlve në gjuhën e nënës shfaqje të ngjashme me personazhet e tyre të përrallave, ndërsa edhe vetë ata bëhen protagonistë të këtij teatri të improvizuar. Projekti i nisur herët, rreth viteve 2000, ka si synim t’i argëtojë dhe t’i bëjë të ndjehen më mirë pacientët e vegjël. Paolo Comentale aktor, shkrimtar, themelues i teatrit “Casa di Pulcinella”, bashkëpunëtor i këtij projekti vullnetar mes Italisë dhe Shqipërisë, i ka kushtuar vëmendje këtij misioni duke falënderuar trupën e aktorëve shqiptarë, veçanërisht aktoren me karrierë artistike, Shegushe Bebetin. Ja se si e vlerëson ai në një nga shkrimet për të përditshmen “Barisera”: Gishto, një kukull e vockël shqiptare prej druri që di të thotë me zemër të madhe: Gëzuar Vitin e Ri! Ky është urimi që tingëllon si muzikë në dhomat e Spitalit Pediatrik “Nënë Tereza” në Tiranë prej vitesh në festat e fundvitit. Është urimi më i bukur që çon kukullën prej druri Gishto tek të vegjlit e shtruar në këtë pavijon. Gishto ka kuptimin e një fëmije të vogël, por të shkathët, të mbarë e këmbëngulës. Në Shqipëri, ashtu si në Itali, ashtu si edhe në çdo fabul të lashtë popullore, shpirti i personazhit vjen përmes interpretimit të aktores së famshme shqiptare Shegushe Bebeti bashkë me aktoren Jorida Meta, të cilat luajnë edhe në Teatrin e Kukullave të Tiranës, të njohura gjithashtu edhe për aktivitetet e ndryshme sociale. Teatri i Kukullave për Fëmijë në Tiranë është themeluar në 1950 nën ndikimin e artistit sovjetik Sergej Obratzov. Realizuar në ish-selinë e vjetër të parlamentit, i cili ka kaluar përmes historisë së popullit shqiptar në të gjitha këto dekada, me zemër dhe i palëkundur nga frika, duke kaluar nga nata e gjatë e diktaturës së Enver Hoxhës, në dritën e mekur të demokracisë gjatë viteve ’90, pas rënies së murit të Berlinit. Teatri i Kukullave në Tiranë është dalluar për një ngarkesë të madhe sociale, spektakle shpesh falas, bileta me çmim të veçantë, pak më shumë se 100 lekë, rreth 1 euro. Në këtë hapje drejt shoqërisë, një hapësirë të rëndësishme ka marrë prania e kukullave në vende jo komode, ndër to, shfaqjet e para në klinikat pediatrike të spitaleve. Projekti i Gishto-s, i cili u sjell gëzim fëmijëve të sëmurë, ka kaluar përtej Adriatikut dhe shumë herë ka zbritur edhe në Puglia. Ishte shumë i madh emocioni në spitalin Perrino, në Brindizi, teksa shikonin gëzimin në fytyrën e një fëmije shqiptar, i shtruar për leucemi dhe që nuk u besonte syve teksa shihte një kukull jo vetëm që luante me të, por edhe sepse fliste gjuhën e tij. Është një gjuhë e vështirë, e ndërlikuar, gjuha e vendit të shqiponjave, më antikja në Ballkan, e përbërë nga 36 shkronja. Një gjuhë e lindur në rrënojat e Krujës, territori më i vjetër i kulturës shqiptare. Gishto ka ardhur edhe në Bari, në spitalin pediatrik Giovanni XXIII për t’i dhuruar disa momente gëzimi fëmijëve jo vetëm shqiptarë që ishin të shtruar aty. Gjatë Ditës së Ujit të Bekuar, në korridoret e spitaleve pediatrike të vendit, shikon shpesh vajtje-ardhjet e vullnetarëve: shtriga që fluturojnë, futbollistë, këngëtarë, aktorë, muzikantë dhe animatorë. Është shumë bukur të mendosh që edhe fëmijët shqiptarë të shtruar në Bari, kanë ndjerë ngrohtësinë e vendit tonë, falë zërit të pagabueshëm të një kukulle prej druri shqiptare. Një “mrekulli” e vogël nëpër ato korridore. Në vendin e shqiponjave vazhdohet të besohet që vetëm Italia është vendi ku ndodhin ende mrekullitë. Faleminderit Gishto! Grazie Gishto! Jehonë artistike për të njëjtin mision i bën edhe gazeta “Il Mezzogiorno”. Sa se si e konsideron këtë udhëtim të veçantë të projektit për fëmijët në spitalet pediatrike, Barbara Facchini. “Do të martohem me ty princesha ime, do të jem princi yt. Ky është aktiviteti më argëtues, artistik dhe shprehës në këto spitale”. Ndër mesazhet e përzgjedhura ajo nënvizon atë të protagonistes kryesore. “T’u dhurosh buzëqeshje këtyre fëmijëve është një përvojë e bukur dhe në të njëjtën kohë e dhimbshme. Është kënaqësi dhe veçanti të punosh për këta fëmijë”, thotë Shegushe Bebeti. Ndërsa aktorja italiane, pjesë e këtij projekti, Gina De Palma shprehet: “Fëmijët qeshin dhe argëtohen, kalojnë momente të qeta. Bashkohen me lojën tënde dhe ua bën më të lehtë përballjen me sëmundjen”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.