Të vlerësosh përvojat e femrave, një mundësi për të çuar para shoqërinë?! Natyrisht që po. Rëndësia e ka pikënisjen aty. Këtë qëndrim mban aktorja e njohur Shegushe Bebeti, e cila thotë se femra shqiptare në kohët e sotme është e zonja t’i vërë në funksion aftësitë intelektuale, në të mirë të emancipimit të shoqërisë. Sipas Shegushes, “me nivelin e saj, ajo është në gjendje të kontribuojë nëpërmjet përvojave që ka fituar në të gjitha fushat e jetës. Shoqëria jonë për fat të keq vazhdon të jetë maskiliste dhe angazhimi i gruas, sidomos në poste drejtuese është shumë i vështirë. Akoma mentaliteti ynë është që burrat mund të drejtojnë më mirë se gratë, edhe pse për mua është e kundërta”. Por, në këtë realitet, ku qëndrimi mashkullor zapton hijen më të madhe të rolit vendimmarrës, shenjë problematike është dhe rivaliteti mes raportit femër-femër. Për aktoren ka raste kur funksionon mirë, sikundër dhe e dëmton shoqërinë. “Varet nga niveli intelektual që ato përfaqësojnë. Fusha ku ndihet më shumë është arti, televizioni, media, ku njeriu bëhet person publik, pa lënë mbrapa politikën”. Ngase paragjykohen apo ngase nuk arrijnë dot kreun, femrat shqiptare ende gjenden në minorancë sa i takon rolit apo qëndrimit të tyre shoqëror. Për Shegushe Bebetin, kjo vjen edhe ngase “femrat janë të nënshtruara. Edhe pse në përqindjen më të madhe të familjeve udhëheqin meshkujt, mendoj se kjo ndodh vetëm në dukje, pasi femra është ajo që administron, jo vetëm të ardhurat por edhe jetën familjare. Ajo është bekuar nga Zoti të sjellë në jetë fëmijën, ta rrisë, ta edukojë dhe ta drejtojë në jetë, duke qenë e pranishme në një kohë më të madhe se mashkulli”. Bebeti pohon faktin se në një kohë kur gruaja shihet ende si “pronë”, ajo për çdo gjë duhet të marrë leje nga burri. “Nëse një grua reagon për të kërkuar të drejtat e saj, ajo keqtrajtohet, dhunohet edhe vritet. Ky fenomen është vënë re shumë kohët e fundit dhe mendoj se vjen si rezultat i papunësisë dhe varfërisë që zotëron familjet shqiptare. Edhe për femrat e karrierës nuk është e lehtë të arrijnë kreun, pasi një gjë e tillë kërkon shumë sakrificë, përgatitje dhe një luftë të vazhdueshme me paragjykimin shoqëror. Sot ndjej kënaqësi që brezi i ri nuk e ka kaq të fortë këtë mentalitet, pasi vajzat e reja studiojnë, shkollohen dhe pretendojnë të jenë drejtuese të denja”. Po nga duhet nisur? Për aktoren, “së pari: femra është femër dhe duhet të ruajë delikatesën dhe brishtësinë e saj. Marrëdhëniet e saj në komunitet duhet të jenë të kontrolluara, brenda etikës, larg zhargonit të rrugës, i cili e zhvlerëson në sy të shoqërisë. Kam vënë re se te femrat mbizotëron mungesa e edukatës, fjalori i pisët dhe komunikimi më shumë mashkullor se femëror. Unë nuk kam qenë kurrë dakord me termin “burrneshë” për të etiketuar një femër trime, kurajoze dhe të zonjën. Nëse dhe femrat do të bënin si meshkujt, atëherë shoqëria jonë do të ishte shumë e egër dhe agresive. Elementi femër i angazhuar në shoqëri dhe politikë sjell zbutjen e saj dhe zgjidhje të konflikteve pa dhunë. Femrat duhet të angazhohen më shumë në shoqërinë tonë, sidomos në poste drejtuese dhe në politikë.
Nga natyra, një femër është më pak e korruptueshme, është më korrekte në zbatimin e ligjit dhe më e dhënë për të bërë karrierë”.
Kur “karrigia” e dëmton miqësinë
Bebeti pohon vërtetësinë se femrat janë të përgatitura, organizatore, këmbëngulëse e ndonjëherë edhe më të zonjat se sa kolegët e tjerë meshkuj. Ndërsa në raport me gjininë brenda llojit, ajo citon një shprehje të Oscar Ëilde. “Vërtet një gruaje po t’i jepej mundësia do të bënte gjithçka, vetëm se jo gjithmonë për mirë. Nëse mundësia do t’i jepej në mënyrë të pamerituar një gruaje jo të aftë për të drejtuar, ajo do ta keqpërdorte atë për t’u hakmarrë ndaj një gruaje tjetër, që e sfidon me aftësi e intelekt. Kjo për arsyen se do të ndihej inferiore dhe e rrezikuar. Këtë gjë e kam nga përvoja personale, por edhe të provuara nga mikesha të miat. Unë i adhuroj femrat që luftojnë për të qenë DIKUSH-i në jetë, që bëjnë karrierë duke studiuar dhe arritur rezultate me punë dhe jo me mik, që kur janë në poste drejtuese, janë mendjehapura dhe kreative, duke nxitur e përkrahur edhe iniciativat e vartësve të tyre, duke ditur të ndajnë marrëdhëniet shoqërore me ato të punës, e duke mbështetur gjithmonë më të mirin dhe më të aftin, pavarësisht nga simpatitë apo opinionet që mund të kenë. Për femra të tilla ka nevojë shoqëria jonë. Dhe kur një femër e tillë, krahas karrierës kontribuon paralelisht edhe për të rritur e çuar përpara familjen është akoma më e kompletuar. Fatkeqësisht unë njoh pak të tilla”. Femrat me përvojë janë gjithashtu stabilizuese dhe shumëfishuese forcash si brenda dhe jashtë profesionit. Kjo “armë” u ka shërbyer duke i bërë më të forta. Kështu ka ndodhur dhe me Shegushen, e cila tej aktrimit është marrë edhe me arredime shtëpish, rrobaqepësi, stilim, biznes e marketing. Ka njohur gjithaq femra me profesione të ndryshme si: biznesmene, politikane, artiste, juriste, gazetare etj. Pjesën më të madhe i ka mikesha. “Kjo”, thotë aktroja, “na ka rritur profesionalisht dhe pasuruar shpirtërisht. Besimi dhe mbështetja që i japim ne njëra-tjetrës më ka ndihmuar të eci përpara. Unë jam rritur në një familje liberale në kuptimin e mirë të fjalës, ku çdo gjë diskutohej bashkërisht dhe çdo vendim merrej bashkërisht. Babai im, që kishte mbaruar studimet jashtë, e shihte jetën me një sy tjetër, ndryshe nga shoqëria e asaj kohe dhe duke qenë shumë i dashur dhe i respektuar, na trajtonte ne dy vajzave dhe mamanë time si shoqe e mikesha. Ai ishte një njeri shumë social bashkë me mamanë time dhe kështu na edukuan edhe mua e motrën. Për mua, familja dhe miqtë janë gjëja më e rëndësishme në jetë. Edhe sot, unë, mamaja dhe motra jemi si tri shoqe dhe të tillë kemi edukuar edhe mbesën time Xhesin që është mikesha ime më e mirë.
Vlera e miqësisë…
Miqësia mes femrave është një nga motorët ku ecën e gjithë bota. Për Shegushe Bebetin “mikeshat e mira kanë edhe rivalitet midis tyre”. Ndër to ajo rrëfen më të afërtat, Joridën, Elvirën dhe Aldën. Ndajnë mendime dhe probleme mes tyre, që sigurisht jo gjithmonë bien dakord, por janë po aq solidare dhe mbështetëse të njëra-tjetrës. Kjo e ka forcuar dhe rritur shoqërinë mes tyre. “Në profesionin tim ka shumë rivalitet, shpeshherë edhe përplasje. Por jo gjithmonë një kolege është edhe mike. Miqësia është një nocion i shenjtë, që fitohet pas shumë sprovave që të vë jeta përpara, dhe kush i kalon me sukses, është i bekuar me miqësi. Miqësia fitohet dhe bazohet në besim dhe jo rivalitet. Nëse do të provosh sa mike e ke një shoqe, zbato fjalën e urtë: “Jepi mikut pushtet të shohësh sa mik e ke” dhe kjo është shumë e vërtetë. Unë e kam provuar këto kohët e fundit dhe jam zhgënjyer tmerrësisht. Uroj të mos më ndodhë më kurrë në jetë”.
Botuar në revistën Psikologjia, Shkurt 2015
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.