Të rrish beqare, nuk është thjesht çështje fati. Është vërtetë një zgjedhje e pavetëdijshme që ne bëjmë, sepse nuk ka vajzë që nuk njihet, lidhet apo të dashurohet me dikë. Unë them që fatin e ka në dorë njeriu dhe bën me të ashtu siç dëshiron. Po të kesh dëshirën dhe këmbënguljen për të kryer dicka, them se çdo gjë realizohet.
Liria është ajo gjë pa të cilën ajo nuk mund të jetojë e lumtur. E ka shtrënguar fort dhe me fanatizëm për të mos ia cenuar askush. I pëlqen të realizojë atë që dëshiron e ëndërron pa ndërhyrjen e askujt. E prerë për të qenë gjithnjë aty ku i kërkohet ndihmë dhe mbeshtetje pa humbur as edhe një çast. Pavarësisht ngarkesës që i karakterizon ditët e saj, çdo gjë arrin ta bëjë shumë mirë vetëm. Kjo rrugë e ka çuar të zgjedhë një jetë vetmitare, pa praninë e një partneri. Ia ka dalë mbanë duke e mbushur jetën e saj me pasionin për artin dhe fusha të tjera që kanë lidhje me të. Për aktoren e njohur të Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti, një zgjedhje e tillë mbart disa arsye. Jetesa në një shoqëri maskiliste e cila edhe në ditët e sotme ka prezente fenomene të diskriminimit ndaj figurës femërore dhe mosrespektimi i të drejtave kanë bërë që artistja të zgjidhte një jetë të lirë pa prezencën e presioneve mashkullore. E megjithatë, Shegushja cilëson edhe disa tipare vetjake që kanë çuar në përcaktimin e fatit të saj. Të qenit tip ambicioz, egoiste për gjërat që i takojnë, liberale në shpirt, të gjitha këto kanë ndikuar në rrjedhën e jetës. “Çdo njeri ndërton një skenar për jetën dhe të ardhmen e vet pavarësisht faktit se sa mund të ndryshojë rrugëtimi ynë. Sigurisht edhe unë, si gjithë vajzat e tjera kam dashuruar, kam pasur miq, shokë, një njeri të afërt, kemi qenë një kohë të gjatë bashkë, jemi ndarë për arsye subjektive, objektive. Nuk jam ajo vajza e ndershme, e mbyllur në kuti, e prerë me thikë. Jo, absolutisht. Por erdhi një moment që më pëlqeu kjo mënyrë jetese, që unë të isha e lirë, të veproja e pavarur. Por kam një defekt që ndikon shumë në jetën time private. Jam pak më tepër kokëfortë se sa duhet. Në përgjithësi dua të bëhet ajo që them unë. Dy gjela në një kotec nuk këndojnë. Unë jam pak gjel. Në këtë kuptim nuk ia këshilloj asnjë vajze tjetër, por janë ca gjëra që lindin me natyrën e njeriut dhe nuk i ndryshon dot. Ndoshta duhet të isha ndryshuar me kohë. Njeriu në jetë duhet dhe të falë, gjë që tek unë nuk ndodh. Unë bëj shumë për të tjerët dhe jam shumë e sinqertë, por kur diçka e prish ekuilibrin dhe marrëdhënien atëherë unë nuk fal dhe kjo s’ka kthim mbrapa. Njeriu duhet të pranojë gabimin dhe në të njëjtën kohë duhet të falet nga të tjerët. Këto gjëra tek unë ndodhin me vështirësi shumë të madhe, për të mos thënë që nuk ndodhin”. E quan kapitull të mbyllur zgjedhjen për të ndarë gjysmën e saj me dikë tjetër, edhe pse një fjalë e urtë thotë: Kurrë mos thuaj kurrë. Për Gushin ky proces ka limitet e tij. “Vjen një moment që çdo gjë ka kohën e saj. Unë nuk e di se çfarë sjell e ardhmja, çfarë mund të më ndodhë në vitet në vazhdim. Them se jetën time e kam të kompletuar kështu siç e kam, kam profesionin që e dua, hobe të tjera si biznesi, arredimi, rrobaqepësia etj. Këto angazhime kërkojnë shumë kohë dhe ma plotësojnë jetën. Gëtja ishte 80 vjeç kur u dashurua, mbase çmendem edhe unë një ditë. Por mendoj se, vjen një moshë që njeriu mendon dhe thotë, Stop. Martesa ka një kufi, moshë, e mira është që njeriu t’i bëj gjërat në rini pa diferenca”. Ndihet pak fajtore për pjesën e mohuar të partnerit, pasi siç e cilëson ajo, burri është një mbështetje në të papriturat që jeta të përball. “Zgjedhje të tilla janë shumë të vështira në jetë. Njeriu vjen në jetë, rritet dhe ka dëshirë t’i bëjë gjërat në bashkëpunim me dikë tjetër për t`u ndjerë i plotësuar; Ta përballosh jetën vetëm nuk është e lehtë. Sepse nuk është ideja të punosh dhe të çosh të ardhura. Në qoftë se unë dua të mbaroj një punë, të realizoj një plan, është e natyrshme që prania e një mashkulli do të ishte mbështetje. Lehtësia për ta çarë jetën është më e madhe kur je dy dhe jo kur je një. Por kjo është jeta, për disa që e kalojnë në prani të një partneri e për disa në prani të prioriteteve të tjera. Unë nuk do t’ia këshilloja asnjë vajze të re të bëjë një zgjedhje të tillë. Në qoftë se vendos ta bëjë, duhet të mendojë mirë dhe t’i masë forcat për t’ia dalë mbanë sa më mirë”.
Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.