Psikofakt

January 15, 2019 | 10:30

Sheila Rexho: Mëmësia do të na bëjë më të forta, për ta kthyer çdo sfidë të përditshmërisë në sukses individual!

Reflektim mëmësor i një fundjavë “lirie”…

E dashur Ti!

Këto rreshta të dedikohen ty, ty që edhe pse ndoshta bashkë, nuk jemi Best Friends, ndajmë një të përbashkët të madhe, të qenit Nënë.

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publiku, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publiku, Marketing, Gazetari

Sot është e diel. Ti ndoshta ke dalë, je çlodhur, ke shijuar ato 48 orë të fundjavës, që mbase për ty nuk janë asnjëherë mjaftueshëm, që të karikohesh me energji për të hënën dhe për një javë që fillon sërish, nga e para…

Nuk e di për Ty, por unë e gjej veten ndonjëherë të shteruar nga energjitë, nga procesi mekanik punë-shtëpi, nga lodhja mendore, se si ta sfidoj rutinën, këtu, në këtë vendin tonë, që s’ka shumë hapësira kreativiteti dhe mbi të gjitha, se si ta kënaq të voglën time, e cila pret me padurim çdo ditë, orën 18:30 që të më hidhet në qafë e të rrimë të dyja.

1Mund të të flas edhe unë për dhjetëra teori pozitiviteti, se si t’ia dalim mbanë e të jemi frymëzuese, të jemi si ato Mamat perfekte të Instagram-it, që u del koha për gjithçka, që janë gjithmonë të kuruara, që gjithmonë duken në top formë, që të qenit nënë nuk i pengon ta bëjnë jetën njëlloj si më parë. Por ja pra që realiteti nuk është kështu. Të gënjejmë veten?! 24 orë thjesht nuk mjaftojnë!!! Dita jote fillon rrëmujë, e imja nis me kaos, sado që ti të mundohesh të vësh rregull, mëngjesi të gjen rrëmbyeshëm me kapriçot e së voglës, se nuk do të zgjohet tani, se nuk i pëlqen të veshë rrobat që i ke zgjedhur ti, se nuk i hahen drithërat, se gota e qumështit të fluturon mbi parket, e ndërkohë minutat kalojnë, ty të duhet të vraposh, të jesh në kohë për punë. Mua më karakterizon një qetësi ekstreme, por ama përbrenda më vjen të shpërthej në lot, se pse duhet të më fillojë dita kështu, besoj edhe ty?!

Ti që je një nënë që shkon në punë, besoj mezi pret të arrish minimalisht 15 minuta përpara orarit zyrtar të punës, të pish atë kafenë tënde, mbase edhe një cigare për t’u “qetësuar” dhe kështu së paku ta fillosh ditën e “zgjuar”… Kurse ti fatlumja nënë që je në shtëpi me të voglin tënd, ti ke kohën tënde, e drejton ti edhe pse të besoj që e gjithë koha jote është në funksion të engjëllit tënd, se ritmi i ditës tënde fillon dhe mbaron me të, që ke nevojë edhe ti të shkëputesh qofte një 10-minutësh sa për pak ajër, për pak vetmi, nga ajo e të ndenjurit vetëm me veten tënde. Po ja që Ne, mamat pa filtra, nuk e paskemi luksin e përditshëm. Unë nuk kam kohë për palestër, ose mbase jam një menaxhuese e keqe e kohës time?! Fundjavave në Instagram-in tim shoh postime pafund, mama që sistematikisht dalin me shoqërinë, një darkë, një pije, asgjë të keqe s’ka këtu. Unë pi shpesh ndonjë burrë, pasi kam vënë Seidin në gjumë, aty në sallon, nën një dritë të zbehtë të abazhurit, duke shfletuar ndonjë faqe libri, e duke u lutur të mos më zërë gjumi, se qejfi ma ka të lexoj, e për mua ky është një nga ato momente të ditës, të cilin mezi e pres, e më shijon kaq shumë. Secila ka nevojë për veten dhe pak shkëputje nga detyrat e mëmësisë. Po ti, ti që je si unë, a e pyet veten si ia dalin ato të tjerat?

Unë e pyes shpesh, madje dhe kur tentoj të dal me shoqet, bëhem e mërzitshme në tavolinë, se filloj me telefonatat: A hëngri Seidi, a e zuri lemza? A po grindet? Po si do ta zërë gjumi pa flokët e mi? Unë jam gjithmonë pak a shumë si një Hirushe, që edhe në ato pak raste kur dal, ora 23:00 më gjen në shtëpi. Ka momente që këto postet e Instagramit më dyzojnë edhe mua të them të drejtën, se shihem në pasqyrë make up free, me topuzin lëmsh dhe flokët e shkulura, se Seidi nuk fle dot gjumë pa mi tërhequr flokët, me gjurmë pagjumësie në fytyrë dhe me një dëshirë të brendshme, që dua ta shoh edhe unë veten “të bukur”?! Të bukur me filtra?! A të vjen edhe ty, të lyhesh, kot edhe pse do rrish në shtëpi, sa për ta parë veten në pasqyrë e të kënaqesh pakëz egon, se e pe portretin tënd bukur? A je dyzuar edhe ti kështu? A ke dalë edhe ti dhe porsa je ulur e ke porositur pijen tënde, të vjen të ikësh në shtëpi? A ndihesh se e dala, s’ka të njëjtin kuptim si më parë? A ndihesh në faj se koha që do për veten në fakt s’të përket ty, i përket engjëllit që të pret në shtëpi. A ndihesh ndonjëherë egoiste, edhe kur vetë e kupton se irracionalisht po ndihesh e tillë, ndonjëherë edhe kot?

Sa kohë të mbetet për veten?

Ndonjëherë trishtohem me dimensionin kohë, çdo gjë për veten është e shkurtër, ama zemra plot se për Seidin ia vlen gjithçka dhe çdo sekondë…

Po ti që shkon në punë, që ke një motiv për karrierën tënde dhe progresin profesional, a dyzohesh ndonjëherë? A të vjen të bësh kompromis, të mos kërkosh të jesh aty ku meriton, sepse kohën tënde e meriton dikush tjetër, dikush që për ty është prioritet jete?

Shoqëria jonë ka pak femra frymëzuese, femra     që janë filtër free, që çdo sakrificë shpërblehet për hir të fëmijëve. Në Instagram shoh edhe ato, janë pak, ama më mbushin shpirtin kur i shoh, më bëjnë të ndihem se s’jam vetëm unë kështu!

Secila nga ne lufton betejat e saj të brendshme, dhjetëra pasiguri e frikëra, por që besoj se mëmësia do të na bëjë më të forta për ta kthyer çdo sfidë të përditshmërisë sonë në një sukses individual, por për sa kohë jemi “në luftë” dalshim secila FITIMTARE!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top