E premte, nga ato të qetat, jam vetëm në zyrë. Po dëgjoj duetin e fundit të James Arthur- Rewrite the Stars, ia dua shumë zërin këtij artisti, plus kjo kënga paska një tekst kaq të ndjerë e një ritëm, nga ata, që të nguliten menjëherë në memorie. Tani po që u frymëzova:
Të gjithë kemi përjetuar kohëra të arta, nga ato të të qenurit mirë me veten, ashtu në paqe, të vetë-motivuar, të lumtur me çdo gjë që na ka rrethuar e pse jo mirënjohës për çdo gjë në këtë jetë, deri në një moment të caktuar, kur papritur të ndodh që kjo magjia të “prishet”… Takon dikë, boom, një click dhe e gjen veten në vorbullën e mijëra ndjesive, emocioneve, mendimeve…
“Click” më pëlqen ta quaj, sepse në vetëm një fraksion sekondi, përmes një shikimi, një fraze të duhur, ose thjesht një shtrëngim duarsh, porsi me një klikim, ti tjetërsohesh së brendshmi. Është pikërisht ajo, kimia, për të cilën qindra psikologë na kanë servirur kaq shumë informacione, që shpesh përdoret vend e pa vend si term, sepse jo te gjithë ia dinë konotacionin, ashtu siç është…
Më vjen ndërmend një citat: “Ne nuk i njohim njerëzit gabimisht, gjithmonë ekziston një arsye për të kryqëzuar rrugët tona”
Më duket kuptimplotë… Po kur vetë koha është e gabuar?!?!
Një pasdite, teksa po shihnim në Tv përrallën e famshme të Disney-t Sirena e vogël, vajza më pyeti pse Ariel “goca peshk” (siç i thotë ajo)-donte princin me këmbë? Një koncept kaq lehtë i perceptueshëm për logjikën e një të vogle, po pak i komplikuar për t’ia shpjeguar me fjalë, sepse patjetër që dashuria, ajo e forta fare është e pakushtëzuar, për të bëhen çmendurira, dëgjohet zemra etj etj… Unë kështu dua të rritet e vogla ime, të besojë në të dhe mos të sprovohet nga miti “I duhuri, në kohën e gabuar”. Me dhjetëra libra të lexuar, filma me romanca “Not happy ending” na kanë prekur, unë për vete në të tilla raste përlotem, sepse dua të besoj se kur dashuria të troket, koha, gjithmonë është ajo e duhura…
Realiteti ama është krejt ndryshe, njerëzit sot i mohojnë vetes dashurinë…. Me këtë “click-un kimik “në mendje, jeta vazhdon, edhe kur ndjesia është e dyanshme, edhe kur koha të ka provuar se është më shumë se një flirt i pafajshëm, më shumë se një tërheqje fizike, më shumë se një nga ato miqësitë që s’do doje kurrë ta humbisje dhe mbi të gjitha kur është më shumë se vetë shuma e gjithë ndjesive, që ke provuar deri tani dhe jeta vazhdon e ju të dy nuk jeni bashkë…
Pse?! Sepse rastisët në kohën e gabuar? A është koha e gabuar relative? A nuk do jetë po faktori kohë, që do të të kthehet në boomerang, për ta zhbërë atë click-un, për ta zhdukur, për ta harruar njëherë e mirë?! Ja pra, që koha na duket sikur është kundra nesh e sërish shpresojmë, se vetë koha do të na ndihmojë të fshijmë ndjesitë, të shtiremi në perfeksion se çdo gjë është OK dhe të besojmë se mekanizmat tanë mbrojtës e kanë bërë punën e tyre më së miri….Po ai/ajo është vërtet i/e duhur(i) (a), ne e ndiejmë, e besojmë, si po e lëmë të ikë….
Kemi frikë?! A nuk është e frikshme të jetosh në boshllëk, në mungesën e dikujt qe të mbush shpirtin,në heshtje, në distancë, që kuptohesh me sy, që kimia e pashpjegueshme me të, s’do të ndodhë me askënd tjetër?! Dikush i druhet opinionit, mbase të qenurit në një marrëdhënie ekzistente, paranojat, mungesa e forcës për të bërë një hap më shumë, një hap në emër të asaj dashurie, që për ty është më shumë se aq, ka dhe kiminë brenda…
Dikush ka frikë të dalë nga comfort zone, dikush tjetër ka frikë të pranojë që e ka zënë “kimia” dhe në fund të ditës secili, kam përshtypjen, se mbart një zbrazëti koti brenda vetes dhe duhet të jetë aq e trishtueshme të shohësh në pasqyrë vetëm gjysmën e vetes, sepse pjesën tënde tjetër, atë më të mirën, e ke lënë të ikë…Ndoshta pa e ditur kurrë se ka qenë gjysma jote, click-u yt, kimia jote…
Dua që kur e vogla ime të rritet, të shohim të dyja Runaway Bride, Pretty Woman apo ndonjë tjetër romancë klasike madhështore, të përlotemi së bashku dhe në fund ajo te marrë një mesazh të madh universal: Se për dashuri, nga këto spiritualet me infinit ndjesirash, qofshin në kohëra të gabuara( kush jemi ne të gjykojmë kohën, në fund të fundit), duhet guxim dhe se për to, ia vlen gjithçka…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.