Editorial

November 10, 2023 | 14:27

Shëndeti mendor / Shoqëria shqiptare në zinxhirët e ferrit

Nga Orjona Tresa

Nuk mjafton! As edhe një protestë më shumë, reagime me pankarta të pafundme. Në rrugë apo burime shpërndarjesh vizive. Nuk mjafton më asgjë.

Fatkeqësisht nuk mjafton më asgjë për të ndryshuar atë çfarë rritet çdo ditë në nivel shifrash të frikshme në raport me popullatën. Frikshëm kemi rënë në nivelin e paarsyes. Në të jetuarit pa dhembshuri. Në sfidë gati me çdo fuqi të mbinatyrshme. Dhe kjo është pasqyrë e nivelit të jetuar në një shoqëri si e jona. Me probleme të bartura në rrënjë gjithashtu. Fatkeqësisht e vogël dhe ende me shumë probleme, social-ekonomike.

A mjafton më? Jo, mesa duket nuk mjafton më, përderisa humbje jete nga papërgjegjshmëria ndodhin çdo ditë. E më shumë se papërgjegjshmëria, ka një formë sjellore që shpërfaq një problem edhe më madhor, deformimin sjellor, probleme të theksuara që lidhen me shëndetin mendor, për të cilin askush nuk shkon deri aty sa ta konfirmojë këtë. Jo e gjithë shoqëria doemos duhet të ketë kulturën e përgjithshme për të analizuar qëndrime atipike të personave që kanë probleme të tilla. Dhe është normale. Ka një spektër të gjerë që mund të mbulohet deri sa të arrijë pikën e vlimit.

ff

Unë mendoj se shoqëria jonë ka probleme serioze me shëndetin mendor, të heshtura, e që ndajnë kohën në përditshmërinë tonë. Njerëz që fshehin diagnoza nga më të lehtat e deri më të rëndat. Probleme që vetëm një specialist mund t’i identifikojë. Mungon vëmendja, trajtimi… mungon butësia, mirësjellja.

Pjesë e problemit të shëndetit mendor është jetesa, ekonomia, pangopësia dhe për rrjedhojë, pamëshira. Jetën po na e marrin pak nga pak. Në formë të shëmtuar, të hidhur. Çartja ka kapërcyer kufijtë. Një i ri kapërcen kufijtë e arsyes, e për rrjedhojë limitet e shpejtësisë dhe për pak sa nuk i merr jetën dy bashkëmoshatarëve në mes të kryeqytetit. Ndërsa një tjetër akoma më keq, nuk llogarit as jetën e vet, dhe adrenalinës së shpejtësisë i jep gazin tej limiteve dhe, i jep fund ciklit biologjik, pa përmbushur asnjë qëllim. Një nënë, dua të besoj në kushte depresive, ndoshta dhe më rëndë se kaq, lind mes frikës dhe dështimeve me jetën e saj, një foshnje, të cilën ende pa mbushur orët e para të jetës ia këput në mes atë. Çnjerëzore, e pakonceptueshme, por e vërtetë. Fatkeqësi, tragjike, por pjesë e një realiteti që vuan dukshëm, besoj unë, nga shëndeti mendor. Por po kaq dhimbje na shtrezohet edhe mes atyre që duket se janë përgjegjës për jetën e fëmijëve. Autoriteteve që janë zgjedhur si vendimmarrës dhe kanë në duar jetën. Në spitalin pediatrik, pavionin onkologjik prindërit njoftojnë publikisht mungesën e ilaçeve spitalore. Po ky akt a nuk përbën një krim? Si ka mundësi nuk funksionojnë protokollet për marrjen e masave më herët, apo tenderat janë fatura e jetës që duhet të paguajnë këta pacientë të vegjël, të sëmurë? Çfarë emri mund t’i vëmë më gjithë kësaj panorame? Pa llogaritur më të rriturit, apo moshat e treta, që zvarriten për një kurë të radhës dyerve të shëndetësisë falas, por që e paguajmë shumëfish? E frikshme, deri kur më? Një edukatore, i thënçin, për pak desh i shkatërroi jetën një fëmije vetëm 3 vjeç. Ku është fshehur njerëzorja? Pse nuk ka më ndjeshmëri? Pse ka kaq shumë ngarkesa negative që njerëzit i bën kaq të vrazhdë?

Nuk mjafton më asgjë! Përpiqemi dhe përsëritemi në mesazhe dhe qëndrime për të ndryshuar situatën. Nuk mjafton! Kemi rënë në humbëtirën e çnjerëzores. Duhet të ringrihemi. Secili nga ne e ka për detyrë ta bëjë! Secili nga ne duhet t’ia nisë nga vetja, të reflektojë dhe të autosugjestionojë veten, edhe me sforco, për t’ia dalë mbanë. Është një ushqim i papërtypshëm më. Plagët janë të forta, nuk mund të rezistojnë gjatë. Na duhet optimizëm, vullnet dhe dëshirë të mirë për t’u ndalur nga kjo rrëpirë që po na rrëmben të gjithëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top