Mirëqenie

November 18, 2015 | 13:28

Shëndeti nis në tavolinë

Ajo që konsumojmë kontribuon drejtpërdrejtë në mirëqenin tonë fizike por gjithashtu edhe në bukurinë tonë. Dermatologët, dietologët gjithashtu, këmbëngulin se një tryezë e pasur organikisht ndikon në shëndetin psikofizik. Frutat dhe perimet janë aleatët më besnikë që kemi, por ka edhe të tjerë përbërës të rëndësishëm që nuk duhet të mungojnë në menynë ushqimore të ditës. Për të qenë të bukur duhet pak përkushtim, palestra dhe dietat nuk mjaftojnë. Për dietologen Anila Kalleshi kujdesi së pari duhet të nis nga vetja. Ajo thotë se “duhet të mësojmë të vendosim në tavolinë ushqimet e duhura, mundësisht ato bio”. Si më poshtë, për një imazh të pastër dhe tërheqës, ajo orienton disa ushqime të cilat duhen konsumuar për një pamje më tërheqëse.

Drithërat integrale

Zgjidhni jo të procesuara për të patur një lëkurë më të mirë. Pasuria e antioksidantëve që i karakterizojnë ato dhe në veçanti vitamina E, mbron qelizat duke u bërë një aleat i mirë antiplakje. Ndërkaq, embrionet e grurit përmbajnë vitaminën B, e domosdoshme për të patur flokë të shëndetshëm. Është vëne re se në prani të niveleve të larta të seleniumit, lëkura është më pak e prirur të rezistojë ndaj fenomeneve oksiduese, që shkaktojnë kanceret e lëkurës.

Peshku

Proteinat e pasura me aminoacide squfuri, të tilla si mishi, peshku etj., përbëjnë ushqimin kryesor për flokët. Tek sepjet, karkalecat, kallamarët apo oktopodët gjenden minerale mjaft të dobishme për të forcuar thonjtë apo flokët. Lëkura gjithashtu ka një përfitim maksimal nga konsumimi i produkteve të detit.

Frutat e thata

Përmbajnë vitaminat A dhe E, antioksidantë që mbrojnë lëkurën nga rrezatimet e dëmshme dhe ruajnë elasticitetin e saj. Përmbajnë acidet Omega 3 që përmirësojnë elasticitetin e lëkurës. Ato janë të mbushura edhe me bakër, që nxit prodhimin e kolagjenit. Marrja e tyre e përditshme është një ndihmë e madhe për lëkurën tuaj.

Shegët

Mbeten një ndër ushqimet e preferuara nga dermatologët. Shegët kanë në përmbajtje të tyre antioksidantë polifenole që luftojnë radikalet e lira, rregullojnë qarkullimin e gjakut dhe i japin lëkurës pamjen e shëndetshme ngjyrë rozë. Një shegë në ditë, e marrë rregullisht është çudibërëse, ndërsa e aplikuar direkt mbi lëkurë ndihmon në zbutjen e lëkurës dhe reduktimin e rrudhave.

Avokado

Ndihmon lëkurat e thata. Ky frut është i pasur veçanërisht me acide yndyrore monoinsature, që favorizojnë hidratimin e lëkurës. Përmban edhe vitaminën E, antioksidant i fuqishëm, i cili është në gjendje të mbrojë lëkurën nga radikalet e lira, të pranishme në sasi të mëdha në lëkurat e thata apo të

dehidratuara. Fruti ekzotik është në gjendje të mbajë lëkurën dhe flokët të butë. 30% e frutit përbëhet nga një lloj vaji natyral, në gjendje që të rigjenerojë qelizat.

Karotat

Karotat përmbajnë me shumicë beta-katoten, përbërës i cili i jep një ngjyrë aq të fuqishme, portokallinë. Substanca ndihmon jo vetëm sytë, por edhe lëkurën që të luftojë çdo inflamacion që mund të shfaqet.

Kanella

Dietat e pasura me sheqer dhe yndyrë nxisin plakjen e parakohshme të lëkurës. Ndërsa kanella rrit shijen natyrale duke zëvendësuar lehtësisht sheqerin. Në këtë mënyrë ajo zvogëlon mallin për ushqime me sheqer. Përveçse përmirëson gjendjen e lëkurës, ky mashtrim i vogël është një aleat i mirë për një trup të hollë.

Domatet

Mbrojnë nga rrezet ultravjollcë. Likopeni, molekula që i jep ngjyrën karakteristike të kuqe domateve, është një antioksidant mjaft i njohur për aftësinë e tij për të neutralizuar radikalet e lira, të prodhuara nga ekspozimi ndaj rrezeve të diellit. Për këtë fakt, domatet janë ushqimi kyç kundër rrudhave të vogla dhe njollave kafe të lëkurës.

E verdha e vezës

E pasur me vitaminë B8, ajo siguron elementet e nevojshme për prodhimin e thonjve rezistentë.

Fasulet

Janë të pasura në zink. Studimet flasin për lidhje midis niveleve të ulëta të zinkut dhe njollave që bëhen në fytyrë. Zinku ka aftësi mjaft kurative për lëkurën tuaj.

Uji

Sasia ideale do të ishte dy litra në ditë, e mjaftueshme që lëkura të jetë me dritë dhe vitale. Por kur themi ujë, nuk do të thotë që atë ta merrni të gazuar apo me përmbajtje sheqeri, i cili është mjaft i dëmshëm për lëkurën dhe organizmin në përgjithësi. Uji ka në përmbajtje shumë minerale, që janë të rëndësishme për shëndetin e lëkurës dhe pamjen e saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top