Lifestyle

June 13, 2017 | 10:51

Shëndeti Publik publikon hartën e plazheve të ndotura

Drejtoria e Shëndetit Publik në Vlorë ka dhënë hartën e plazheve me ndotje mbi normën e lejuar. Plazhi i Zvërnecit, duke saktësuar më së shumti vetëm pjesën pranë Petroliferës, Plazhi i Vjetër, zona pranë Akademisë së Marinës dhe Plazhi i Ri janë konsideruar si më problematiket sa i përket nivelit të ndotjes së ujit, shkruan Panorama.

1

Tashmë sezoni turistik ka nisur dhe plazhet e Vlorës mbeten ndër më të frekuentuarat nga pushuesit. Por preferencat e tyre mbeten kryesisht duke filluar në zonat e Ujit të Ftohtë deri në Orikum, aty ku edhe plazhet rezultojnë të jenë më të pastra.

Sipas të dhënave, në përfundim të monitorimit të ujërave detare ndërmarrë nga Drejtoria e Shëndetit Publik, Plazhi i Vjetër dhe ai në afërsi të Portit të Petroliferës vijojnë të listohen ndër zonat më të ndotura. Ndotja në to mbetet mbi nivelin e lejuar. Në bazë të një raporti të Drejtorisë së Shëndetit Publik, konfirmohet se problematikat kanë qenë prezente edhe gjatë viteve të shkuara.

Ndotja e krijuar nga Petrolifera mbetet një nga shkaqet kryesore për dëmtimin në këto dy plazhe, të cilat gjenden afër njëra­tjetrës. “Në këto plazhe ka ndotje mbi normativën, por këto zona nuk janë shumë të frekuentuara. Pushuesit janë gjithmonë edhe më të paktë për të frekuentuar këto dy plazhe të Vlorës. Pushtuesit zgjedhin ta kalojnë zonën e Ujit të Ftohtë, pasi deti është dukshëm më i pastër. Ne kemi vite që nuk shkojmë në këto zona, ku edhe Drejtoria e Shëndetit Publik i ka nxjerrë të ndotura mbi normën e lejuar në saje të monitorimit të bërë”, u shpreh një qytetar i Vlorës.

Ndër plazhet e ndotura listohen edhe ato nga Skela deri tek Uji i Ftohtë, por situata aty është përmirësuar ndjeshëm vetëm pas investimeve në rrjetin e kanalizimeve nëntokësore, çka ka disiplinuar derdhjen e ujërave të zeza në det. Bizneset që operojnë përgjatë vijës bregdetare kanë detyrim pastrimin e zonës, por edhe janë përgjegjës të drejtpërdrejtë në rast se konstatohet ndotje në ujërat detare.

Edhe më herët këto plazhe janë listuar në hartat e plazheve të ndotura në Shqipëri në një raport të Institutit të Shëndetit Publik. Drejtoria e Shëndetit Publik konfirmon se gjatë muajit qershor pritet të ketë sërish monitorim të ujit të detit në këto zona, për të parë nëse ka përmirësim të cilësisë dhe nëse këto plazhe mund të listohen në të frekuentuara ose jo nga pushuesit. Gjithsesi, referuar situatës së plazheve, pavarësisht ndotjes së vërejtur në katër plazhe, Vlora listohet ndër bregdetet më të pastra dhe cilësore gjatë 80 për qind të vijës bregdetare.

 
 
 
 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top