Mirëqenie

November 27, 2015 | 9:27

Shëndeti seksual, ndikimi në mirëqenien psikofizike

Nga: Besarta Taçi

Diplomuar në fakultetin e Torinos, Itali si psikologe, projektuese, figurë që ndërton projekte që lidhen me problemet sociale dhe ndërhyn te individët në nevojë, specializuar për “Konsulencë Seksuale. Me përvojë në ndihmën kundrejt adoleshentëve, personave me varësi nga droga, alkooli apo interneti, me nëna që shfaqin dukshëm probleme psikike sa i takon aftësisë prindërore.

Shëndeti seksual prek sferën bio-psiko-sociale të individit. Për ta kuptuar sa më mirë, duhet të shkojmë pas në kohë, në 1978 vit kur Organizata Botërore e Shëndetit Seksual vendosi të hartojë një dokument ku promovohet shëndeti seksual dhe të drejtat seksuale në të gjithë planetin. Ka më shumë se 35 vjet tashmë, që edukata seksuale nëpër shkolla nuk është e braktisur në duart e profesoreshës së biologjisë, e cila me shumë mundim, duke ruajtur dekorin profesional, përpiqej të shpjegonte të vetmin kapitull ku, organet gjenitale mashkullore dhe femërore ishin të zbuluara, “Kapitulli mbi riprodhimin seksual”. Konferenca Ndërkombëtare mbi popullsinë dhe zhvillimin global në 1994 ka nënvizuar me shumë krenari rolin e shëndetit seksual si kërkesë thelbësore për shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin njerëzor.

Në 2007 (OBSH) përpiloi me shumë kujdes “Deklaratën mbi Shëndetin Seksual për Mijëvjeçarin”, e cila që në rreshtat e parë nënvizon promovimin e shëndetit seksual si element thelbësor, për të arritur shëndetin dhe zhvillimin e çdo personi, por edhe favorizimin e cilësisë së jetës, realizimin e paqes dhe lehtësimin e varfërisë, duke i kërkuar të gjithëve të: njohin, promovojnë dhe kujdesen për të drejtat seksuale, barazinë gjinore, dënojnë, luftojnë dhe reduktojnë çdo formë dhune seksuale; të sigurojnë të drejtën universale për informacionet seksuale; të ndalojnë dhe të ndërhyjnë në përhapjen e Hiv/Sida dhe sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme; të identifikojnë dhe trajtojnë problemet, disfunksionet dhe çrregullimet seksuale; të njohin kënaqësinë seksuale si pjesë e mirëqenies. Për çdo pikë, OBSH shpjegon imtësisht sesi çdo shtet, institucion, profesionistë të shëndetit duhet të ndërhyjnë për të arritur rezultate optimale.

Nëse shëndeti global i personit është i varur edhe nga shëndeti seksual, nëse sot në 2015 në realitetin ku jetojmë mungon:

  • informacioni profesional;
  • vetëdija e rëndësisë së kënaqësisë seksuale si faktor i rëndësishëm për shëndetin;
  • seksologë që kurojnë çrregullimet seksuale;
  • lënda e edukatës mbi emocionin dhe seksualitetin

Si mund të pretendojmë ose dhe thjesht, shpresojmë për një mirëqenie globale? Si mund të pretendojmë që paragjykimet, fobitë kolektive mbi seksin dhe seksualitetin, të mos jenë të pranishme në shoqërinë tonë, kur ky dokument (Deklarata për Shëndetin Seksual për Mijëvjeçarin) ende sot nuk është përkthyer në gjuhën shqipe?! Si mund të shpresojmë në eliminimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, në reduktimin e numrit të aborteve, në përmirësimin e seksualitetin në çift?

Përtej problematikave reale, që çdo individ përjeton në lidhje me këto tematika, do dëshiroja që çdo person që sapo ka lexuar këto rreshta, të pyeste veten kush është roli i tij në lidhje me tematika mbi seksualitetin dhe shëndetin seksual, qoftë ai një baba i ri, një vajzë adoleshente, nënë e dy fëmijëve të vegjël, gjyshe në menopauzë apo gjysh, të cilit diabeti ka kohë që i ka dëmtuar intimitetin me bashkëshorten. Seksualiteti ynë është imtësisht i lidhur me gjininë dhe me identitetin seksual, pjesë këto që varen nga identiteti ynë global. Përtej gjinisë që përcaktohet kur foshnja vjen në jetë, bashkë me edukatën prindërore, mënyrën se si fëmija është, hyn në lidhje shoqërore me bashkëmoshatarët e tij, ndikimi i fazës së pubertetit dhe përjetimi i seksualitetit në çift kualifikojnë tërësish përvojën e personit, lidhur me shëndetin seksual. Pra ka shumë faza përftuese fizike dhe emocionale, të cilat na përgatisin për të përjetuar seksualitetin në të gjitha dimensionet jetësore personale dhe sociale. Gjithashtu, përvoja në lidhje me seksualitetin, na bën të vetëdijshëm për shijet, pëlqimet apo mospëlqimet, vështirësitë ose paragjykimet në lidhje me këtë aspekt. Ndërgjegjësimi mbi vështirësitë personale lidhur me seksualitetin, qofshin ato informacione të gabuara apo çrregullime që na bëjnë të vuajmë mungesën e aktivitetit seksual, përjetimi i çdo dhune fizike që na bën të frikësohemi çdo herë që dikush na afrohet pak më shumë se ç’duhet, janë motivacione tepër të rëndësishme, që duhet të na vënë në lëvizje për të kërkuar ndihmë te psiko-seksologu, gjinekologu apo andrologu, duke nënvizuar të drejtën për informacion. Çdo prind, i cili është i pranishëm në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës së tij në rritje, duhet të jetë promotori i parë mbi shëndetin seksual. Institucionet shkollore janë agjencia e parë edukative, ku fëmijët bëjnë krahasime me njëri-tjetrin, ku lindin pyetjet mbi ndryshimin gjinor, mbi tematikat e pubertetit apo përjetimet e para të seksualitetin. Klasa duhet të jetë vendi ku dialogu i hapur mbi tematika delikate të emocionit dhe seksualitetit, nuk duhet të mungojnë kurrë, sepse mos informimi është njësoj si mohimi i këtij aspekti jetësor. Mos lejoni që interneti të jetë dialoguesi i fëmijëve tuaj. Prindi ka një pushtet te pamohueshëm mbi formimin seksual të fëmijës. Konsultoret familjare janë vendet të cilat i përgjigjen individit për planifikimin familjar, parandalimin e sëmundjeve seksuale mbi popullsinë në risk, ose me terapitë farmakologjike. Është e drejta e çdo individi t’i trokasë këtyre agjencive shëndetësore për të kërkuar informacione apo ndihmë. Sot, ku pikërisht mungon informacioni brenda territorit ku banohet, i atyre pikave që janë të gatshme të ofrojnë mbështetje, një pjesë e bollshme e personave që banojnë nëpër rrethe dhe që kanë një problem seksual, mbyllen në heshtje dhe i prezantohen profesionistëve në nivelin e avancuar të patologjisë. Një pjesë e mirë e çifteve të reja kërkojnë këshillime seksuale për të përmirësuar përjetimin e seksualitetit dhe për të rritur mirëqenien.

Fatkeqësisht, tabutë mbi seksualitetin janë akoma trashëgimi që përcillen edhe sot. Pjesa që ende prezanton statistika jo indiferente: 20% e të rinjve nga mosha 15-24 vjeçare janë të infektuar gjatë raporteve seksuale (herpesi, clamidia, gonorrea, infeksioni mykotik, më i përhapuri). Ndërkaq, numri i aborteve në Shqipëri vazhdon e rritet. Mungesa e informacionit mbi shumëllojshmërinë e metodave kontraceptive, lidhur me një imazh paragjykues mbi përdorimin e metodave barrierë si prezervativi, për të parandaluar shtatzëninë e padëshirueshme. Kjo na bën të mendojmë që ne, populli i shqiponjave të jemi akoma shumë larg konceptit që tashmë ka më shumë së 35 vjet që është pjesë e mentalitetit Europian: “Shëndeti Seksual është pjesë themelore e shëndetit global”. Ne profesionistët e fushës nuk do të lodhemi kurrë të edukojmë mbi rëndësinë e respektit mbi veten, si rregull i parë, për t’u ruajtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, duke përjetuar seksualitetin në lirshmëri totale dhe duke e bërë pjesë e mirëqenies personale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top