Këshilla & Arsye

September 16, 2017 | 8:00

Shenjat e depresionit tek meshkujt

Më shumë se 5 milionë meshkuj shfaqin shenja  të depresionit çdo vit në SHBA.

Depresioni klinik – tek femrat apo meshkujt – mund të shkaktojë trishtim dhe humbje të interesit në aktivitetete përditshme. Por depresioni nganjëherë mund të shfaqet në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm.

Ndërsa shenjat për të diagnostikuar depresionin janë të njëjta pavarësisht nga gjinia, shpesh ankesat kryesore mund të jenë të ndryshme midis  meshkujve dhe femrave.

Shenja të depresionit tek meshkujt:

1

Ndihen të lodhur

Njerëzit të cilët janë në depresion kalojnë nëpër një seri ndryshimesh fizike dhe emocionale. Ata mund të përjetojnë lodhje, si dhe ngadalësim të aftësive psiko-motorike – ngadalësim të lëvizjeve fizike, të të folurit, dhe procesit të të menduarit.

 

Flenë tepër shumë ose tepër pak

Kanë probleme me gjumin – si nuk mund të flenë, zgjohen herët në mëngjes, ose flenë tepër. Këto janë simptoma të zakonshme të depresionit.

Disa persona flenë 12 orë në ditë dhe prapë ndihen të lodhur, ose nuk flenë rehat, duke u zgjuar çdo dy orë.

 

Kanë dhimbje të barkut ose të shpinës

Problemet shëndetësore si kapsllëku ose jashtëqitja, si dhe kokëdhembja dhe dhembjet e shpinës, janë të zakonshme tek personat në depresion.

Por, shpesh meshkujt nuk arrijnë ta kuptojnë se dhimbja kronike dhe çrregullimet në sistemin e tretjes shkojnë krah për krahu me depresionin.

 

Irritohen lehtë

Në vend se të tërhiqen në vetvete, meshkujt që janë në depresion shpesh shfaqin shenja të irritimit. Nëse flasin për gjendje emocionale, mund të jenë të pikëlluar ose të irrituar.

Përveq kësaj, mendimet negative përbëjnë një aspekt të zakonshëm të depresionit. Meshkujt raportojnë se ndihen të irrituar, pasi në mënyrë konstante kanë mendime negative.

 

Kanë vështirësi për t’u përqëndruar

Retardimi psikomotorik mund të ngadalësojë aftësinë e mashkullit për të procesuar informacionin, duke ndikuar kështu në përqëndrimin e tyre në punë dhe në detyra të tjera.

Depresioni e mbush njeriun me mendime negative, ju ngadalësoheni dhe mendoni vazhdimisht për gjërat negative në botë. Si rezultat i kësaj, bëhet shumë e vështirë që të përqëndroheni në diçka.

Zemërohen dhe armiqësohen

Tek disa meshkuj depresioni manifestohet me armiqësi, zemërim ose agresivitet. Një mashkull i cili e kupton se diçka nuk është në rregull mund ta ndiejë nevojën që ta mbulojë atë përmes zemërimit, agresivitetit ose armiqësisë, duke demonstruar në këtë mënyrë se ai ende është i fortë dhe i aftë.

 

Janë të stresuar

Meshkujt janë më të prirur t’i raportojnë simptomat e depresionit si stres. Kjo nuk do të thotë se ata kanë më shumë stres, por është më e pranueshme për shoqërinë që të ta pranojnë stresin.

Hulumtimet kanë treguar se ekspozimi i tejzgjatur ndaj stresit mund të çojë në ndryshime si fizike ashtu edhe mendore, që në fund mund të çojnë në depresion.

 

Kanë ankth

Hulumtimet kanë treguar se ka një lidhje të fortë ndërmjet çrregullimeve si ankthi dhe depresioni.

Meshkujt mund të mos jenë më të prirur se femrat ndaj ankthit – në fakt ky lloj çrregullimi është dy herë më i shpeshtë tek femrat – por shpesh për meshkujt është me lehtë të thonë se ndihen në ankth se sa të thonë se ndihen të pikëlluar.

Meshkujt mund të diskutojnë shqetësimet e tyre lidhur me punën dhe lidhur me atë se a mund të ndikojë humbja e punës në aftësinë e tyre për të mbështetur vetveten dhe familjen e tyre. Me fjalë të tjera, për ta është më e lehtë ta shfaqin atë si brengosje dhe frikë.

 

Abuzimi me substanca të ndryshme

Abuzimi me substanca shumë shpesh e shoqëron depresionin. Të varurit nga alkooli janë dy herë më të prirur të vuajnë nga depresioni i thellë se sa ata që nuk kanë problem me pijen.

Kjo mund të ndodhë edhe tek meshkujt edhe tek femrat, por shfrytëzimi i drogave ose i alkoolit për të maskuar depresionin është një strategji të cilën shumë meshkuj e përdorin në vend se të kërkojnë kujdes shëndetësor.

 

Mosfunksionimi seksual

Depresioni është një arsye e shpeshtë e humbjes së dëshirë seksuale dhe problemeve me ereksionin. Dhe kjo është një simptomë të cilën meshkujt nuk dëshirojnë ta raportojnë. Problemet me performancën seksuale mund të vijnë si pasojë e depresionit dhe mund edhe ta përkeqësojnë atë, thonë mjekët.
Megjithatë, problemet me ereksionin mund të jenë rezultat i ndonjë gjendjeje tjetër mjekësore ose barërave (përfshirë antidepresivët), dhe kjo simptomë, nëse është e vetmja, nuk do të thotë se është shenjë e depresionit.

 

Nuk mund të marrin vendime

Nuk mund të numërohen njerëzit të cilët thonë “kisha para në bankë por telefoni m’u fik pasi që nuk mund të vija ta paguaja faturën ose të vendos se çka të bëj dhe kur”, thonë doktorët.

Disa njerëz nga natyra kanë vështirësi të marrin vendime, kështu që paaftësia për të marrë vendime duhet të konsiderohet brengosëse vetëm nëse është një sjellje që nuk është vënë re me herët.

Mendimet për vetëvrasje

Femrat janë më shumë të prira të tentojnë vetëvrasjen, por gjasat që meshkujt të vdesin gjatë tentativës për të bërë vetëvrasje janë katër herë më të mëdha se tek femrat. Njëra nga arsyet për këtë është se ata zgjedhin metoda më vdekjeprurëse. ‘Ata përdorin më shpesh armë për të kryer vetëvrasjen dhe vdesin në tentativën e parë për të kryer atë”, thonë mjekët.
Meshkujt më të vjetër janë në rrezik më të madh nga vetëvrasja, dhe mjekët mund të mos vërejnë shenjat e depresionit tek ky grup. Në fakt, më shumë se 70% e viktimave të vetëvrasjes, të cilët kanë pasur moshë më të shtyrë, e kanë vizituar mjekun e tyre në muajin kur kanë vdekur.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top