Grindjet janë të pashmangshme dhe janë pjesë e jetës. Prandaj, mos kërkoni t’i eliminoni krejtësisht: do të humbnit vetëm kohë dhe energji. Kujtohuni se fëmijët tuaj kanë nevojë edhe të zihen për t’u rritur.
Në një moment qetësie, nëse janë tashmë 5-6 vjeçarë, shpjegojuni fëmijëve gjithçka se pse nuk mund t’u lejoni që të bëjnë dhe thonë çdo gjë që duan, edhe nëse janë të zemëruar. Respekti mes njerëzve është themelor. Sherri i përditshëm është i padurueshëm. Jepuni disa shembuj: çfarë do të ndodhte nëse të gjithë do të rriheshin e do të shaheshin dhe askush të mos mendonte për tjetrin? Ekzagjerojeni problemin në mënyrë që fëmijët ta kuptojnë më mirë: Çfarë do të ndodhte në shkollë, nëse mësuesit do të rrihnin njëri-tjetrin?
Jo fyerje, jo goditje
Imponojuni disa rregulla kategorike: sigurisht mund të ziheni, sigurisht çdo njeri ka të drejtë të shprehë zemërimin, inatin, hidhësinë. Por jo goditje, jo fyerje, jo poshtërime. Dhe bëjani të ditur çmimin që do të paguajnë: dhuna do të ndëshkohet në funksion të rëndesës: qysh nga një ndëshkim i thjeshtë (secili në dhomën e vet për një kohë të përcaktuar) deri te ndalimi për të parë tv ose për të luajtur me videogames… Kujdes (sa më shumë të jetë e mundur) ndaj rregullave që vetë i keni vendosur. Duhet t’i respektoni. Fëmijët jo vetëm nuk do ta kuptonin se pse nuk i vini në praktikë rregullat që keni caktuar, por do të humbnit edhe autoritetin; dhe përveç kësaj, ngurrimet e prindërve provokojnë ankth dhe humbje të pikave të referimit te fëmijët. Kjo do ta rëndonte situatën që do të donit të përmirësonit. Dhe mos harroni! Nëse nuk e keni parë sherrin dhe nuk keni nga ta dini kush ka bërë çfarë: Në këtë rast mos bëni diferenca, ndëshkojini të gjithë ata që janë përfshirë në sherr.
Diskutoni në tryezë
Të flasësh është themelore për të shprehur çfarë ke brenda. Nëse vë re se sherri derivon në një konflikt të rëndësishëm ose njëri nga fëmijët është veçanërisht i lënduar, organizoni një “tryezë të rrumbullakët”, ku gjithsecili fëmijë ka kohë për t’u shprehur pa u shqetësuar. Shmangni që sherri të rifillojë edhe aty. Ndihmojini fëmijët të flasin për çfarë mendojnë. Inkurajoni diskutimin. Pra, sherri duhet të kthehet në një dialog konstruktiv. Këto momente të shkëmbimit verbal i lejojnë fëmijët (edhe prindërit) të kuptojnë se mund të zgjidhet një konflikt edhe pa përdorur forcën.
Vini veten në diskutim
Sherret janë të vazhdueshme dhe ndjeni se po humbni kontrollin e situatës? Vëzhgoni veten: si silleni në jetën e përditshme? Bërtisni shpesh? Bëni sherre me partnerin përpara fëmijëve? Jeni duke kaluar një periudhë konfliktuale me miqtë, të afërmit, kolegët e punës? Nëse është kështu, gjeni një mënyrë për të përmirësuar situatën. Flisni për vështirësitë tuaja me fëmijët, pa hyrë në detaje që nuk u përkasin. Të merrni në konsideratë vuajtjen e fëmijës në raport me marrëdhëniet e tua mund të ndihmojë për të sheshuar konfliktet.
Aktivitete t’u bërë bashkë
Jepini hapësirë imagjinatës dhe organizoni aktivitete në familje: shëtitje me biçikletë, pishinë, vizitë në muze, piknik… dhe pastaj: pse nuk përfitoni nga këto projekte për të bërë një “mbledhje familjare”? Kërkojini secilit, edhe më të vegjëlve, të gjejë një ide, edhe nëse duket e parealizueshme! Mund të gjendet gjithnjë një mënyrë për të shfrytëzuar ose për ta shndërruar një ëndërr në projekt. Mos harroni: shpesh mërzia është shkak sherresh (kur nuk ke çfarë të bësh, ngacmon tjetrin). Përkundrazi, kur je i zënë nuk ke kohë për sherre. Dhe nëse e ndjeni se atmosfera po nxehet, propozoni një shëtitje. Do ta shikoni se argëtimi do ta qetësojë marrëdhënien mes vëllezërve…
Aktivitete të rezervuara
Aktivitetet e bëra vetëm me prindin e bëjnë fëmijën të ndihet special dhe i dashur. Me radhë, kaloni pak kohë me secilin prej fëmijëve tuaj: mund të shkoni në kinema, të bëni një shëtitje, të përgatisni një tortë, të shkoni në park… I rëndësishëm nuk është edhe aq aktiviteti i zgjedhur, sesa fakti që fëmija rri vetëm me prindin. Atmosfera do të jetë më e shtendosur pas këtyre veprimtarive, sepse secili nga fëmijët me radhë do ta ketë këtë “privilegj”. Mos lini të kalojë shumë kohë nga njëri aktivitet te tjetri që i përket fëmijës tjetër: njëri nga fëmijët mund të ndihet jashtë vëmendjes se vëllai apo motra që e kanë shijuar aktivitetin e tyre sakaq. Kjo gjë rrezikon rishpërthimin e ndjenjës së rivalitetit, pra të sherreve.
Të zihesh për t’u rritur
Grindjet janë të pashmangshme dhe janë pjesë e jetës. Prandaj, mos kërkoni t’i eliminoni krejtësisht: do të humbnit vetëm kohë dhe energji. Kujtohuni se fëmijët tuaj kanë nevojë edhe të zihen për t’u rritur. Lëreni që një pjesë e dhunës të shprehet, me kushtin që të mos degjenerojë. Dashuria nuk është e bukur nëse nuk ka sherre!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.