Shpeshherë burimi i shkaktimit të dhimbjes mbetet i panjohur tek ata që vuajnë prej saj. Për këtë, ekzistojnë një sërë arsyesh potenciale përse shkaktohet kjo lloj dhimbjeje në pjesën e gjoksit.
Problemet hormonale
Gjatë fazës paramenstruale ose edhe gjatë ciklit, ju mund të përjetoni dhimbje gjoksi. Në këtë rast, shkaku kryesor vjen nga ndryshimi i nivelit të hormoneve femërore që provokojnë ndjesinë e dhimbjes. Ka mundësi gjithashtu që gjoksi t’ju dhembë edhe gjatë ovulimit ose edhe nga pilulat kontraceptive.
Paslindja
Pas lindjes së fëmijës, mund të ndodhë që gratë të ndiejnë dhimbje në gjoks në rastin kur ato nuk mund të ushqejnë fëmijën me qumështin e gjirit për shkak të mungesës së tij. Padyshim, dhimbjet dhe ndjesinë e bezdisjes në gjoks mund ta ndieni gjatë fillimit të periudhës së paslindjes.
Mastiti, inflamacioni i gjirit
Bëhet fjalë për një inflamacion të gjirit që mund të shkaktohet nga lëndimet e shkaktuara pa qëllim nga foshnja apo bllokimi i ndonjë kanali të qumështit. Simptomat që vërehen në këtë rast, përveç dhimbjes e cila sa vjen dhe rritet, janë skuqja e zonës rreth mamelave (thithat e gjirit) dhe temperatura e lartë. Nëse ju ndodh kjo gjë, atëherë është mirë që t’i drejtoheni mjekut për të kuruar patologjinë.
Kistet
Në brendësi të gjoksit mund të formohen kiste të vogla, qeska të mbushura me ujë të shkaktuara nga gjëndra të ënjtura, të cilat provokojnë dhimbje. Nëse janë shumë të vogla nuk shkaktojnë ndonjë bezdisje të tillë sa për të shkuar te mjeku, por kur bëhen të mëdha dhe ju dhembin shumë, është mirë që t’i drejtoheni menjëherë specialistit për largimin e mundshëm të tyre.
Reçipetat
Përtej arsyeve mjekësore mund të jenë edhe shkaqe të tjera që shkaktojnë dhimbje në gjoks. Për shembull, rasti i reçipetave të ngushta është një prej tyre, që shkakton dhimbje jo vetëm në gjoks, por edhe në shpinë.
Vlerësimi i dhimbjes së gjoksit
Femrat duhet t’ia tregojnë mjekut të gjitha ankesat përsa i takon dhimbjeve të vazhdueshme të gjoksit. Mjeku do të bëjë vlerësimin e dhimbjes, do të marrë parasysh historinë personale të femrës, historinë familjare, zonën e dhimbjes, intensitetin dhe kohëzgjatjen e dhimbjes dhe shkallën në të cilën dhimbja ndërvepron me stilin saj të jetës.
Burimi / Intv.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.