Alergjitë dhe astma janë dy probleme të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Të njëjtat substanca që shkaktojnë simptoma të rrufës, si poleni apo pluhuri, mund të shkaktojnë edhe shenja apo simptoma të astmës. Te disa persona, alergjitë ndaj ushqimeve mund të shkaktojnë simptoma të astmës. Kjo quhet ndryshe astma alergjike apo riniti alergjik.
Si mund të shkaktojë riniti alergjik simptoma të astmës?
Riniti alergjik është probabilisht sëmundja alergjike me shpeshtësinë më të lartë ndërmjet sëmundjeve alergjike. Riniti alergjik shfaqet kur antitrupat identifikojnë gabimisht një substancë të zakonshme jo të dëmshme si një të tillë. Kjo substancë njihet me emrin alergen.
Sistemi imun i përgjigjet këtij alergeni duke çliruar histaminë e substanca të tjera që janë përgjegjëse për simptoma në hundë, faring, sy, veshë, lëkurë dhe pjesën e pasme të gojës. Simptomat e rinitit alergjik janë: rinorea (rrjedhje e ujshme e hundëve), obstrukionin nazal (bllokim të hundëve), pruritin nazal (të kruarat e kundës) dhe teshtimat. Gjithashtu ai shoqërohet dhe me konjuktivitin alergjik që karakterizohet nga pruriti i syve dhe lotimi i shtuar, gjithashtu dhe me të kruara të qiellzës. Këto simptoma janë të pranishme disa ditë apo javë rresht kur pacienti nuk është me grip.
Riniti shkaktohet nga inflamacioni apo irritimi i mukozës së hundës, i cili ndodh si përgjigje ndaj disa agjentëve përfshi dhe infeksionin dhe alergenët ambientale. Riniti alergjik përcaktohet klinikisht si një “çrregullim simptomatik i hundës”, i nxitur nga inflamacioni i ndërmjetësuar nga Imunoglobulinat E (IgE) pas ekspozimit të mukozës nazale (të hundës) ndaj alergenëve të ndryshëm ambientalë si polenet, pluhuri i shtëpisë, myqet, epiteli kafshëve etj.
Kush është më i rrezikuar nga astma alergjike?
Historia familjare është një ndër faktorët e rrezikut më të mëdhenj të astmës alergjike. Temperatura e lartë ose të pasurit alergji nga faktorë të tjerë rrit rrezikun për zhvillimin e astmës alergjike.
Të gjitha llojet e astmës shkaktohen nga alergjitë?
Edhe pse astma alergjike është shumë e përhapur te njerëzit, ka edhe lloje të tjera të astmës që shkaktohen nga faktorë të tjerë, si infeksionet, ajri i ftohtë, sëmundja e refluksit gastroezofageal ose stresi.
Trajtimi dhe ndjekja e rinitit alergjik
Trajtimi përmbledh evitimin e alergenëve, trajtimin medikamentoz dhe imunoterapia alergenspecifike (vaksina). Në momentin që është identifikuar alergeni shkaktari i rinitit, mjeku alergolog mund të hartojë një plan për evitimin e alergenit që shkakton sëmundjen. Për shembull nëse ju jeni alergjik nga pluhuri i shtëpisë apo myku i brendshëm atëherë duhet të merrni masat për të ulur sasinë e tyre në shtëpi.
Për alergenët e jashtëm, siç janë polenet, masat e evitimit janë kufizimi i aktiviteteve në natyrë gjatë periudhës që ka nivele të larta të poleneve në ajër. Trajtimi medikamentoz zakonisht është i nevojshëm. Është mjekim simptomatik që përdoret për lehtësimin e simptomave të rinitit. Këto mjekime mund të jenë kortikosteroide intranazalë (kortizonikë) në formë spray, antihistaminikë nazalë apo tableta etj, të cilët kombinohen nga mjeku në varësi të formës së sëmundjes.
Antihistaminikët duhet zgjidhen ato lloje që nuk shkaktojnë përgjumje, të gjeneratës së dytë, të cilat lehtësojnë rinorenë, teshtimat dhe pruritin nazal por nuk arrijnë të qetësojnë bllokimin e hundës. Steroidet nazale janë më të fuqishëm në qetësimin e bllokimit nazal. Dekongjestionantët nuk duhet të përdoren si mjekim mbajtës për rinitin alergjik. Mjekimet vetëm mbajnë nën kontroll simptomat nuk e shërojnë sëmundjen. Shumica e mjekimeve antialergjike për rinitin alergjik sezonal japin efektin maksimal kur fillohen të paktën dy javë përpara sezonit polenik, kështu që mjekimi parandalon shfaqjen e simptomave të sëmundjes.
Imunoterapia specifike (vaksina antialergjike) është një mjekim tashmë i provuar për më shumë se 100 vite, i cili siguron një lehtësim afat-gjatë për shumë pacientë që vuajnë nga riniti alergjik. Imunoterapia është në dy forma me injeksione dhe orale (nën-gjuhë) me pika apo tableta. Është një terapi e cila ka një kohëzgjatje minimale prej 3 vitesh e optimale prej 5 vitesh, në mënyrë që të marrim efektet e saj mbrojtëse.
Nëse vuani nga simptomat e përmendura më lart, caktoni sa më shpejt një takim tek alergologu!
Burimi / Shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.