Përgatiti Orjona Tresa
“Je e shpifur”, i thanë shokët. Një fjali e shkurtër, por e rëndë si gur. Përçmimi, i mbuluar me ironi apo tallje, po shton çdo ditë radhët e të rinjve të thyer shpirtërisht. Negativiteti është kthyer në mënyrën më të shëmtuar të shprehjes emocionale mes adoleshentëve.
Një tjetër rast tronditës u regjistrua së fundmi. Një vajzë 15-vjeçare nga Saranda tentoi të ndërpriste jetën e saj, pas fyerjeve të vazhdueshme që kishte marrë nga bashkëmoshatarët. Ajo u hodh nga ballkoni i banesës, në një akt dëshpërimi të thellë që fatmirësisht nuk rezultoi fatal. Vajza është ende gjallë, një mrekulli mes errësirës së madhe që e kishte mbuluar.
Nuk ishte hera e parë që kjo e re përpiqej t’i jepte fund dhimbjes me heshtjen e përhershme. Babai i saj, Arben Cërriku, rrëfeu mes lotësh për gazetaren Shpresa Dine nga News24 se vajza kishte kohë që vuante në heshtje, nën peshën e fjalëve që nuk lënë shenja në lëkurë, por plagosin më thellë se gjithçka tjetër: në shpirt. Ofendimet, përqeshjet, komentet denigruese nga shokët dhe shoqet ishin bërë pjesë e përditshme e jetës së saj. Kjo ngjarje ka tronditur thellë qytetin e Sarandës. Por përtej titujve dhe rrjeteve sociale, mbetet një pyetje e madhe: Ku po gabojmë si shoqëri?
Bullizmi nuk është më thjesht një “periudhë e vështirë” e adoleshencës. Është një plagë që po thellohet çdo ditë, duke shkatërruar jetë, ëndrra dhe shpresa. Në një moshë kur të rinjtë duhet të ndërtojnë veten, ata shkatërrohen nga të tjerët, dhe shpesh, të gjithë ne heshtim.
Intervista
“Vajza vjen dje nga shkolla, rreth orës 13:30. (qan) I thotë të vëllait: Nesti, një vajzë dhe një shok në klasë më ofendon dhe më thotë ‘je e shpifur’. Vëlla i tha, ‘mos u mërzit se do ta zgjidhim’. Vajza u shtri në krevat dopio dhe ish-gruaja po bisedonte me një mësuese. Për hatër të fëmijëve, u bashkuam dhe ishim të gjithë bashkë. Dje kishim dhe ditëlindjen e djalit të vogël, mbush 12 vjeç. Në një moment gruaja dëgjon një zhurmë dhe më thotë, ‘O Ben, shiko pak se çfarë ishte’. I thashë, ‘nuk ka gjë’. Ajo del në ballkon dhe sheh vajzën shtrirë. Ulëriti. Dalim të gjithë jashtë. U mblodhën të gjithë dhe e çuam në spital. Erdhi ambulanca dhe e çuam në spital. Për momentin këtu u përmend. Nuk është hera e parë që vajza vjen e ndrojtur, dhe e frikësuar nga shokët dhe shoqet. Tani është në gjimnaz, por e njëjta gjë i ndodhte dhe në 9-vjeçare. Ne bisedonim me të, e nxirrja. E shihja se kohët e fundit ishte më keq”.
Sipas babait, kjo nuk ishte hera e parë që vajza shfaqte shenja të thella ankthi dhe izolimi për shkak të bullizimit. Ai tregoi se edhe kur ishte në ciklin 9-vjeçar, përballej me të njëjtat probleme dhe se gjendja e saj mendore ishte përkeqësuar muajt e fundit.
“Nuk ka shoqe, vetëm një vajzë në lagje ka dalë. Edhe djalin e vogël e bullizojnë, nuk shkon në shkollë. Unë kam 20 vite në Sarandë. Si këtu nuk më ka ndodhur ndonjëherë. Mendoj se do ta heq fare vajzën nga shkolla. Mësuesja është një prind i dytë për fëmijën tim. Ajo sot u hodh nga ballkoni, nesër mund të shkojë të mbytet në det. Duhet ta ruaj 24/7. Jam i papunë, punoj në të zezë. Gruaja punon nëpër shtëpi, pastruese. Jam prej 20 vitesh me qira”, tha babai i adoleshentes, ndërsa e mbylli rrëfimin e tij me një apel për të ngritur në fokus këto shqetësime”.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për bullizimin në shkolla, shëndetin mendor të adoleshentëve dhe mungesën e mbështetjes institucionale në rastet e ngjashme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.